• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Arrihet marrëveshje midis Qeverisë dhe sindikatave, pagat në sektorin publik në shtator do të rriten për 10 për qind ndërsa të punësuarit do të marrin edhe K-15

Arrihet marrëveshje midis Qeverisë dhe sindikatave, pagat në sektorin publik në shtator do të rriten për 10 për qind ndërsa të punësuarit do të marrin edhe K-15

Shkup, 10 korrik 2023 (MIA) - Sindikatat dhe Qeveria sot arritën marrëveshje për rritjen e pagave dhe për metodologjinë e rritjes së pagave në sektorin publik. Pagat në sektorin publik nga 1 shtatori do të rriten për 10 për qind, ndërsa të punësuarit do të marrin regres prej 10 mijë denarësh, i cili nga viti 2024 do të jetë 30 për qind e pagës mesatare neto të vitit paraprak. Me metodologjinë e re fitohet zgjidhje sistematike për harmonizimin e pagave, me të cilën nuk do të ketë nevojë më për negociata ndërsa pagat e të punësuarve në sektorin publik nga marsi 2025 do të rriten për një përqindje të konsiderueshme.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska deklaroi se është arritur marrëveshje për nënshkrimin e marrëveshjes së përgjithshme kolektive dhe për të gjitha ato çështje kontestuese të cilat me muaj shtjellohen me përfaqësuesit e sindikatave.

"U dakorduam se metodologjia e re për përllogaritjen e pagave për të punësuarit në sektorin publik do të fillojë nga marsi i vitit 2025. Me pagën e shtatorit 2023 do të jetë rritja prej 10 për qind e pagave në sektorin publik, K-15 deri në fund të dhjetorit 2023 në lartësi prej 10.000 denarësh, ndërsa në marrëveshjen e përgjithshme kolektive do të jetë dispozita për pagesën e K-15 prej vitit 2024 të jetë së paku 30 për qind e lartësisë së pagës mesatare vitin e kaluar", publikoi në deklaratën për mediat pas takimit Trençevska.

Shtoi se Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive parasheh metodologji për rritjen e pagave të të punësuarve në sektorin publik, paga mesatare me koeficient do të fillojë në mars të vitit 2025 dhe prandaj në vitin 2023 do të ketë rritje të pagave prej 10 për qind për të punësuarit në sektorin publik, ndërsa K-15 është rritur në shumë prej 10.000 denarësh, ndërsa në vitin 2024, regresi për pushim vjetor apo K-15 do të jetë së paku 30 për qind e rritjes së pagës mesatare.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, deklaroi se në përgjithësi është arritur marrëveshje për reforma lidhur me sistemin e rregullimit të pagave me atë që do të ketë rritje të pagave prej 10 për qind për këtë vit duke filluar nga shtatori dhe K-15 për këtë vit prej 10 mijë denarësh, ndërsa nga viti 2024 do të jetë 30 për qind të neto pagës mesatare.

"Dhe kjo vlen për të gjithë, ndërsa aty ku do të ketë dallime do të ketë harmonizim, do të thotë lidhur me rritjen, kjo do të vlejë për të gjitha institucionet në vend. Edhe një gjë e rëndësishme, do të thotë në këtë pjesë pagat i rregullojmë në mënyrë sistematike ndërsa jemi duke e rregulluar edhe K-15. Pas procedurës së nënshkrimit të Marrëveshjes së përgjithshme kolektive ne nga shtatori do të shkojmë me ribalancin e buxhetit dhe kjo të hyjë edhe në buxhetin për vitin 2025", potencoi ministri Besimi.

Lidhur me pyetjen nëse do të mbeten pagat e rritura të funksionarëve, Besimi tha se Qeveria tashmë e ka dhënë qëndrimin e vet rreth kësaj çështjeje.

Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafillov, pas takimit deklaroi se për ta e rëndësishme është ajo që përfundimisht u përcaktua metodologjia me të cilën asnjë funksionar qeveritar më nuk do të ketë të drejtë të ndikojë në mënyrën e përcaktimit të pagave të të punësuarve në sektorin publik.

"Nëse e marrim parasysh se arritëm që paga mesatare të jetë me koeficient të ndërlikueshmërisë kur do ta përcaktojmë gjatë periudhës së ardhshme në sektorin publik nga marsi 2025 do të rriten për një përqindje të konsiderueshme dhe do të thotë se vërtetë kemi bërë diçka të mirë bashkërisht", tha Trendafillov.

Sipas tij, inkurajon ajo se që në shtator asnjë punëtor nuk do të jetë me pagë minimale, ajo që ishte vërejtja më e madhe e të punësuarve gjatë periudhës së kaluar dhe potencoi se do të përpiqen ta arrijnë edhe me të punësuarit në sektorin privat përmes negociatave me organizatën e punëdhënësve.

"Është mjaft mirë që përcaktuam regres përfundimtar për pushim vjetor. E rregulluam një padrejtësi të madhe ndaj të punësuarve në sektorin publik veçanërisht në shëndetësi të cilët asnjëherë deri më tani nuk kanë marrë regres për pushim vjetor", tha kryetari i LSM-së.

Zëvendëskryeministri përgjegjës për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi këtë marrëveshje e vlerësoi si marrëveshje historike me të cilën do të harrohen shprehitë e vjetra të negociimit dhe shantazhet.

"Vlerësoj se, atë që duhej ta bënim e bëmë, ndërsa ajo është që çdo të punësuari në sektorin publik i cili do të vendos t'u shërbejë qytetarëve e di se çfarë të ardhme mund të ketë lidhur me pagat dhe se ky është një hap i cili mendoj se jo vetëm ne por edhe të gjitha qeveritë e tjera më tej në shtet por edhe në rajon do ta marrin si shembull se si të zgjidhen problemet me sindikatat", tha Bytyqi.

Lidhur me çështjen për matjen e produktivitetit në sektorin publik dhe nëse kjo nënkupton se do të bëhet pastrim në institucione, zëvendëskryeministri Bytyqi vlerëson se hapi i radhës për të cilin do të hapet diskutim me sindikatat, është pikërisht ky optimizim në sektorin publik dhe do të jetë hapi që duhet të bëhet.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR