• e premte, 27 dhjetor 2024

Bekteshi: Çmimet nga shtatori nuk do të jenë referente në uljen prej të paktën 10 për qind

Bekteshi: Çmimet nga shtatori nuk do të jenë referente në uljen prej të paktën 10 për qind

Shkup, 14 shtator 2023 (MIA) - Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi deklaroi sonte se ulja e paralajmëruar e produkteve të caktuara nuk do të jetë nga çmimet e muajve shtator dhe gusht, por nga muajt e tjerë ku, siç thotë ai, ka pasur çmime të mira. Bekteshi paralajmëroi se javën e ardhshme në Kuvend do të dorëzohet zgjidhje e re ligjore për praktikat jokorrekte tregtare.

"Asnjë nga tregtarët nuk e di se cila do të jetë data e referencës, me çfarë çmimesh do të merret vendimi të martën në pjesën e uljes së çmimeve të produkteve ushqimore bazë. Ekskluzivisht mund të them se nuk do të jetë datë dhe çmim që ka qenë gjatë shtatorit të këtij viti, por edhe nga muaji gusht", ka thënë Bekteshi në emisionin Vin vin në Tv Telma.

Ministri thotë se ulja prej 10 për qind e çmimeve do të jetë nga muajt kur ka pasur çmime të mira dhe se në ato çmime do të ketë ulje për 10 për qind. Kjo u është shpjeguar sot të gjithë rrjeteve të supermarketeve.

Sipas tij, do të merren parasysh çmimet nga muajt e këtij viti kur kanë qenë në fuqi masat e caktuara kur qeveria ka hequr disa detyrime si dogana, TVSH etj.

"Çmimet nga shtatori nuk do të jenë referente në pjesën e uljes prej të paktën 10 për qind. Pra, nëse në mars, le ta marrim si shembull, çmimi ka qenë njëqind denarë dhe në shtator 150 denarë, çmimi referent në ulje do të jetë 100 denarë, nuk do të jetë 150 denarë. Dhe në ato njëqind denarë duhet të ketë minimum ulje prej 10 për qind", sqaron Bekteshi.

Ministri ka thënë se vendimi do të mundësojë uljen e rreth 50 produkteve, por jo vetëm 10 për qind, por nëse vlerësohet se çmimet janë rritur në mënyrë enorme, ulja mund të jetë edhe 15 për qind. Bekteshi paralajmëroi se të gjitha lëvizjet e çmimeve do të monitorohen në baza javore, veçanërisht në industrinë ushqimore.

Kjo, siç tha Bekteshi, është vetëm hapi i parë. Këtu nuk përfshihen produktet joalkoolike, alkoolike dhe higjienike dhe të ngjashme. Por thekson se nëse vërehet se në sektorët e tjerë ka lëshime të mëdha, hapi i dytë do të jetë edhe kërkesa si e tillë.

Ministri tha se sot është përgatitur vendimi dhe se do të ketë detyrim për të gjithë të përfshirë në zinxhirin e tregtisë, përfshirë edhe prodhuesit që të prodhojnë dhe furnizojnë të paktën 70 për qind të sasive që kanë furnizuar ose prodhuar muajin e kaluar.

"Çfarë do të thotë kjo? Se kompani të caktuara mund të vendosin të ulin prodhimin ose të mos furnizojnë sipas kërkesave dhe asaj që nevojitet për shitjen me pakicë", tha Bekteshi.

Ministri njoftoi se Qeveria javën e ardhshme deri në Kuvend do të dërgojë zgjidhje ligjore për praktikat e padrejta tregtare e cila ishte propozim i kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe për të cilën kanë punuar së bashku me Bekteshin. Kjo do të jetë zgjidhja e parë e tillë ligjore në vend dhe rajon.

Sipas Bekteshit, me këtë ligj do të hiqen shumë detyrime që rëndojnë zinxhirin e prodhimit deri te produkti final.

Në emisionin debatues, pjesëmarrëse ka qenë edhe nënkryetarja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Dimitrieska Koçoska e cila tha se për ligjin për praktikat e padrejta tregtare kanë folur në fillim të vitit edhe ajo dhe Bekteshi dhe se atëherë ka thënë se është një nga arsyet që kemi inflacion të lartë se sa duhet të kishim. Tani, sipas saj, çdo gjë është shumë vonë dhe tashmë është vendosur në Kroaci, njëjtë edhe në Serbi dhe nuk është diçka e re në Evropë, por se ekziston prej disa vitesh.

 

QËNDRONI TË LIDHUR