• e premte, 27 dhjetor 2024

BDI: Amerika me porosi të fuqishme ndaj VMRO-së, votoni ndryshimet kushtetuese

BDI: Amerika me porosi të fuqishme ndaj VMRO-së, votoni ndryshimet kushtetuese

Shkup, 14 maj 2023

Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se reagimi i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe thirrja e përfaqësuesit special të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar ndaj VMRO-së dhe Levicës për të përkrahur rrugën evropiane të vendit dhe për të votuar ndryshimet kushtetuese është sinjal i qartë paralajmërues që nuk duhet të hasë në vesh të shurdhër.

Nëse deri dje thirrjet dhe kërkesat tona për konstruktivitet janë cilësuar si subjektive dhe janë shpërfillur vazhdimisht nga ana e opozitës, konfirmim për racionalitetin e tyre është mesazhi i drejtpërdrejt i SHBA që t’i jepet fund bllokadës dhe pengmarrjes së të ardhmes evropiane të vendit.

Vlerësojmë se ka ardhur koha për reflektim nga ana e opozitës, jo vetëm në aspektin deklarativ, të dëshmojë konstruktivitet në çastet vendimtare kur duhet të përshpejtojmë hapin drejt Evropës.

Bashkimi Demokratik për Integrim është i bindur se tek opozita maqedonase ka frymë evropiane që do të triumfojë mbi konfuzionin dhe protagonizmin subjektiv. Armiku më i madh i vendit është stagnimi, prandaj le të marrim të gjithë mbi supe përgjegjësi duke menduar mbi të gjitha ardhmërinë e fëmijëve tanë.

Bashkimi Demokratik për Integrim

_______________________________________________________________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

QËNDRONI TË LIDHUR