BDI: Qeveria VMRO-VLEN e bllokon realizimin e projekteve infrastrukturore
- Sot, jemi këtu për të shprehur shqetësimet tona të thella lidhur me ngecjet e Qeverisë mono-etnike në realizimin e projekteve kapitale në infrastrukturën rrugore gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes së saj.
- Post By Qefsere Abduli
- 13:36, 9 tetor, 2024
Shkup, 9 tetor 2024
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të nderuar qytetarë,
Sot, jemi këtu për të shprehur shqetësimet tona të thella lidhur me ngecjet e Qeverisë mono-etnike në realizimin e projekteve kapitale në infrastrukturën rrugore gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes së saj.
Në këto tre muaj, në vend që të ketë progres ka ngecje dhe shkurtim mjetesh të projekteve kyçe në infrastrukturën rrugore, siç janë
Korridori 8 dhe 10d, autostrada Shkup-Bllacë, rruga Tetovë -Prizren, kontrolli i përbashkët i kufinjëve, hekurudha dhe projekte të tjera që janë të një rëndësie strategjike për vendin.
Të nderuar, Korridori 8, projekti më i madh dhe më i rëndësishëm i shtetit që nga pavarësia, i cili lidh Maqedoninë e Veriut me Republikën e Shqipërisë dhe vendet e rajonit, është një nga arteriet kryesore për zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal dhe evropian.
Për fat të keq, qeveria me legjitimitet monoetnik qëllimisht zvarrit procedurat e nevojshme për realizimin e këtij korridori evropian.
Menjëherë pas ardhjes në pushtet zvogëluan mjetet buxhetore nga 15.1 mld denarë në 4 mld denarë.
Kjo nuk mjaftoi, në mënyrë të pa drejt ndryshuan vendimin e miratuar nga Qeveria e mëparshme për trasenë e autostradës Gostivar Bukojçan për ndërtimin e tunelit me gjatësi prej 5.3 km, që erdh si rezultat i “cost benefit” analizës e bërë nga ekspertët si zgjidhja më e mirë që do të ndikojë në zvogëlimin e kohës së udhëtimit dhe do të ris sigurinë në komunikacion.
Gjithashtu, kjo qeveri tregon se nuk ka vullnet të ndërtojë edhe autostradën Shkup - Bllacë.
Edhe pse punimet e dy kilometershit të parë kanë përfunduar , ende nuk janë lëshuar në përdorim këto dy kilometra të përfunduar të autostradës, ndërsa vonohet edhe zgjedhja e realizuesit të punimeve për ndërtimin e fazës së dytë prej 10 kilomentra të këtij aksi të rëndësishëm rrugor që lidh vendin tonë me Republikën e Kosovës.
Me qëllim të mos realizimit të këtij projekti, paralajmërojnë ndryshim të trases së përcaktuar në projektin bazë.
Dëshirojmë të informojmë opinionin se traseja e paraparë në projekt është zgjedh duke respektuar të gjitha procedurat e nevojshme.
Për bazë është marrë edhe elaborati për studim të ambietit jetsësor, është bërë shqyrtimi publik dhe në fund është miratuar projekti infrastrukturor nga ana e ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve (muajin Korik 2023).
Kjo trase është përzgjedhur edhe në përputhshmëri me rregulloret e BERZH dhe Ndërmarrjes së Rrugëve, i përshtatur me të gjitha palët e involvuara, siç janë institucionet përkatëse në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe popullatën e asaj ane.
Përveç kësaj, edhe projekti për ndërtimin e rrugës Tetovë- Prizren mbetet vetëm premtim parazgjedhor i tyre. Kanë ngecur të gjitha procedurat e filluara për realizimin e këtij projekti të miratuara nga qeveria e kaluar.
Nga këtu, pyesim institucionet kompetente pse nuk fillojnë me procedurat për zgjedhjen e kompanisë projektuese për projektimin e tunelit të përbashkët Tetovë – Prizren me gjatësi 6.2 km, që parashihet në marrëveshjen e nënshkruar në mes dy vendeve në fillim të këtij viti.
Të njejtat vonesa, obstruksione dhe përpjekje minuese zhvillohen edhe për hekurudhën e korridorit 8, portin e thatë në Strugë dhe projektet tjera në veriperendimin e vendit.
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Ngecjet nuk ndalen vetëm me këto projekte. Shumë akse të tjera rrugore dhe hekurudhorennë të gjithë Maqedoninë e Veriut janë lënë pas dore, duke penguar jo vetëm zhvillimin ekonomik, por edhe cilësinë e jetës së qytetarëve.
Këto dështime janë të papranueshme dhe të pa shpjegueshme në një periudhë kur vendi ynë ka nevojë për investime serioze në infrastrukturë për të përparuar në zhvillim dhe integrim evropian.
Sa i përket projektit të kontrollit të përbashkët të kufinjëve ne fqinjtë, njoftojmë opinionin që ky parim, i quajtur One Stop Shop, tashmë është në zbatim me Shqipërinë dhe Serbinë, ndërsa me Kosovën është firmosur marrëveshja dhe është miratuar ligji në Kuvend, ndërsa kjo qeveri jolegjitime duhet vetëm të zbatojë e jo të shkaktojë rradhë kilometershe në Bllacë.
Me sa duket, Qeveria nuk është bë dijeni që kjo punë është e kryer dhe është në zbatim e sipër.
Ne, si Bashkimi Demokratik për Integrim, kërkojmë llogaridhënie të plotë nga qeveria për këto ngecje të papranueshme në realizimin e këtyre projekteve strategjike.
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut meritojnë një qeveri që punon për ta, që është e përkushtuar dhe që zbaton projektet me të cilat është zotuar.
Konferencë për media e Arbana Pashollit nga BDI
foto: BDI
__________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.