• e enjte, 26 dhjetor 2024

BE-ja në raportin për të drejtat e njeriut thekson se situata në veri të Kosovës edhe më tej është sfiduese

BE-ja në raportin për të drejtat e njeriut thekson se situata në veri të Kosovës edhe më tej është sfiduese

Shkup, 3 gusht 20203 (MIA) - Në raportin e publikuar të Bashkimit Evropian për të drejtat e njeriut, thuhet se situata në veri të Kosovës mbetet sfiduese, veçanërisht për sa i përket gjykimit të korrupsionit, krimit të organizuar dhe kushteve për lirinë e shprehjes, përfshirë sulmet ndaj profesionistëve të medies. Njohësit e integrimeve evropiane në Kosovë, vlerësojnë se ky raport është real dhe se duhet të merret seriozisht nga institucionet e Kosovës e të adresohet në formën e duhur.

Situata në veri të Kosovës është duke u konsideruar sfiduese në raportin e Bashkimit Evropian për të drejtat e njeriut për vitin 2022. Ky raport përmban të dhënat e përditësuara dhe thuhet se dorëheqja e serbëve nga institucionet publike ka ndikuar negativisht në siguri, sundimin e ligjit dhe sistemin e drejtësisë.

Ndërkohë, njohësit e integrimeve evropiane në Kosovë, thonë se Raporti i BE-së për të drejtat e njeriut, ku përfshihet edhe Kosova, është raport real, pasi është bërë nga ekspertët e Bashkimit Evropian, që janë një palë e tretë neutrale. 

Në raportin e BE-së, thuhet se “dorëheqja masive e serbëve të Kosovës nga institucionet publike dhe ngritja e postblloqeve pasuese ndikuan negativisht në situatën e sigurisë dhe sundimin e ligjit në rajonin verior, ku sistemi i drejtësisë dhe policia funksionojnë me kapacitet të reduktuar.”

Ndër të tjera në raport, theksohet se “në vitin 2022, Kosova gëzonte stabilitet politik, ku qeveria kishte një shumicë solide në Kuvend. Ky mjedis politik ka qenë i favorshëm që Kosova të shtojë përpjekjet e saj për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit. Megjithatë, puna e Kuvendit vazhdoi të ndikohet negativisht nga një atmosferë e polarizuar politike dhe mungesa e kuorumit vendimmarrës”, thuhet në raport.

Tutje në raport thuhet se procesi zgjedhor i Kosovës ka ende nevojë për fuqizim për të adresuar dobësitë gjatë gjithë ciklit zgjedhor, siç janë identifikuar në misionet e njëpasnjëshme të vëzhgimit të zgjedhjeve të BE-së, dhe së fundi nga Misioni përcjellës i zgjedhjeve të BE-së, i vendosur në Kosovë në nëntor të vitit 2022.

Sa i përket procesit të dialogut për vitin 2022, në raport thuhet se në Kosovë u zhvillua një dialog i rregullt politik, në të dy aspektet teknike dhe nivelet politike.

Gjithashtu, në raport është theksuar edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës.

“BE-ja do të vazhdojë të monitorojë nga afër respektimin e të drejtave të njeriut në Kosovë. Kjo përfshin lirinë e tubimit dhe shoqërimit, lirinë e shprehjes, të drejtat e personave në situata të cenueshme, duke përfshirë personat që u përkasin pakicave; e drejta për barazi dhe mosdiskriminim, fëmijët, personat LGBTI dhe personat me aftësi të kufizuara, si dhe barazinë gjinore, si pjesë e rrugës evropiane të Kosovës”, është theksuar ndër të tjera në raportin e Bashkimit Evropian për të drejtat e njeriut. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR