• e diel, 24 nëntor 2024

Bërnabiq: Marrëdhëniet ekonomike dhe politike midis Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut po përmirësohen

Bërnabiq: Marrëdhëniet ekonomike dhe politike midis Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut po përmirësohen

Beograd, 31 mars 2023 (MIA) - Kryeministrja Ana Bërnabiq tha sot se marrëdhëniet ekonomike dhe politike ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut janë duke u përmirësuar dhe për këtë ka kontribuar iniciativa “Ballkani i Hapur”. Pas takimit me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, ajo tha se një pjesë e madhe e bisedës i është kushtuar kësaj iniciative dhe projekteve konkrete në kuadër të BH, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.

Bërnabiq theksoi se këtë vit të dy vendet do të tejkalojnë tregtinë e ndërsjellë prej 1.5 miliardë euro dhe se po i afrohen një shkëmbimi tregtar prej dy miliardë eurosh.

Vitin e kaluar, shkëmbimi arriti në 1,482 miliardë euro dhe është 28 për qind më i lartë se në vitin 2021, tha Bërnabiq.

Sipas saj, eksportet e Serbisë në Maqedoninë e Veriut u rritën për 16 për qind në vitin 2022, ndërsa eksportet e Maqedonisë së Veriut në Serbi u rritën ndjeshëm.

Ajo shtoi në konferencën për shtyp se në takimin e sotëm është diskutuar edhe për përmirësimin e mëtejshëm të tregtisë dhe shkëmbimit të ndërsjellë të produkteve ushqimore bujqësore, të cilat tani përbëjnë më shumë se 40 për qind të shkëmbimit mes dy vendeve.

Kryeministrja serbe theksoi se është biseduar edhe për bashkëpunim të ndërsjellë shtesë në fushën e energjetikës dhe infrastrukturës dhe se marrëveshjet që u nënshkruan sot në ato fusha janë gjithashtu të rëndësishme.

Duke folur për marrëdhëniet politike ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, Bërnabiq tha se më 6 prill do të nënshkruhet një memorandum inovativ i bashkëpunimit në fushën e integrimeve evropiane dhe se është duke u rënë dakord për datën për mbajtjen e seancës së tretë të përbashkët të dy qeverive. e cila do të mbahet në Serbi.

Ajo theksoi se Serbia e mbështet procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe se çdo gjë që është e mirë për vendet e rajonit me qëllim të integrimit më të shpejtë evropian është e mirë edhe për Serbinë.

Ajo shprehu besimin se do të hapet pika kufitare Miratoc-Llojan, të cilën ministrat e Punëve të Brendshme të dy vendeve e nënshkruan në shkurt.

Ajo vlerësoi se bisedimet me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut kanë qenë për të gjitha temat me interes të ndërsjellë, me qëllim të afrimit të mëtejmë, thellimit të marrëdhënieve ekonomike dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, të cilat ajo i vlerësoi si interes të të dyja palëve, dhe mbi të gjitha të qytetarëve të të dy vendeve.

Duke folur për Iniciativën “Ballkani i Hapur”, Bërnabiq tha se pret që më 1 korrik të fillojë zbatimi dhe shpërndarja e një numri të vetëm identiteti, i cili do të mundësojë lëvizjen më të lehtë të fuqisë punëtore. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR