• e shtunë, 23 nëntor 2024

BDI ofron "marrëveshje kornizë" për ekonominë, biznesi kërkon sundim të drejtësisë, përgjegjësi, gazifikim dhe mbështetje të drejtpërdrejtë të eksportit

BDI ofron

Shkup, 28 mars 2024 (MIA) - BDI-ja ofron një program gjithëpërfshirës ekonomik, i cili pas zgjedhjeve do të jetë një lloj marrëveshjeje kornizë ndërmjet të gjitha partive politike, ndërsa biznesi kërkon që të merren parasysh prioritetet themelore: lufta kundër korrupsionit dhe krimit, përgjegjësia, shpenzimi racional i fondeve buxhetore, përfundimi i procesit të gazifikimit, mbështetja direkte e aktiviteteve të eksportit, transparenca në shpenzimin e mjeteve financiare për prokurime publike,...

Kjo është theksuar para takimit të sotëm të udhëheqësisë së lartë të BDI-së, të udhëhequr nga Kreshnik Bekteshi, Artan Grubi dhe Fatmir Besimi, me kryetarin e Odës Ekonomike, Branko Azeski dhe ekipin e tij.

Azeski me këtë rast ka theksuar edhe një herë se ka vonesa në dhënien e lejeve të ndërtimit. Sipas tij, lejet për aktivitet investues të ndërmarrjeve dhe qytetarëve duhet të kenë përparësi. Është e nevojshme të krijohet një mekanizëm i tillë sepse, siç përmendi, nga ai varen edhe BPV-ja dhe parametrat e tjerë, ndërsa në të kundërt, riprodhohen shpenzimet.

"Sot në cilësinë e përfaqësuesve të BDI-së së bashku me zëvendëskryeministrin e parë Grubi dhe ministrin e Financave jemi këtu për të paraqitur propozimin tonë në fushën e ekonomisë sa i përket zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare dhe në të njëjtën kohë, më e rëndësishmja është që të merren sugjerime dhe propozime konkrete për t'i inkorporuar ato, dhe në të njëjtën kohë të punojmë në drejtim të asaj që më parë është prezantuar nga Grubi së bashku me Azeskin, që është Marrëveshja kornizë në fushën e ekonomisë. Cfarë do te thotë kjo? Kjo do të thotë se në përgjithësi të gjitha partitë politike ku BDI-ja do të bashkohet në periudhën e ardhshme, prioritet mbi prioritetet është që të ketë zhvillim ekonomik, si dhe njëherit standardi jetësor i qytetarëve në pjesën e integrimit të shtetit tonë po ashtu edhe në brendësi në pjesën e disa fushave që janë më të rëndësishmet dhe sipas mendimit tonë do të prezantohen sot, dhe ato bazohen në tre shtylla kryesore. Kjo është ekonomi e integruar, ekonomi e hapur, ekonomi vendore, një ekonomi e drejtë në pjesën e legjislacionit dhe në pjesën e kontrollit të saj në përputhje me të gjitha praktikat dhe direktivat që dalin nga BE-ja si politikat antimonopole, si politikat kundër diskriminimit dhe gjëra të tjera që janë të parapara në atë shtyllë dhe shtylla e tretë, sigurisht që është një ekonomi e gjelbër në pjesën e tranzicionit, veçanërisht në sektorin e energjisë, por jo vetëm", tha Bekteshi para takimit.

Sipas tij, duke pasur parasysh se vendi është anëtar i NATO-s, si dhe se ka detyrime nga aspekti i skriningut, tashmë janë duke u përgatitur zgjidhje të caktuara ligjore në fushën e sigurisë dhe besueshmërisë në furnizimin me burime të caktuara energjetike, që janë strategjikë, si dhe sektorë siç është energjetika, IT,...

"Dje kemi pasur takime me odat e tjera ekonomike. Kemi pasur propozime konkrete në fushën e rritjes së standardit të jetesës, në fushën e rritjes së pagës minimale, pagës mesatare, modele të caktuara që po punojmë tashmë në fushën e kontributeve, me qëllim të ndikimit në rritjen e pagës neto, si dhe në pjesën e rritjes së produktivitetit të fuqisë punëtore. BDI është një parti e hapur politike, gjithmonë dëgjon zërin e palëve të interesuara, në këtë rast të sektorit të biznesit, dhe sigurisht që do të kemi takime edhe me organizatat për mbrojtjen e konsumatorëve dhe palët e tjera të interesit për të pasur një program gjithëpërfshirës që do të jetë në një lloji të Marrëveshjes kornizë ndërmjet të gjitha partive politike, por jo vetëm faktorëve të shoqërisë në fushën e ekonomisë, me qëllim të rritjes së standardit jetësor të qytetarëve dhe njëkohësisht krijimit të një klime më të mirë biznesi në vendin tonë", theksoi Bekteshi.

Kryetari i Odës, Azeski, tha se atë që Bekteshi e quan “marrëveshje kornizë” në aspektin ekonomik, biznesi e quan “marrëveshje për zhvillim ekonomik”. Ai u mburr se edhe përkundër ballafaqimeve të shumta, ka pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm me kreun e BDI-së, që, sipas tij, është një risi e madhe në skenën ekonomike dhe politike të Maqedonisë së Veriut dhe duhet të kultivohet. Ai këtë herë ka thënë se pa shtet ligjor nuk ka zhvillim as të biznesit, as të shtetit.

"Morëm një mësim si biznes përmes këtij procesi - që mund të bësh çfarë të duash, mund të ndërtosh biznesin që imagjinon, por nëse nuk ke shtet ligjor në një shtet, nëse nuk ka parime tregtare të vlerave për të cilat ne përpiqemi, të ndërlidhura me integrimet euroatlantike, nuk mund të bësh asnjë për qind rritje të BPV-së", tha Azeski.

Përsëriti gjithashtu se afarizmi është çelësi për ekonominë.

"Parashikueshmëria mund të garantojë rritje të investimeve dhe një numër më të madh të punësimeve. Jemi përballur me njëri-tjetrin për qëllime që janë në interes të shtetit dhe do të vazhdojmë të punojmë secili në rrugën tonë për përmirësimin e situatës. Unë dua ta mbështes publikisht propozimin e BDI-së që erdhi dhe u ngrit për herë të parë nga zëvendëskryeministri i parë kur diskutuam për “Behtel dhe Enka”. Kjo vazhdoi edhe më tej në komunikimet e ndërsjella që kishim dhe natyrshëm që paketa u finalizua disi tani para zgjedhjeve. Cfarë do të thotë kjo? Ne nuk e quajmë “kornizë”, ne e quajmë marrëveshje zhvillimi ekonomik. Por ne duam që të ketë kufij dhe korniza dhe nuk do të diskutojmë tani për pikat dhe presjet, le të shohim thelbin. Thelbi është se ky proces hap një perspektivë në të cilën biznesit do t'i jepet prioritet në 10 vitet e ardhshme dhe kështu do të arrijmë disa shifra të nevojshme për të shkuar në Bruksel apo për t'u pranuar atje", tha Azeski. mb/

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR