• e premte, 20 mars 2026

BE-ja bën thirrje për përmbajtje në Lindjen e Mesme, pasi Trampi kërcënoi me sulme të mëdha

BE-ja bën thirrje për përmbajtje në Lindjen e Mesme, pasi Trampi kërcënoi me sulme të mëdha

Bruksel, 19 mars 2026 (MIA) - Liderët e Bashkimit Evropian bënë thirrje për qetësi në Lindjen e Mesme në samitin në Brukselit, pas sulmeve ndaj objekteve energjetike dhe kërcënimeve nga presidenti amerikan Donald Tramp për një sulm ndaj një fushe të madhe gazi iranian.

"Do të angazhohemi për deeskalimin dhe rikthimin e stabilitetit në Lindjen e Mesme", tha presidenti francez Emanuel Makron, pas mbërritjes në takimin e sotëm.

"Luftimet duhet të ndalen, të paktën për disa ditë, në mënyrë që të përpiqemi t’u japim një shans negociatave", tha Makron, i cili më herët bëri thirrje për ndërprerjen e sulmeve ndaj objekteve të naftës dhe gazit në Lindjen e Mesme.

Pas sulmit izraelit ndaj fushës iraniane të gazit Parsi Jugor, Irani sulmoi disa objekte energjetike në rajon, përfshirë edhe objektet kyçe të gazit të Katarit.

Duke reaguar ndaj sulmeve hakmarrëse, Trampi kërcënoi se "masivisht do ta hedhë në erë të gjithë Parsin Jugor, fushën më të madhe të gazit në botë, të cilën Irani e ndan me Katarin, nëse Teherani sulmon sërish Katarin.

"Na duhet një dalje nga kjo luftë, jo përshkallëzim", bëri thirrje diplomatja e lartë e BE-së, Kaja Kallas.

Vendet e BE-së po përballen me rritje të çmimeve të energjisë.

Sulmet e reja ndaj objekteve energjetike i kanë rritur çmimet e karburanteve, duke vazhduar rritjen e shkaktuar nga sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit para pothuajse tre javësh.

Shtetet anëtare të BE-së janë në mosmarrëveshje se si të lehtësojnë barrën e rritjes së faturave të energjisë për konsumatorët dhe bizneset.

Para samitit, një grup prej pesë vendesh të BE-së, përfshirë Spanjën dhe Suedinë, apelojnë për dyfishimin e burimeve të energjisë së rinovueshme si përgjigje ndaj rritjes së çmimeve.

Të tjerë, si Italia dhe Polonia, bënë thirrje për reforma të skemës së çmimeve të karbonit të BE-së, Sistemit të tregtimit të emisioneve (ETC).

Sipas ETC, bizneset në sektorë si prodhimi i energjisë elektrike, prodhimi industrial dhe aviacioni duhet të blejnë leje për emetimet e tyre të gazrave të qelqta. Aktualisht, sistemi mbulon rreth 40 për qind të emetimeve totale të BE-së.

Kritikët thonë se çmimet e larta të energjisë dhe shpenzimet e emetimeve përbëjnë një barrë të madhe për industritë me intensitet të lartë energjie.

Gjermania së fundmi ka kërkuar përshtatje, përfshirë edhe për kufizimet se sa gazra të qelqta mund të emetojë një fabrikë industriale për t’u kualifikuar për kuota falas.

Rritja e ndjeshme e fundit e çmimeve të naftës dhe gazit, gjithashtu, ka nxitur debatin për subvencione të mundshme ose kufizime të çmimeve.

Çmimet e larta të energjisë dhe ndikimi i tyre në konkurrueshmërinë e BE-së kanë qenë një problem për bllokun shumë përpara fillimit të luftës në Iran, gjë që ka çuar në thirrje për ulje të burokracisë dhe investimeve në shkallë të gjerë. qa

Foto: Arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR