• e shtunë, 23 nëntor 2024

Armata izraelite i ka mbyllur territoret palestineze para festës Pas'ha, pas konfliktit në Jerusalem

Armata izraelite i ka mbyllur territoret palestineze para festës Pas'ha, pas konfliktit në Jerusalem
Jerusalem, 15 prill 2022 (MIA) - Armata izraelite këtë pasdite i ka mbyllur vendkalimet kufitare drejt Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës gjatë kohës kur druhet nga një dhunë e re pas përleshjeve këtë mëngjes mes policisë izraelite dhe protestuesve palestinezë në vendin e shenjtë në Jerusalem. Territoret palestineze zakonisht janë të mbyllura gjatë festave në Izrael, por këtë vit tensionet janë rritur sepse përputhen muaji i shenjtë i Ramazanit, Pa'ha hebraike dhe Pashkët. Tensionet janë rritur për shkak të sulmeve të paradokohshme të palestinezëve nga Bregu Perëndimor dhe arabëve izraelitë në Izrael, në të cilat kanë humbur jetën 14 persona. Forcat izraelite të sigurisë kanë zbatuar bastisje të madhe në Bregun Perëndimor pas sulmit të fundit në qendër të Tel Avivit të enjten javën e kaluar. Gjithsej 25 palestinezë kanë humbur jetën në përleshjet që shpërthyen gjatë arrestimeve të të dyshuarve për sulmin. Mbi 150 palestinezë dhe tre policë izraelitë janë lënduar në trazirat e sotme, më të mëdhatë për pothuajse një vit, që kanë shpërthyer pranë xhamisë Al Aksa. Janë arrestuar 400 njerëz, por namazi i xhumasë, në praninë e pothuajse 60.000 besimtarëve i mbajtur më vonë, ka kaluar relativisht qetë, njoftojnë mediat izraelite. Në më pak se një kilometër, mijëra krishterë, që i festojnë Pashkët sipas Kalendarit gregorian, e kanë kremtuar Të Premten e madhe. Territoret palestineze do të jenë të mbyllura deri në mesnatën e së dielës, ndërsa Pas'ha fillon sonte dhe do të përfundojë pas një jave. Zyrtarët e sigurisë do të vendosin nesër në mbrëmje nëse bllokada e territoreve palestineze do të mbetet në fuqi gjatë gjithë festës. Kryeministri izraelit Naftali Benet deklaroi se autoritetet po punonin për të qetësuar situatën në të gjithë vendin dhe në Kodrën e tempullit, siç e quajnë hebrenjtë vendin e shenjtë në Jerusalem. “Në të njëjtën kohë, ne jemi gati për çdo skenar”, tha Benet. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR