• e martë, 24 dhjetor 2024

BDI-ja filloi "Roje për Gjuhën" me prani para Gjykatës Kushtetuese deri në seancën e 11 dhjetorit për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve

BDI-ja  filloi

 Shkup, 8 dhjetor 2024 (MIA) - Para Gjykatës Kushtetuese pasdite janë mbledhur aktivistët e Bashkimit Demokratik për Integrim në opozitë, të cilët, siç ka paralajmëruar  funksionari i partisë, Arbër Ademi, do të qëndrojnë deri më 11 dhjetor, kur do të mbahet seanca për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Ademi tha se me nismën "Roje për Gjuhën", me prezencë 24 orëshe para Gjykatës Kushtetuese, qëndrojnë në "mbrojtje të Ligjit për Gjuhët".

 "Jemi mbledhur këtu për të ngritur zërin tonë për çështjet që prekin themelet e barazisë së shtetit tonë multietnik. Kjo nuk është një ditë e zakonshme, as një thirrje e zakonshme. Sot më shumë se kurrë është momenti të qëndrojmë të bashkuar për të mbrojtur atë që kemi fituar me kaq shumë përpjekje dhe sakrifica. Më 11 dhjetor, Gjykata Kushtetuese ka caktuar seancë për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Gjuhët, i cili nuk është vetëm akt juridik, por simbol i Marrëveshjes së Ohrit dhe në të bazohet barazia gjuhësore", deklaroi Ademi, duke shtuar se shfuqizimi i ligjit nënkupton rrënimin e njërës prej shtyllave të kësaj marrëveshjeje.

 Sipas Ademit, "koalicioni në pushtet pa legjitimitet në vend që të punojë për një të ardhme të përbashkët, ai gdhin dhe sulmon".

"Nuk është çështje për një ligj të zakonshëm, por për të drejtat tona si qytetarë të barabartë, për identitetin dhe të ardhmen tonë si shoqëri, për të ardhmen tonë. Marrëveshja e Paqes së Ohrit është garancia jonë për një shoqëri të drejtë dhe të barabartë. Nga sot do të qëndrojmë ditë e natë këtu përballë Gjykatës Kushtetuese, për të mbrojtur në mënyrë paqësore të drejtat tona dhe për të siguruar që asnjë vendim të mos shkatërrojë atë që kemi ndërtuar me sakrificë. Kjo nuk është nis,ë e ndonjë partie politike", theksoi Ademi. 

 Ai u bëri thirrje qytetarëve nga të gjitha bashkësitë etnike që t'i bashkohen nismës.

"I ftojmë të gjithë maqedonasit, shqiptarët, turqit dhe të gjitha komunitetet e tjera, të gjithë ata që besojnë në drejtësi, që të na bashkohen në këtë nismë. Ky nuk është një moment për pasivitet, por një moment për veprim të përbashkët. Tani është momenti për të mbrojtur gjuhën, të ardhmen dhe të drejtat tona të barabarta të përbashkëta", tha Ademi. 

 Kryeministri Hristijan Mickoski sot në një konferencë për shtyp njoftoi se bashkë me partnerin e koalicionit VLEN po bisedojnë për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, i cili  të mërkurën më 11 dhjetor, është në rend dite për shqyrtim nga Gjykata Kushtetues, por tha se askush nuk duhet të ndërhyjnë në Gjykatë për këtë "procedurë aktuale".

Tha se "të mërkurën asgjë nuk do të ndodhë", sepse para "çdo aksioni" në Gjykatën Kushtetuese i paraprijnë seancat përgatitore. 

 Sipas tij, qëllimi i BDI-së është përçarja në baza etnike dhe se tentime të tilla në të ardhmen do të ketë nga ajo parti politike.

"Sepse parimi "si deri më tani" ka përfunduar më 8 maj dhe ai parim është mposhtur. Por, prapë jep shenja jete dhe shohim se e vetmja temë me të cilën Bashkimi Demokratik për Integrim  është e pranishme në publik është të bëhet një ndarje në bazë etnike, i trajtojnë vetëm çështjet etnike, sepse në mënyrë tjetër nuk mund të tërheqin vëmendje, as për imponojnë temë, as të tërheqin njerëz që do t'i mbështesin. Sepse u përpoqën  me "agjendën e gjelbër", e patë se si përfunduan, dhe tani janë kthyer në opozitë në të vetmen temë që mund të sjellë ndonjë rezultat për ta", tha Mickoski në një konferencë për shtyp duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

 Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR