ASH e Taravarit: MPB-ja po përgatit sistematizim të ri të vendeve të punës që cenon statusin institucional të qyteteve Strugë, Dibër dhe Kërçovë
- Aleanca për Shqiptarët ndjen obligim publik dhe institucional të reagojë fuqishëm ndaj informatave serioze që po qarkullojnë në opinion, sipas të cilave Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme, po përgatit ndryshime ligjore dhe një sistematizim të ri të vendeve të punës, të cilat drejtpërdrejt dhe në mënyrë të dëmshme cenojnë statusin institucional të qyteteve Strugë, Dibër dhe Kërçovë, theksoi në konferencën e sotme për shtyp Njomza Asani Shaqiri, zëdhënëse e Aleancës për Shqiptarët e Arben Taravarit.
- Post By Sara Ademi
- 15:13, 19 janar, 2026
Shkup, 19 janar 2026
Aleanca për Shqiptarët ndjen obligim publik dhe institucional të reagojë fuqishëm ndaj informatave serioze që po qarkullojnë në opinion, sipas të cilave Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme, po përgatit ndryshime ligjore dhe një sistematizim të ri të vendeve të punës, të cilat drejtpërdrejt dhe në mënyrë të dëmshme cenojnë statusin institucional të qyteteve Strugë, Dibër dhe Kërçovë, theksoi në konferencën e sotme për shtyp Njomza Asani Shaqiri, zëdhënëse e Aleancës për Shqiptarët e Arben Taravarit.
Sipas këtyre ndryshimeve, Njësia për Punë të Brendshme Strugë–Dibër–Kërçovë parashihet të degradohet në njësi të kategorisë së dytë, duke humbur kompetencat themelore operative, strukturën komanduese dhe autonominë funksionale. Të gjitha kompetencat parashihet të transferohen nën juridiksionin e Sektorit për Punë të Brendshme në Ohër.
Ky riorganizim administrativ nuk është thjesht një çështje teknike. Ai prodhon pasoja të rënda politike, institucionale dhe shoqërore. Konkretisht, në qytete me shumicë shqiptare nuk parashihen më pozita kyçe drejtuese në strukturat e sigurisë, si:
– kryeshef i policisë,
– kryeshef i njësisë për luftimin e krimit,
– zëvendëskomandant në stacionet policore.
Heqja sistematike e këtyre pozitave përbën një goditje serioze ndaj përfaqësimit institucional të shqiptarëve dhe një rrezik real për sigurinë lokale dhe besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore.
Veçanërisht shqetësues është edhe emërimi i kryeshefit të Sektorit Rajonal për Kufirin të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me seli në Ohër. Pas më shumë se dy dekadash përfaqësimi shqiptar në këtë pozitë, në vitin 2025 emërohet një kuadër maqedonas nga Kërçova, duke injoruar plotësisht parimin e vazhdimësisë së përfaqësimit të drejtë dhe realitetin demografik.
Ky veprim nuk është i izoluar dhe as i rastësishëm. Ai cenon drejtpërdrejt parimet kushtetuese të barazisë, përfaqësimit adekuat dhe bashkëjetesës ndëretnike, dhe njëkohësisht minon besimin ndërmjet komuniteteve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në këtë kontekst, Aleanca për Shqiptarët u bën thirrje të drejtpërdrejtë përfaqësuesve të koalicionit VLEN që të marrin përgjegjësinë politike që u takon, të reagojnë pa vonesë dhe të pozicionohen qartë në mbrojtje të interesave të qytetarëve shqiptarë në Strugë, Dibër dhe Kërçovë.
Heshtja në këtë rast nuk është neutralitet — heshtja është bashkëpërgjegjësi.
Aleanca për Shqiptarët nuk do të lejojë që përmes vendimeve administrative apo manovrave politike të zhbëhet përfaqësimi institucional i shqiptarëve dhe të nëpërkëmbet parimi i barazisë në këtë shtet.
Faleminderit.
Foto: Aleanca për Shqiptarët