Anulohet gjykimi për lëndën Target-Fortesa
- Në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit sot është shtyrë gjykimi për lëndën "Target-Fortesa", në procedurë të përsëritur, pasi njëri nga avokatët e të akuzuarve ka dorëzuar dokumentacion mjekësor se është me pengesa shëndetësore për shkak të një operacioni.
- Post By Sara Ademi
- 11:31, 13 shtator, 2023
Shkup, 13 shtator 2023 (MIA) - Në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit sot është shtyrë gjykimi për lëndën "Target-Fortesa", në procedurë të përsëritur, pasi njëri nga avokatët e të akuzuarve ka dorëzuar dokumentacion mjekësor se është me pengesa shëndetësore për shkak të një operacioni.
Siç informoi kryetari i Këshillit Gjyqësor, gjyqtari Ilija Trpkov, ai ka qenë avokati Petar Vasilevit, por në seancën e sotme nuk ka qenë i pranishëm as prokurori publik. Gjyqi u shty për më 19 shtator.
Në aktgjykimin fillestar për përgjimet masive të paligjshme, të pandehurit janë dënuar gjithsej me 55 vjet burg, nga të cilat 12 vjet për ish kreun e DSK-së, Sasho Mijalkov, për veprat penale "bashkim kriminal", "keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar" dhe "marrja e një shpërblimi për ndikimin e paligjshëm". Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski morën nga 15 vjet, gjashtë vjet iu dhanë Toni Jakimovskit, katër vjet Gordana Jankullovskës dhe tre Nadica Nikoliqit. Dënime me kusht me dy vjet burg janë shqiptuar për Marian Shumulikoski, Vladimir Varelov, Vasil Isakoski, Valentina Simonoska dhe Silvana Zllatova.
Sipas aktakuzës së parë, përmes tre sistemeve për ndjekjen e komunikimeve në DSK, në periudhën nga viti 2008 deri më 2015 në mënyrë joligjore janë përgjuar 4.286 numra telefoni për të cilat aspak nuk është dhënë urdhër gjyqësor. Përgjimi në mënyrë direkte dhe indirekte ka përfshirë rreth 20 mijë qytetarë.
Procesi gjyqësor i procedurës së parë filloi më 22 dhjetor në vitin 2017 kundër 11 personave. Ishin mbajtur 53 seanca gjyqësore, në të cilat u dëgjuan 123 dëshmitarë, janë nxjerrë 887 prova materiali dhe pesë ekspertiza. Janë dëgjuar edhe mbi 200 persona të dëmtuar. sa/