• e shtunë, 23 nëntor 2024

Bauer për MIA-n: Idetë e shteteve të mëdha nuk janë një qasje e mençur

Bauer për MIA-n: Idetë e shteteve të mëdha nuk janë një qasje e mençur

Shkup, 8 shtator 2023 (MIA) - Idetë e shteteve të mëdha, edhe kur bëhet fjalë për retorikën, nuk janë një qasje e mençur, sepse shkaktojnë shqetësim te qytetarët, theksoi në një intervistë për MIA-n, kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Rob Bauer.

Ai u përgjigj në pyetjen se sa rrezik real për stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor janë idetë për promovimin e shteteve të mëdha në rajonin e Ballkanit Perëndimor, të paraqitura shpesh nga bartësit e funksioneve publike.

"Edhe nëse është thjesht retorikë, nuk mendoj se është e mençur sepse i bën njerëzit nervozë. Kjo në vetvete shkakton paqëndrueshmëri sepse njerëzit nervozohen dhe bëhen të pasigurt duke dëgjuar të gjitha këto histori të ndryshme. Ajo që është e rëndësishme për Aleancën tonë është se ne mbështesim shumë gjëra. Njëra prej tyre është ideja e sovranitetit, ideja e kufijve të njohur ndërkombëtarisht, ideja se një vend është përgjegjës dhe i aftë të mendojë për të ardhmen dhe fatin e vet, dhe sigurisht për sundimin e ligjit. Këto janë katër gjërat që janë vendimtare në Aleancën tonë", theksoi Bauer.

Për sa i përket pozicionit të shteteve me njëri-tjetrin, ai thotë se është në dorën e vetë anëtarëve dhe se mund të ketë mosmarrëveshje në NATO, por ato janë tejkaluar sepse Aleanca i përmbahet katër rregullave dhe vlerave të përmendura më parë.

"Sepse edhe në Aleancën tonë mund të ndodhë që të ketë debate, mund të ketë mosmarrëveshje, por kjo është arsyeja pse ne ende mund t'i zgjidhim të gjitha këto gjëra, sepse ne u përmbahemi atyre katër rregullave dhe vlerave shumë të rëndësishme. Nëse vendet e tjera nuk e bëjnë këtë, dhe ne përfshihemi në ato vende përmes operacioneve, për shembull, jashtë zonës sonë të përgjegjësisë, atëherë sigurisht që u takon vetë atyre vendeve që të ndihmojnë në rivendosjen e stabilitetit. Para se gjithash, nuk i takon askujt përveç vetë vendeve që t'i zgjidhin këto çështje dhe të sigurojnë që ata të jetojnë në paqe, së bashku. Sepse është më së shumti në interes të qytetarëve të atyre vendeve", shton Bauer në intervistën për MIA-n, e cila nesër do të publikohet e plotë me video material. sa/

Foto. MIA

QËNDRONI TË LIDHUR