• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Asani: Me pastërtinë e ndërgjegjes krijojmë pasqyrën morale

Asani: Me pastërtinë e ndërgjegjes krijojmë pasqyrën morale
Shkup, 8 nëntor 2022

Edhe ky evokim që po e shënojmë këtu në ITSHKSH le të jetë një pasqyrë që reflekton dritën e arsyes, si një udhërrëfim për të trejkaluar çdo keqkuptim dhe paragjykim. Dhe kjo mund të arrihet nëse shoqëritë tona në Ballkan, lirohen nga konceptet e deplasuara të shekullit të kaluar.Kriteri i parë që e shquan një shoqëri të civilizuar dhe të liruar nga paragjykimet, është evokimi i ngjarjeve të së kaluarës dhe nxjerrja mësim prej tyre. Edhe ky evokim i yni i sotëm e ka këtë funksion, me çka ITSHKSH vazhdon traditën e shënimit të ngjarjeve të rëndësishme që lanë gjurmë në shiritin e kohës.Në natën në mes të 9 dhe 10 nëntorit 1938, ndodhi një ngjarje e tmerrshme në Gjermani kur nazistët gjermanë sulmuan hebrenjtë dhe pronat e tyre. Kjo ngjarje e njohur si Kristallnacht ("Nata e kristaltë") u memorua thellë në kujtesën e njerëzimit, jo vetëm për shkak të dimensionit të saj tragjik për jetën e mijëra hebrenjve në Gjermaninë e atyre viteve, por edhe për shkak të një paralajmërimi fatkob që po pritej të ndodhte në prag të vendosjes së diktaturës fashiste, që ndryshe mund të quhet edhe Muzgu i qytetërimit që po i kanosej Evropës dhe pjesëve të tjera të botës.Siç dihet, emri Kristallnacht i referohet në mënyrë ironike mbeturinave të xhamit të thyer që u shpërndanë në rrugë pas këtyre masakrave të kryera mbi hebrenjtë, të cilat kanë  vazhduar edhe pas 10 nëntorit të vitit 1938.Shtëpitë, spitalet dhe shkollat e hebrenjve u plaçkitën ndërsa sulmuesit shkatërruan 267 sinagoga në të gjithë Gjermaninë, Austrinë. Mbi 7,000 biznese hebraike u dëmtuan ose u shkatërruan, dhe 30,000 burra hebrenj u arrestuan dhe u burgosën në kampet e përqendrimit.Ata që janë të etshëm për dhunë të shfrenuar, gjithmonë kanë nevojë për një alibi. Dhe alibia për masakrën e “Natës së kristaltë” ishte vrasja në Paris më 7 nëntor e diplomatit gjerman Ernst vom Rath nga një student polako-hebre, Herschel Grynszpan. Lajmi për vdekjen e Rath-it më 9 nëntor arriti në zyrën e  Adolf Hitler në Mynih, ku ai po festonte përvjetorin e puçit të dështuar të Beer Hall të v. 1923. Atje, Ministri i Propagandës Joseph Goebbels, pasi bisedoi me Hitlerin, organizoi një mbledhje të jashtëzakonshme me militantë nazistë, duke kërkuar që hakmarrjet e dhunshme të organizuara të shfaqeshin si "demostrata spontane", të cilat pastaj u shndërruan në masakra antihebraike në të gjithë Gjermaninë, por u zgjeruan edhe në Austri.Historianët dhe studiuesit e ndryshëm të nazizmit, Kristallnacht e shohin  si një prelud për Zgjidhjen Përfundimtare të çështjes hebraike, por edhe si përgatitje terreni në planin propagandistik për vrasjen e gjashtë milionë hebrenjve gjatë Holokaustit.Ne sot po evokojmë “Natën e kristaltë” bashkë me studentët e dy fakulteteve tona juridike në Shkup dhe në Tetovë, me çka duam të vendosim një vijë të kuqe në mes të drejtësisë dhe padrejtësisë, në mes të mirës dhe të keqes, në mes të dashurisë dhe urrejtjes dhe, kush më mirë se këta jurist të ardhshëm, do të mund t’i vendosin këto standarde në shoqërinë tonë. Ata nesër do të bëhen udhëheqës të institucioneve të rëndësishme shtetërore dhe prej tyre pritet që të valorizojnë përvojat dhe dijet më të avancuara në funksion të shtetit të së drejtës, në funksion të një shoqërie të hapur pa xhama të thyer dhe pa netë të trazuara.Njerëzimi gjithmonë ka nevojë për shembuj që nxisin sensin e pastrimit të vetvetes nga e keqja. Edhe shoqëria gjermane kaloi nëpër këtë katarsë të madhe shpirtërore e morale, duke vendosur linja distancimi nga e kaluara e errët në favor të ardhmërisë e cila përvojat e këqija i shndërron në modele bashkëpunimi e mirëkuptimi. Kur kujtesa negative e një populli ndërtohet mbi ndjenjën e ndërgjegjësimit dhe pastrimit moral nga mbetjet e së kaluarës, atëherë një shoqëri e tillë është e denjë të quhet e civilizuar.Nëse secili nga ne e luftojmë të keqen brenda nesh, dhe nëse tjetrin e trajtojmë me përkujdesje njerëzore, siç vepruan disa familje shkupjane gjatë periudhës së LDB, kur hebrenjtë rrezikoheshin  nga dora vrastare naziste,  atëherë asnjëri nga ne nuk do të ketë nevojë për avokatë për të na mbrojtur nga padrejtësitë, sepse avokati më i mirë për njeriun human është ndërgjegjja e pastër e tij. Guximi dhe sakrifica për të shpëtuar hebrenjtë gjatë LDB, mund të merret si model edhe nga politikanët, të cilët kanë nevojë t’i projektojnë vizionet e tyre mbi sensin e vetëmohimit për të mirëqenien dhe sigurinë e tjetrit. Me pastërtinë e ndërgjegjes ne krijojmë pasqyrën morale ku mund ta shikojmë vetveten, prandaj edhe ky evokim që po e shënojmë këtu në ITSHKSH le të jetë një pasqyrë që reflekton dritën e arsyes, si një udhërrëfim për të tejkaluar çdo keqkuptim dhe paragjykim. Dhe kjo mund të arrihet nëse shoqëritë tona në Ballkan, lirohen nga konceptet e deplasuara të shekullit të kalur ku edhe historia fashiste e ideologëve të caktuar ende trajtohet aty këtu si një eveniment i rrallë kulturor. Edukimi i brezave nuk mund të bëhet me doktrina të vjetra që në thelb patën mohimin e tjetrit._______________________________________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

QËNDRONI TË LIDHUR