• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Bekteshi: Duke përmirësuar mbështetjen organizative dhe fuqizimin ekonomik të grave, ndërmarrjet do të arrijnë konkurrencë më të madhe

Bekteshi: Duke përmirësuar mbështetjen organizative dhe fuqizimin ekonomik të grave, ndërmarrjet do të arrijnë konkurrencë më të madhe

Shkup, 5 korrik 2023 (MIA)- Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi sot ka mbajtur fjalim në ngjarjen “Forcimi i përshtatshmërisë dhe rritjes së ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme” në kuadër të projektit “Aktiviteti për forcimin e ekosistemit të biznesit” i zbatuar nga Consulting for Strategic Development me mbështetjen financiare të USAID.

Në fjalën e tij, ministri Bekteshi theksoi se duke përmirësuar masat për zbutjen e ndikimit negativ të krizave, duke përmirësuar mbështetjen organizative dhe fuqizimin ekonomik të grave, ndërmarrjet do të arrijnë konkurrencë dhe gjithëpërfshirje më të madhe.

“Sot kemi mundësinë të ndjekim ngjarjen që është realizuar në vazhdimësi së bashku me USAID-in për forcimin e kapaciteteve në pjesën e ekosistemit, në pjesën e mbështetjes së të gjitha organizatave tona për t'i ndihmuar sa më profesionalisht dhe sa më mirë kompanitë mikro dhe të vogla. Ne, si Ministri e Ekonomisë i mbështesim plotësisht projekte të tilla, duke pasur parasysh se krijojmë masa me synimin për të patur një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe veçanërisht për të plotësuar nevojat e kompanive mikro dhe të vogla, të cilat janë edhe shtytëse të zhvillimit ekonomik në vendin tonë dhe që krijojnë më shumë vende pune në vendin tonë”, tha ministri.

Bekteshi theksoi se Ministria e Ekonomisë, duke pasur parasysh rëndësinë e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme dhe sipërmarrjes si shtytës të ekonomisë, ndërmerr masa dhe aktivitete të ndryshme për mbështetje financiare dhe jofinanciare me qëllim promovimin dhe përmirësimin e konkurrencës të ndërmarrjeve përmes mbështetjes për zbatimin e standardeve për cilësinë, për blerjen e pajisjeve të reja dhe moderne, si dhe për forcimin e infrastrukturës institucionale për të mbështetur NMVM-të, sipërmarrjen dhe zejtarinë.

Ai theksoi se është e nevojshme që në vazhdimësi të krijohen mundësi dhe të punohet në përkrahjen e grave që dëshirojnë të hapin bizneset e tyre dhe natyrisht edhe zhvillimin e atyre grave që tashmë kanë një lloj biznesi.

“Falë bashkëpunimit të suksesshëm në ciklin e kaluar të projektit, Ministria e Ekonomisë, nga shtatori 2022, vazhdon bashkëpunimin në kuadër të projektit të ri “Aktiviteti për fuqizimin e ekosistemit të biznesit”, financuar nga USAID me qëllim të forcimit të mëtejshëm të shoqatave të biznesit si partnerë kyç në krijimin e politikave për rritjen e konkurrueshmërisë dhe produktivitetit të sipërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme”, tha ministri.

QËNDRONI TË LIDHUR