• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

BDI: Vleni nuk i përmbushi premtimet në fushën e politikave kulturore

BDI: Vleni nuk i përmbushi premtimet në fushën e politikave kulturore

Shkup, 13 tetor 2024

Me keqardhje dhe shqetësim të thellë, po ndjekim zhvillimet në fushën e politikave kulturore të Qeverisë, të cilat, përkundër premtimeve dhe deklaratave të mëdha, po çojnë në një shkatërrim të vazhdueshëm të kulturës shqiptare dhe trashëgimisë sonë kombëtare. 

Ashtu siç është premtuar, dhe siç është theksuar nga koalicioni i Vlenit se do të udhëhiqni me Filharmoninë e Shtetit dhe do të krijoni institucione të reja kulturore, por në praktikë, kjo ka rezultuar të jetë thjesht një propagandë e dështuar.

Kultura shqiptare, e cila ka qenë një aset i pazëvendësueshëm, ka marrë një zero të madhe nga kjo qeverisje.

Kjo është një kohë e vështirë për artin dhe kulturën shqiptare.. Asnjë drejtor shqiptar nuk është emëruar në nivelet e larta të institucioneve kulturore kombëtare. Ky është një dështim i plotë i një premtimi të bërë ndaj qytetarëve dhe një dëm i rëndë për përfaqësimin e kulturës dhe artit shqiptar.

Një tjetër hap përpara drejt shkatërrimit është fakti që asnjë drejtor shqiptar nuk është emëruar në pesë qendrat kulturore jashtë vendit, ku janë të nevojshme përfaqësimet e denja që ruajnë lidhjen mes shqiptarëve të diasporës dhe kulturës sonë. Teatri Shqiptar I Fëmijëve në Shkup la ngelur në mëshirë të fatit, kjo është një mungesë e madhe përgjegjësie, pasi këto qendra duhet të jenë porta që mbajnë gjallë dhe transmetojnë trashëgiminë tonë kulturore ndër breza.

Po ashtu, veprimet e fundit të Qeverisë, po synojnë të shkatërrojnë dy ansamblet më të rëndësishme kulturore, atë të valleve dhe ansamblin muzikor, janë të papranueshme dhe të dëmshme për identitetin tonë kombëtar. Këto ansamble nuk janë thjesht grupe artistike, por përfaqësues të jetës dhe traditës sonë kulturore, që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e vlerave tona më të çmuara. Të njëjtën kohë, po eliminohen gjithashtu shqiptarët nga sfera e trashëgimisë kulturore, duke krijuar një boshllëk të papërballueshëm për artin dhe kulturën tonë. 

Kultura është pjesë e identitetit tonë dhe ajo është e pazëvendësueshme. Qëllimi i këtij shkatërrimi sistematik nuk është vetëm të zhbëhen disa institucione kulturore, por është gjithashtu një përpjekje për të fshirë kujtimin e asaj që ne si popull kemi arritur. Ky është një veprim që po shkatërron gjithçka që është krijuar me mund dhe sakrificë për t’u ruajtur dhe promovuar trashëgimia jonë. 

Vetëm dy ditë më heret, shqiptarët për herë të parë eleminohen nga ndarja çmimit më të lart shtetëror 11 Tetori, çmimi u ndahet katër krijuesve maqedon dhe asnjë atij shqiptar, akt ky që tregon për mendësin e instaluar antishqiptare nga kjo qeveri monoetnike.

Për të shmangur këtë katastrofë kulturore, është e domosdoshme që Qeveria të marrë masa urgjente për të:

 1. Përforcuar përfaqësimin shqiptar në drejtimin e institucioneve kulturore në nivelin kombëtar dhe ndërkombëtar, për të garantuar që vlerat dhe traditat shqiptare të jenë të pranishme dhe të mbrojtura në çdo vendim dhe aktivitet kulturor.
2. Rikthimin e mbështetjes dhe zhvillimit të ansambleve kulturore si ansambli i valleve dhe ai muzikor, duke investuar në forcimin e infrastrukturës, trajnimin e artistëve dhe mbështetje financiare, për të siguruar ruajtjen dhe zhvillimin e artit dhe kulturës tradicionale shqiptare.
3. Angazhim të Qeverisë për të siguruar përfaqësim të drejtë dhe të barabartë në të gjitha nivelet e institucioneve kulturore, si dhe për të garantuar që ato të funksionojnë me profesionalizëm dhe integritet.

 BDI

 _________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit. 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR