• e enjte, 27 mars 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Arritën mjetet e para në shumë prej 52,4 milionë euro nga Instrumenti për reforma dhe rritje nga BE-ja për vendin, 24,4 milionë euro për mbështetje buxhetore

Arritën mjetet e para në shumë prej 52,4 milionë euro nga Instrumenti për reforma dhe rritje nga BE-ja për vendin, 24,4 milionë euro për mbështetje buxhetore

Shkup, 24 mars 2025 (MIA) - Maqedonia e Veriut i mori mjetet e para në shumë prej 52,4 milionë eurove, nga parafinancimi në kuadër të Instrumentit për reforma dhe rritje nga BE-ja, prej të cilave 24,4 për mbështetje buxhetore dhe tashmë i janë paguar Ministrisë së Financave.

"Arritën mjetet e para nga parafinancimi në kuadër të Instrumentit prë reforma dhe rritje nga BE-ja për vendin, në vlerë prej 52,4 milionë euro, përkatësisht shtatë për qind nga vlera e përgjithshme e mbështetjes financiare e cila për vendin tonë është 750 milionë euro. Kjo pagesë është në bazë të kërkesës për parafinancim për të cilin në nëntor të vitit të kaluar njoftuam se si koordinues nacional për agjendën reformuese e nënshkrova dhe ia parashtrova KE-së. Me këtë, Maqedonia e Veriut u bë vendi i parë në rajon që i mori këto mjete pasi që paraprakisht i përfundoi procedurat juridike, ndërsa kjo do të thotë se Marrëveshja për kredi dhe Marrëveshja për grant tashmë kanë hyrë në fuqi", informoi sot në konferencë për shtyp ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani.

Lajmi i dytë i rëndësishëm lidhur me Agjendën reformuese, siç shton ministri Murtezani, është që më 14 mars, të këtij viti, KE-së në afatin e paraparë ia parashtroi kërkesën e parë për lirim të mjeteve shtesë në shumë prej 17,1 milionë euro për implementim të hapave reformues me afat të fundit - dhjetori 2024, i cili më pas u vazhdua nga ana e KE-së deri në shkurt të vitit 2025. Këto reforma përfshinin: miratimin e Ligjit për kontroll të brendshëm financiar, miratim të akteve nënligjore nga Ligji për buxhete, operacionalizimin e strukturave për tranzicion të drejtë dhe miratim të Planit për vitin 2025, ndryshime në Ligjin për shoqatat tregtare në pjesën e kritereve për zgjedhje të anëtarëve në bordet mbikëqyrëse dhe drejtuese dhe në pjesën e plotësimit juridik të vendeve të zbrazëta në gjyqësi dhe prokurori. 

Nga 17,1 milionë euro, 7,96 milionë euro janë për mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore, ndërsa të tjerat - 9,11 milionë euro për projekte investuese përmes fondit të përbashkët të kornizës investuese për Ballkanin Perëndimor.

"Këto mjete do të jenë të kapshme, pasi që Komisioni të përfundojë vlerësimin për përmbushjen e reformave për çka në dispozicion ka 90 ditë pune", theksoi Murtezani.

Në pyetjen e gazetarëve ministri i Çështjeve evropiane theksoi se nga shuma prej 52,4 milionë euro 24,4 tashmë janë në llogarinë e Ministrisë së Financave në Bankën Popullore, 15 milionë janë grant dhe janë zhvendosur në Fondin investues për BP (ËBF), ndërsa të tjerat - 13 milionë euro për kredi dhe janë në procedurë për pagesë, ndërkaq gjithashtu janë zhvendosur në Fondin investues për BP. 

Ai shtoi se punohet intensivisht në realizimin e hapave për përmbushjen e periudhës deri në qershor të këtij viti, për aktivitetet e të cilit janë planifikuar rreth 70.6 milionë euro.

“Këto hapa parashohin aktivitete në fusha të rëndësishme si përmirësimi i sigurisë kibernetike, transpozimi i plotë i direktivave të tregut evropian të energjisë, miratimi i ligjit të ri për komunikimet elektronike, përmirësimi i menaxhimit të dokumenteve elektronike dhe materialeve arkivore, si dhe rritja e numrit të inspektimeve nga inspektoriati i tregut dhe i punës me fokus në ndërtim, turizëm dhe reforma të mëtejshme në sektorin e gjyqësisë", ka thënë Murtezani.

Ai ka thënë se procesi i integrimit evropian mbetet prioritet kyç strategjik i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. 

“Unë, së bashku me ekipin profesional  në Ministrinë  për Çështje Evropiane, me vendosmëri këmbëngulim që procesin e integrimit në BE, ta realizojmë me nivelin e profesionalizmit dhe përkushtimit më të lartë. Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian, përmes këtij mekanizmi i cili ofron ndihmë financiare shtesë, përveç asaj tanimë ekzistuese, dërgon mesazh të qartë për besim dhe partneritet në kapacitetin tonë reformues, i cili edhe më shumë na inkurajon dhe na jep forcë për të vazhduar me punën tone”, ka thënë Murtezani.

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR