BDI: Investimi në Kërçovë projekt i qeverisë së kaluar, është koha të keni së paku një projekt tuajin
- Bashkimi Demokratik për Integrim përshëndet fillimin e punimeve të kompanisë belge në Kërçovë, e cila vendosi gurthemelin në prill të vitit 2024, ndërsa marrëveshja për investimin ishte nënshkruar në maj të vitit 2023 nga ish-Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
- Post By Fami Bajrami
- 16:16, 14 dhjetor, 2024
Shkup, 14 dhjetor 2024
Bashkimi Demokratik për Integrim përshëndet fillimin e punimeve të kompanisë belge në Kërçovë, e cila vendosi gurthemelin në prill të vitit 2024, ndërsa marrëveshja për investimin ishte nënshkruar në maj të vitit 2023 nga ish-Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Ky investim është një vazhdim i përpjekjeve të qeverisë së kaluar për të tërhequr investitorë dhe për të promovuar zhvillimin ekonomik në rajon dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Por është për të ardhur keq manipulimi dhe falsifikimi i të vërtetës nga ana e Qeverisë aktuale në lidhje me investimet e huaja.
Qeveria pa legjitimitet e Kryeministrit Mickoski po i prezanton si suksese të saj investimet që janë punuar, nënshkruar dhe përgatitur nga qeveria e mëparshme e BDI-së.
Përshtatja e këtyre investimeve si arritje të qeverisë aktuale është një gënjeshtër që ofendon qytetarët dhe po tregon se kjo qeveri është e gatshme të manipulojë për të mbuluar dështimet dhe paaftësinë e saj.
Qeveria aktuale ka dështuar në këto 6 muaj të promovojë as edhe një vizion, ide apo projekt për zhvillimin e vendit dhe ka qenë e fokusuar vetëm në përpjekjet për të manipuluar përçarjet, konfliktet dhe polarizimin për përfitime politike të momentit. Duke e shfrytëzuar politikën si një mjet për të mbuluar dështimet e saj, kjo qeveri po e dëmton të ardhmen e vendit dhe po e bën shoqërinë më të ndarë.
Bashkimi Demokratik për Integrim
__________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.