BDI-ja mban Kryesinë qendrore, në rend të ditës situata aktuale politike
- Me thirrje të kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, nga ora 15 në selinë e partisë filloi mbledhja e 16-të e Kryesisë qendrore (Kryesia e Këshillit të përgjithshëm). Zëdhënësi i BDI-së, Arbër Ademi tha se pika në shqyrtim janë gjendja aktuale politike dhe propozimi që nga ana e degëve të mbahen takime të hapura me qytetarët.
- Post By Besnik Shuki
- 16:58, 21 tetor, 2024
Tetovë, 21 tetor 2024 (MIA) - Me thirrje të kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, nga ora 15 në selinë e partisë filloi mbledhja e 16-të e Kryesisë qendrore (Kryesia e Këshillit të përgjithshëm). Zëdhënësi i BDI-së, Arbër Ademi tha se pika në shqyrtim janë gjendja aktuale politike dhe propozimi që nga ana e degëve të mbahen takime të hapura me qytetarët.
"Në Kryesinë qendrore do të diskutohet kjo, pritet të marrin pjesë në ato takime edhe përfaqësuesit më të lartë të BDI-së", tha Ademi.
Në pyetjen e gazetarëve nëse do të bisedohet në takimet për protestat eventuale të BDI-së, të cilat më herët janë paralajmëruar, për shkak të mosmarrëveshjeve me politikat qeveritare, Ademi me përgjigje se protestat janë pjesë e agjendës, por si pikë ende nuk u shqyrtua nga organet dhe trupat e BDI-së.
"Ne si BDI, si parti e pavarur politike, vet e përcaktojmë agjendën dhe hapat të cilat duhet t'i ndërmarrim edhe si parti politike, por edhe si parti e cila participon në një koalicion politik, e quajtur Fronti Evropian. Aspak nuk bëhet fjalë për radikalizim. BDI-ja është parti shtetformuese, e cila angazhohet për sigurimin e perspektivës evropiane për të gjithë qytetarët, për një të nesërme më të mirë për të gjithë qytetarët. E tani, ndërmarrja e hapave politike nga ana e jonë, nuk duhet të interpretohen në këtë drejtim. Ne jemi funksionalë, punojmë me kapacitet të plotë. Ashtu që edhe ky propozim, i cili vjen nga degët, është pikërishst ajo punë në kapacitet të plotë të të gjitha degëve të BDI-së. Propozimi është nga ana e tyre, i cili doli pikërisht nga takimet e rregullta dhe takimet punues që i kemi këtu në BDI. Çdo ditë është ditë pune për BDI-në", tha Ademi.
Në pyetjen nëse do të bisedohet për përbërjen e deputetëve pas paralajmërimit të PDSH-së dhe Menduh Thaçit për braktisjen e koalicionit Fronti Evropian, Ademi tha se kjo nuk është në rend të ditës.
"Grupi parlamentar, të cilin e përbëjnë të gjitha partitë politike, që i takojnë Frontit Evropian është funksional dhe funksionon me kapacitet të plotë. Për këtë temë nuk di nëse do të bisedohet. Nuk është paraparë si pikë e posaçme në rend të ditës, pasi nuk ka shqetësime rreth asas nëse do të ketë ndonjë zhvendosje të ndonjë deputeti ose të ndonjë partie politike", deklaroi Arbër Ademi.
Edhe anëtari i kryesisë, Artan Grubi dha deklaratë për mediumet, ku tha se protestat janë pjesë e masave demokratike, por gjithçka varet nga vendimi i Kryesisë qendrore.
"Radikalizimi nuk është në rend të ditës aspak. BDI-ja nuk është parti anarkiste, e cila do të shkaktonte çfarëdo destabilizimi. Nuk është në agjendë, por e kemi në plan të plotë dhe do të ndërmarrim vetëm masa demokratike për gjithçka që do të shprehim ndaj opinionit. BDI-ja është parti konstruktive shtetformuese. Do të bisedojmë për masa demokratike", tha Grubi. bsh/
Foto: MIA arkiv