• e shtunë, 23 nëntor 2024

Banka Botërore do të mbështesë reforma makroekonomike dhe klimatike në Maqedoninë e Veriut me hua në vlerë prej 93,8 milionë euro

Banka Botërore do të mbështesë reforma makroekonomike dhe klimatike në Maqedoninë e Veriut me hua në vlerë prej 93,8 milionë euro

Shkup, 16 dhjetor 2023 (MIA) - Banka Botërore do të sigurojë hua në vlerë prej  93,8 milionë euro për Maqedoninë e Veriut, me qëllim të fuqizimit të pozitës fiskale dhe sektorit financiar në vend, si dhe mbështetjen e tranzicionit të saj të gjelbër.

Siç bënë të ditur nga Banka Botërore, financimi i ri në kuadër të Operacionit për Politikë Zhvillimore të Qëndrueshmërisë dhe Rezistencës së Maqedonisë së Veriut, i miratuar sot nga ana e Bordit të Drejtorëve të Bankës Botërore, është në pajtim me prioritetet makroekonomike të vendit, sipas Strategjisë fiskale 2024-2028 dhe Programit për reforma ekonomike 2023-2025 të Qeverisë.

"Maqedonia e Veriut, ashtu si vendet e tjera në Evropë, përballet me presione të vazhdueshme inflacioniste, të cilat rëndojnë financat publike në kushtet e shtrëngimit monetar dhe rritjes së shpenzimeve të huamarrjes. Me këtë mbështetje, qëllimi ynë është të ofrojmë burime të shpejta financiare për të forcuar qëndrueshmërinë fiskale, duke mbështetur reformat e nevojshme klimatike dhe tranzicionin energjetik të vendit", tha Masimiliano Paoluci, drejtor i Zyrës së Bankës Botërore për Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.

Operacioni i ri i Bankës Botërore i mbështet përpjekjet për ulje të varësisë nga lëndët djegëse fosile në Maqedoninë e Veriut përmes efikasitetit të përmirësuar energjetik në sektorin publik, investime të rritura në burime të ripërtëristshme të energjisë dhe grumbullim më të mirë të të dhënave në lidhje me ekspozimin në sektorin bankar të rreziqeve klimatike.

Reformat, bëhet e ditur, mund ta ndihmojnë vendin në tërheqjen e rreth 45 milionë euro investime private për energji ripërtëritëse, përfshirë edhe instalim të paneleve solare, deri në vitin 2026.

"Kemi bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë për tu siguruar që mbështetja jonë e politikave dhe ndihmës teknike janë plotësuese dhe në përputhje me agjendën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Shpresojmë se ky bashkëpunim do të forcojë përkushtimin e Qeverisë për reforma në politikat e shëndosha makroekonomike dhe stabilitetin e sektorit financiar", deklaroi Sanja Maxhareviq Shujster, ekonomiste e lartë për Ballkanin Perëndimor në Bankën Botërore.

Huaja nga Banka Botërore përbëhet nga një këst për tërheqje prej 93,8 milionë euro me maturim prej 11 vjet, duke përfshirë 4,5 vjet grejs periudhë, qëndron në kumtesë. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR