• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

ATSH: Konferencë shkencore ndërkombëtare për gjuhën shqipe në nëntor në Manastir

ATSH: Konferencë shkencore ndërkombëtare për gjuhën shqipe në nëntor në Manastir

Tiranë, 9 gusht 2024 (MIA) - Akademia e Shkencave të Shqipërisë shpalli thirrjen për pjesëmarrje në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare "Zhvillimi i arsimit kombëtar dhe i gjuhës shqipe", informon agjencia telegrafike shqiptare - ATSH.

"Thirrja bëhet për pjesëmarrje me kontribut shkencor. Propozimet mund të dërgohen drejtpërsëdrejti në adresën e komitetit shkencor-organizues ose në Akademinë e Shkencave, e cila do të mbështesë pjesëmarrësit në konferencën, e cila do të zhvillohet gjatë muajit nëntor, në mjediset e Muzeut të Alfabetit në Manastir", bën të ditur Agjencia.

Kjo konferencë mbahet në kuadër të "veprimtarive nderuese për përvjetorin e Kongresit historik të Manastirit dhe të festës zyrtare të shqipes në Maqedoninë e Veriut".

Gjatë ditëve të veprimtarisë, Akademia e Shkencave do të paraqesë për herë të parë (në Tiranë) publikisht në mënyrë tërësore realizimin e projektit shkencor madhor për "Fjalorin e madh të shqipes".

Viti 2024 në Shqipëri është shpallur "Vit i gjuhës shqipe", ndërsa 22 nëntori, dita e fundit e Kongresit të Manastirit, është vendosur të shpallet festë zyrtare e shqipes, bën të ditur ATSH.

Shton se Akademia e Shkencave e Shqipërisë është bashkorganizuese e veprimtarisë. Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe Agjencia e Zbatimit të Dygjuhësisë, janë në rolin e mikpritësit dhe organizatorë kryesorë të saj, me pjesëmarrjen e disa universiteteve në Shqipëri e Maqedoni të Veriut.

Kongresi i Manastirit u mbajt nga 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908, me qëllim që të standardizohet alfabeti shqiptar ndërsa 22 nëntori shënohet si Dita e Alfabetit Shqiptar. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR