Arsovska me 3.200 faqe prova për ndërtimet pa leje në Çair: "Ndërtohen ndërtesa pa asnjë denar të paguar ndaj qytetit"
- Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska sot deklaroi se nga Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit është dorëzuar dokumentacion i gjerë prej 3.200 faqesh lidhur me procedurat e dyshimta për legalizimin dhe ndërtimin e objekteve në Komunën e Çairit.
- Post By Ramize Qamili
- 16:46, 31 korrik, 2025
Shkup, 31 korrik 2025 (MIA) - Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska sot deklaroi se nga Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit është dorëzuar dokumentacion i gjerë prej 3.200 faqesh lidhur me procedurat e dyshimta për legalizimin dhe ndërtimin e objekteve në Komunën e Çairit.
Në brifingun me gazetarët ajo në detaje dha shpjegim mbi dokumentacionin i cili përmbante prova të falsifikuara, duke përfshirë edhe deklaratat e nënshkruara nga persona të cilët ishin të mitur në kohën e ndërtimit të supozuar.
"Bëhet fjalë për ndërtesa të cilat janë ndërtuar tani, në momentin që flasim, pa asnjë dokument, pa projekt, pa statistikë, pa asnjë denar të paguar ndaj qytetit. Ata janë objekte të mëdha të cilat nuk mund të fshihen, as në xhep të vendosen", deklaroi Arsovska, duke potencuar se bëhet fjalë për "operacion të qartë për larje parash".
Arsovska reagoi ashpër edhe ndaj akuzave për sfond politik pas ngjarjes, duke potencuar se kallëzime të ngjashme penale ishin ngritur edhe në komuna të tjera pa u problematizuar dimensioni politik.
Në lidhje me paralajmërimin e kryetarit të komunës së Çairit, Visar Ganiu se do ta padisë, Arsovska u përgjigj se është e gatshme të përballet me atë.
"Do të isha e lumtur të përballem me të gjitha këto dëshmi, kudo dhe në çdo platformë", tha kryetarja e Qytetit.
Shtoi se në asnjë komunë tjetër në Shkup nuk janë regjistruar vepra të kësaj shkalle.
"Në nëntë komunat e tjera janë paguar shërbimet komunale, janë dorëzuar dokumentacione të projektit, janë paguar shumat përmes të cilave qyteti i mbledh mjetet. Në Çair nuk ka asnjë nga këto", ka thënë Arsovska.
Në fund, ajo paralajmëroi se përderisa institucionet nuk veprojnë, do të krijohet precedent i rrezikshëm.
Nëse nuk ka sanksione, sot keni 50 ndërtesa që po ndërtohen. Nesër do të keni edhe 50 të tjera. Atje jetojnë njerëz, jo numra. Dhe ata njerëz nuk meritojnë të jetojnë në ndërtesa 12 katëshe pa garanci për sigurinë e tyre", tha ajo.
Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit tashmë po vepron sipas veprës penale të paraqitur nga kryetarja e Qytetit, Arsovska për ndërtimin pa leje në Çair. Sipas informacioneve, policia, me urdhër të prokurorisë dhe gjykatës, tashmë ka sekuestruar dokumentacion nga Komuna e Çairit dhe Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, ndërsa prokuroria krahason të dhënat me institucione të tjera për të përcaktuar vepra të mundshme penale.
Në përgjigjen e pyetjeve të gazetarëve pas brifingut në të cilin sqaroi rastin e ndërtimeve pa leje, Arsovska deklaroi se nuk planifikon të kandidojë përsëri për kryetare të Qytetit të Shkupit dhe dha pasqyrë të punës së saj deri më tani. Ajo theksoi se ka realizuar mbi 900 projekte, prej të cilave 250 janë projekte kapitale pavarësisht, siç tha "obstruksioneve serioze nga Këshilli i Qytetit të Shkupit". rq/
Foto: MIA