• e enjte, 26 dhjetor 2024

BDI-ja e akuzon Kasamin se miliona euro nga komuna përmes tenderëve i ka dhënë një familjeje

BDI-ja e akuzon Kasamin se miliona euro nga komuna  përmes tenderëve i ka dhënë një familjeje

Tetovë, 1 mars 2024 (MIA)-  Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) nga Tetova mbajti konferencë për media para ndërtesës së Komunës së Tetovës dhe akuzoi se miliona euro nga buxheti i Komunës së Tetovës janë derdhur në llogaritë e tre firmave në pronësi të një familje.

Sipas BDI-së, pronarët dhe familjarët e afërt të këtyre kompanive, nuk e fshehin lidhjen që kanë me udhëheqësit e Komunës së Tetovës dhe kryesinë e Lëvizjes Besa, duke publikuar fotografi nga mbledhjet e ndryshme partiake.

"Kompanitë, Eko Peu, Ereu Trans dhe Mujo Ba kanë marr tenderë ekskluzivisht nga Komuna e Tetovës dhe nga asnjë institucion tjetër. Pra burim i vetëm i të hyrave ka qenë llogaria e Komunës së Tetovës. Ende më interesant është fakti që dy nga këto firma kanë vetëm nga një të punësuar ndërsa kanë marr miliona euro tenderë. Dyshimi rritet ende më shumë kur kuptohet që këto firma të lartëcekura kanë veprimtari komplet të ndryshme nga punët për të cilat obligohen që t'i kryejnë sipas marrëveshjeve të nënshkruara mes tyre dhe Komunës së Tetovës. Këtë nuk e themi vetëm ne, po e thonë edhe shumë media të cilat nga afër i kanë hulumtuar tastet dhe mënyrën e tenderimit. Lidhja mes këtyre grupeve të interesit shkon edhe më larg kur shtojmë që shefi aktual i urbanizimit në Komunë të Tetovës është familjar dhe mik i pronarëve të Kompanive të lartcekura, ndërsa më parë ka qenë i punesuar në po të njëjtat kompani që tani po marrin tenderë milionësh nga Komuna e Tetovës", thekson BDI-ja  Tetovë. 

 Ata i bënë thirrje Prokurorisë që të hetojë rastin dhe të nxjerrë në dritë krimin dhe korrupsionin.

"Bilall Kasami po i shpërblen donatorët e partisë me miliona euro nga paratë e tetovarëve. Bilall Kasami po e dëshmon se Komunën e Tetovës e sheh si mjet për rahatimin e militantëve partiak dhe donatorëve të tij, ndërsa e gjithë kjo shkon në kurriz të qytetarëve të Tetovës. E pyesim publikisht Bilall Kasamin dhe klanin e tij mafioz, se si i kanë caktuar kushtet e tenderimit dhe si kanë arritur t'i përjashtojnë të gjitha kompanitë tjera nga prokurimi publik? Sa takime fshehurazi kanë mbajt me pronarët e Mujo-Ba para se të shpallin tenderimin? Si ka fytyrë që të del e të flet për suksese dhe për punë kur pas çdo pune të bërë fshihet nga një aferë korruptive dhe kriminale? Kjo është vetëm një nga të bëmat e këtij klani mafioz që udhëheq me Komunën e Tetovës, e që gjithmonë shkon në kurriz të qytetarëve të Tetovës", thonë BDI-ja nga Tetova.

Dega e partisë i bëri një apel publik Komisionit Kundër Korrupsionit që të hetojë rastin dhe të del me raport

Para tre ditësh në pyetjen e gazetarëve për kompanitë e njejtja, Kasami tha se nuk vendos për përzgjedhjen e kompanive gjatë tenderëve. Sipas Kasamit, Komuna e Tetovës edhe pse funksionon sipas ligjeve, ajo është nën kontrollin e institucioneve qendrore në baza ditore dhe pret që në parregullsitë më të vogla të ndalohet.

"U bëj thirrje të gjithëve, nëse dikush ka informacion për keqpërdorim ne jemi të hapur për bashkëpunim. Unë nuk jam ai që vendos se cila kompani mund të fitojë cilin tender. Ne jemi komunë opozitare dhe kur nuk ka dyshime reale, kemi shembull kur  sektori për krim të organizuar në SPB    Tetovë na troket në derë  edhe nuk ka ingerenca. Në fushën e ndërtimeve pa leje aty ata mund të reagojnë vetëm me urdhër të prokurorit publik nëse ka krim të organizuar. Ata trokasin edhe në derë për marrëdhënie pune, në shkollën Liria ku është problem marrëdhënia e punës me punonjësit, shkojnë nga krimi i organizuar ku është inspektimi i punës, inspektimi arsimor. Në situatat kur nuk ka polici, na troket. U garantoj qytetarëve se nëse do të kishte edhe dyshimin më të vogël për Komunën e Tetovës, sot do të isha  me duar të lidhura në polici dhe prokurori", theksoi Kasami. qa

Foto: BDI Tetovë

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR