• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

"Balancuesi" nesër në mbledhjen e Gjykatës Kushtetuese

Shkup, 17 shtator 2024 (MIA) - Lënda për “balancuesin”, e cila u formua pas nismës së paraqitur nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), nesër është në rend dite të mbledhjes së Gjykatës Kushtetuese.

"Janë kontestuar neni 19 paragrafi 1 alinea 1 në pjesën "përkatësia e komunitetit" të Ligjit për të punësuarit në sektorin publik, neni 36 paragrafi 1 alinea 1 në pjesën "edhe  përkatësia e një komuniteti" të Ligjit për nëpunësit administrativ dhe neni 2 paragrafi 1 alinea 8 dhe neni 3 alinea 1 në pjesën “përkatësia e komunitetit” të Rregullores për elementet e detyrueshme të shpalljes publike për plotësimin e pozitës në sektorin publik përmes punësimit dhe të kërkesës për punësim, si dhe formën, përmbajtjen dhe mënyrën e mbajtjes së regjistrit të personave që kanë dhënë informacion të rremë gjatë punësimit në sektorin publik, në pjesën e “përkatësisë së komunitetti”, informojnë nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas parashtruesit të nismës (KSHPK), me zbatimin e dispozitave ligjore të kontestuara kërcënohen liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe qytetarit, shprehja e lirë e përkatësisë kombëtare, përfaqësim i duhur dhe i drejtë për qytetarët që u përkasin të gjitha komuniteteve në organet e pushtetit shtetëror dhe të institucioneve tjera publike dhe të sundimit të ligjit të garantuar me dispozitat e neneve 9, 32 paragrafi 1 dhe 2, 54 paragrafi 1, 2 dhe 3 të Kushtetutës.

Me pjesën e kontestuar “që i përket një komuniteti”, parashtruesi mendon se kandidatëve për nëpunës administrativë u vendoset detyrimi në aplikimin për punësim që të tregojnë përkatësinë e komunitetit midis të dhënave të tjera personale, gjë që cenon të drejtën e garantuar me Kushtetutë për shprehje të lirë të përkatësisë kombëtare. Përkatësia është ndjenjë personale e qytetarit dhe si e tillë mund të jetë e ndryshueshme. Përkatësia në një komunitet nuk është kusht i përgjithshëm dhe as i veçantë për punësimin e nëpunësve administrativë i paraparë me Ligjin për të punësuarit në sektorin publik,  me Ligjin për nëpunësit administrativ, dhe në thelb është një parakusht eliminues për raportimin e një konkursi publik për punësim në sektorin publik, gjë që cenon parimin e profesionalizmit dhe kompetencës të përcaktuar në Ligjin për punonjësit e sektorit publik.

Sipas parashtruesit, me dispozitën e kontestuar të Rregullores në mënyrë të drejtpërdrejtë cenohen liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe qytetarit në atë mënyrë që e drejta për të aplikuar në shpallje publike u kufizohet kandidatëve për nëpunës administrativë të cilët u përkasin komuniteteve të ndryshme nga komuniteti i specifikuar në shpalljen publike për vendin e caktuar të punës që cenon të drejtën e garantuar me Kushtetutë për punë dhe zgjedhjen e lirë të punësimit. Duke specifikuar përkatësinë e komunitetit që kërkohet për të plotësuar çdo pozicion të punës, kandidatët për zyrtarë administrativë janë të kufizuar në disponueshmërinë e secilit pozicion.

KSHPK në mbledhjen e mbajtur më 11 janar të këtij viti, vendosi të paraqesë një nismë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e mjetit “balancuesi”, pasi vlerësojnë se me këtë bëhen keqpërdorime gjatë punësimit.

KSHPK konsideron se edhe pse ka pasur rezultat pozitiv në punësimin etnik, në vitet e kaluara është evidentuar rritja e numrit të të punësuarve pa nevoja reale dhe pa kushte hapësinore në institucione, ndërsa praktika ka treguar se kandidatët për punësim deklarojnë përkatësinë etnike të kërkuar në konkurs.

Sipas KSHPK-së, ky lloj aplikimi i këtij mjeti, ku përkatësia etnike është e dhëna bazë për ndarjen e një vendi pune, bie ndesh me merit  sistemin, nuk ka vlerën për të cilën është menduar dhe keqpërdoret, duke sjellë rreziqe të shitjes së ndikimit, sjelljes korruptive dhe krijimin e klientëve politikë të partive.

Për këto arsye, Antikorrupsioni mendon se duhet të kontrollohet nëse “balancuesi” duhet të hiqet apo të gjendet mundësia për të parandaluar keqpërdorimin. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR