• e mërkurë, 17 korrik 2024

Anulohet procedura për furnizim, montim dhe lëshim në punë të sistemit për ajër të komprometuar për sallat e operacioneve në klinikat kirurgjikale

Anulohet procedura për furnizim, montim dhe lëshim në punë të sistemit për ajër të komprometuar për sallat e operacioneve në klinikat kirurgjikale

Shkup, 16 korrik 2024 (MIA) - Është anuluar procedura për furnizim, montim dhe lëshim në punë të sistemit për ajër të komprometuar për sallat e operacioneve në klinikat kirurgjikale sepse nuk ka mbërritur asnjë ofertë, informuan për MIA-n nga Institucioni Publik nga lëmia e shëndetësisë për nevojat e ISHP KU, enti dhe qendra urgjente - Shkup.

Bëhet fjalë për problemin me kompresorët në disa salla kirurgjikale në Qendrën Klinike në Shkup. Përfaqësues të një firme gjermane ishin për vizitë me qëllim që të kryejnë hetim. 

"Sipas afateve të përcaktuara në Planin operativ të dorëzuar në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, më 28.06.2024, në faqen e Sistemit Elektronik për Furnizime Publike (SEFP) ishte publikuar  procedurë e thjeshtësuar për furnizim publik të punëve - furnizim, montim dhe lëshim në punë të sistemit për ajër të komprometuar, shpallja numër 10891/2024. Afati i fundit për dorëzimin e ofertave ishte 15.07.2024 deri në orën 11:00. Vlera e procedurës ishte 18.644.068 denarë pa TVSH", sqarojnë nga atje. 

Në dokumentacionin e tenderëve ishte paraparë vizitë e detyrueshme në lokacionin për shkak të rëndësisë së vetë furnizimit për shëndetin dhe sigurinë e pacientëve. 

"Vizita në lokacion kërkuan tre operatorë ekonomikë dhe të njëjtëve u ishte mundësuar vizitë në atë lokacion. Për ne për shkaqe të panjohura, deri në ditën e hapjes nuk ka mbërritur asnjë ofertë", shtojnë kompetentët.

Ata sot morën vendim për anulimin e procedurës, për çka ishin informuar Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë. Ishin kërkuar udhëzime të mëtutjeshme për veprim. 

Në maj, u kërkua se ku qëndron defekti dhe prej ku përhapet era e pakëndshme në disa salla operacionale. Një periudhë të caktuar kohore, pacientët dërgoheshin edhe në SPQ "8 Shtatori" dhe në Klinikën Universitare për Sëmundje Kirugjike "Shën Naumi i Ohrit". 

Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari më 1 korrik deklaroi se tashmë është shpallur tender për kompresorët për sallat kirurgjikale të Qendrës Klinike në Shkup, por edhe se nëse është e nevojshme do të mundohet të gjejë mënyrë për të rinovuar edhe sallat në spitalin "8 Shtatori".

"Dalëngadalë po gjendet një zgjidhje për problemin me sallat e kirurgjisë së Qendrës Klinike. Tashmë është shpallur tender për kompresorët që nuk punojnë. Koha maksimale deri në të cilën ato duhet të riparohen dhe të përfundojnë dhe të kthehen në funksionim shpresoj të jetë fundi i dhjetorit. Ndërkohë do të insistojmë nëse është e mundur që të funksionojnë sa më shpejt sallat në Kirurgji në Qendrën Klinike", deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, i cili pati takim me gazetarët.

I pyetur për rinovimin e sallave të kirurgjisë në SPQ “8 Shtatori”, ai tha se nuk kishte qenë aty, por kishte dëgjuar se sallat nuk janë në gjendje të mirë.

"Definitivisht edhe në Qendrën Klinike kur kam qenë në salla, vërtet nuk duken mirë. Unë nuk kam qenë në “8 Shtatori” për të parë sallat, por më thonë se as atje nuk janë në gjendje të mirë. Megjithatë, më duhet të konsultohem edhe me financat për të parë si qëndrojmë me burimet financiare. Nëse marr leje, shpresoj sa më shpejt që të mundem, nuk mund të them një afat tani, sepse duhet të shoh se cilat janë mundësitë. Do të provoj sa më shpejt në Qendrën Klinike dhe në "8 Shtatori", nëse do të kemi një mënyrë për të menaxhuar disi pagesën në disa vite do të insistoj që edhe atje të përfundojmë ose të fillojmë me renovimet", u përgjigj Taravari. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR