Avancimi i bashkëpunimit bilateral dhe mbështetja për eurointegrimet, në fokus të vizitës së ministrit Mucunski në Paris
- Në kuadër të vizitës së punës në Paris, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski ka zhvilluar takime të ndara me kryetaren e Grupit ndërparlamentar për miqësi midis Francës dhe Ballkanit Perëndimor, senatoren Marta de Sidrak dhe me këshilltarin e presidentit francez Emanuel Makron për Evropën kontinentale dhe Turqinë, Bertrand Bishvalter.
- Post By Fami Bajrami
- 15:05, 6 qershor, 2025
Shkup, 6 qershor 2025 (MIA) - Në kuadër të vizitës së punës në Paris, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski ka zhvilluar takime të ndara me kryetaren e Grupit ndërparlamentar për miqësi midis Francës dhe Ballkanit Perëndimor, senatoren Marta de Sidrak dhe me këshilltarin e presidentit francez Emanuel Makron për Evropën kontinentale dhe Turqinë, Bertrand Bishvalter.
Në takimin në Senatin francez, siç informon MPJTJ u theksua rëndësia e diplomacisë parlamentare në ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse midis dy vendeve. U diskutua perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut dhe e rajonit, si dhe mundësitë për avancimin e bashkëpunimit parlamentar dhe thellimin e lidhjeve politike dhe ekonomike. Theks i veçantë është vënë në mbështetjen e vazhdueshme nga pala franceze për eurointegrimet e Maqedonisë.
Në takimin me këshilltarin Bishvalter, thonë nga MPJTJ janë hapur çështje me interes të përbashkët, duke përfshirë sfidat aktuale gjeopolitike në Evropë, rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, partneritetin dhe kontributin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në kuadër të Aleancës së NATO-s, si dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në kontekstin e stabilitetit evropian dhe rajonal.
Ministri Mucunski ka riafirmuar orientimin strategjik të vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe angazhimin e vazhdueshëm ndaj proceseve reformuese dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Njëherësh është konfirmuar roli i rëndësishëm i Francës si një mbështetës i fortë i perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe të rajonit, me një vendosmëri të fortë për të vazhduar këtë mbështetje me intensitet të pazvogëluar edhe në periudhën e ardhshme.
Foto: MPJTJ