• e enjte, 09 prill 2026

Avokati i Popullit bëri thirrje për integrim të përshpejtuar dhe mundësi të barabarta për romët

Avokati i Popullit bëri thirrje për integrim të përshpejtuar dhe mundësi të barabarta për romët

Shkup, 8 prill 2026 (MIA) - Me rastin e 8 prillit - Ditës ndërkombëtare të romëve, Avokati i Popullit, Faton Selami bëri thirrje për tejkalimin e stereotipeve, heqjen e segregacionit dhe sigurimin e mundësive të barabarta për anëtarët e komunitetit rom, duke theksuar se arsimi është kyç për integrimin e tyre të plotë në shoqëri. 

Në njoftimin Selami thekson se barazia dhe qasja në të gjitha të drejtat dhe shërbimet që garanton shteti duhet të jenë parim që vlen për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.

"Barazia, qasja në gjithçka që garanton shteti, duhet të jetë një parim që do të vlejë për të gjithë, pa dallim se cilës bashkësi etnike i përkasin. Segregacionin në shkolla dhe diskriminimin duhet t’i lëmë shumë pas nëse duam të flasim për një shoqëri multikulturore", thekson ai.

Avokati i Popullit theks të veçantë vendos te arsimi si faktor kyç për përmirësimin e kushteve të jetesës së komunitetit rom.

"Vendi i fëmijëve romë është në bankat e shkollës, jo në rrugë, siç tregojnë për fat të keq hulumtimet tona. Pikërisht për këtë arsye, çdo faktor në shtetin tonë duhet të angazhohet maksimalisht që kjo gjendje të tejkalohet", shtoi ai. 

Selami vlerëson se pikërisht përmes një procesi arsimor cilësor dhe gjithëpërfshirës hapet rruga drejt integrimit të plotë të të gjitha komuniteteve etnike, përfshirë edhe romët. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR