• e enjte, 26 dhjetor 2024

Anketë: Korrupsioni, të ardhurat e ulëta dhe krimi janë tre problemet më të mëdha për qytetarët

Anketë: Korrupsioni, të ardhurat e ulëta dhe krimi janë tre problemet më të mëdha për qytetarët

Shkup, 8 shkurt 2024 (MIA) - Korrupsioni, të ardhurat e ulëta dhe krimi janë tre problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohen qytetarët në vend. Më shumë se dy të tretat besojnë se shteti po ecën në drejtimin e gabuar, ndërsa shëndetësia, sundimi i së drejtës dhe rritja ekonomike janë sfidat më të rëndësishme për shtetin, tregojnë rezultatet e anketës së zbatuar për atë se cilat janë perceptimet e qytetarëve rreth sfidave më të mëdha me të cilat përballemi si shoqëri, që e përpunoi agjencia M Prospekt me porosi të “Sollucija”.

Anketa ëshë përpiluar në periudhën nga 9 deri më 21 janar të vitit 2024 në mostër reprezentative prej 1000 qytetarësh me një margjinë gabimi prej 3.1 për qind.

Në anketën kushtuar studimit të opinionit publik për atë se cilat janë problemet më të mëdha të qytetarëve në shtet, 18 për qind janë shprehur se ato janë korrupsioni, për 15.5 për qind ato janë të ardhurat e ulëta, ndërsa për 14.5 për qind është krimi. Pastaj në listë vijojnë: paqëndrueshmëria politike në 11.1 për qind, varfëria - 10.3 për qind, papunësia me 6.9 për qind, kujdesi shëndetësor me 6.4 për qind dhe partizimi me 5.7 për qind.

"Për problemet më të mëdha, nuk ka dallime të mëdha ndërmjet bashkësive etnike, e kështu është edhe për marrëdhëniet ndëretnike, për të cilat 4.2 për qind e të anketuarve i kanë cekur si një nga problemet më të mëdha. Nga të anketuarit, 4 për qind e shohin ndotjen e mjedisit si problemin më të madh, ndërsa për 2.7 për qind ky është arsimi", bën të ditur Katerina Sinadinovska, gazetare dhe bashkëthemeluese e "Sollucija".

Në pyetjen se në çfarë drejtimi po lëviz shteti, 68.3 për qind e qytetarëve konsiderojnë se shteti po ecën në drejtim të gabuar, e si arsye më të shpeshtë që përmendin është sistemi jofunksional, gjendja e keqe ekonomike dhe korrupsioni. Me këtë rast ka dallim ndërmjet dy bashkësive më të mëdha etnike - te maqedonasit kjo përqindje arrin 72,7, ndërsa te shqiptarët 56,3 për qind. Për 11 për qind e të anketuarve, shteti po lëviz në drejtimin e duhur, me ç'rast te maqedonasit kjo përqindje është 9.1 për qind, ndërsa te shqiptarët 17.1 për qind.

Në pyetjen se jeni dakord se Qeveria aktuale meriton të rizgjedhet në zgjedhjet si vijon, 73,1 për qind e të anketuarve nuk janë dakord me këtë, përballë 22,3 për qind të cilët janë dakord me këtë. Në të njëjtën kohë, 60 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se nuk besojnë as se nëse opozita do të vinte në pushtet do të zgjidhte problemet e tyre më të mëdha, kundrejt 33.4 për qind.

"Qytetarët duan që Qeveria të bjerë, por ata nuk besojnë shumë as në opozitën", shprehet Sinadinovska në prezantimin e rezultateve të anketës.

Sa u përket sfidave më të rëndësishme për shtetin në një shkallë nga 1 në 10, ku rezultati 10 është sfida më e rëndësishme, në krye është shëndetësia dhe sistemi shëndetësor me një rezultat mesatar 8.06, e ndjekur nga sundimi i së drejtës, respektivisht problemi me korrupsionin dhe pandëshkueshmërisë me notën 8 dhe me notë mesatare 7.96, në vendin e tretë është rritja ekonomike dhe stabiliteti ekonomik. Pastaj vijojnë drejtësia sociale dhe barazia, sistemi arsimor dhe zhvillimi i infrastrukturës.

Të pyetur për besimin në institucionet, mosbesimi mbizotëron në përqindje shumë më të madhe, ku 1.9 për qind i besojnë Kuvendit dhe 21.9 për qind i besojnë deri diku, vetëm 4.6 për qind i besojnë plotësisht Qeverisë, ndërsa 20.4 për qind i besojnë deri diku. Gjyqësori - vetëm 3.2% i besojnë plotësisht sistemit të drejtësisë, ndërsa 17.7% i besojnë deri diku. Edhe partitë politike gjithashtu bashkohen me institucionet e përmendura paraprakisht me besimin e ulët të qytetarëve ndaj tyre, me ç'rast 1.8% kanë besim të plotë, ndërsa 21.4% kanë besim deri diku, ndërsa mosbesim të plotë kanë 51.9%, dhe mosbesim deri diku 23.7%.

"Mediat renditen më mirë te qytetarët në krahasim me institucionet shtetërore. Respektivisht, 6,3% kanë besim të plotë në punën e tyre, ndërsa 40,4% kanë besim deri diku. Mosbesim të plotë në mediat kanë dyfish më pak qytetar në krahasim me Qeverinë dhe Kuvendin, përkatësisht 27.9%, e 24.2% kanë deri diku mosbesim, qëndron në anketën.

Sa i përket besimit, institucionet fetare vlerësohen më së miri me 53,7 për qind, nga të cilat 17,8 për qind kanë besim të plotë, ndërsa 35,9 për qind kanë besim deri diku.

Të pyetur se cilat janë problemet më të mëdha për qytetarët personalisht, 60 për qind thanë se janë të shqetësuar për sigurinë personale, 53.5 për qind thanë se nuk janë të kënaqur me standardin jetësor. Sa i përket vlerësimit të seriozitetit të problemeve më të hidhura, tre vendet e para, në mënyrë përkatëse janë qasja në shëndetësinë cilësore (nota 7,54), çështjet ekologjike (nota 7,47) dhe pabarazia sociale dhe diskriminimi (nota 7,10).

Te mbi 80 për qind e qytetarëve ka pesimizëm për të ardhmen. Kur u pyetën nëse presin një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre nëse qëndrojnë në vend, 57,6 për qind e qytetarëve besojnë se jeta e tyre do të jetë më e keqe në të ardhmen, ndërsa 22,9 për qind presin që ajo të mbetet e së njëjtës cilësi. Vetëm 16.9% e të anketuarve u shprehën optimistë për këtë çështje. Krahasuar me maqedonasit, shqiptarët janë shumë më optimistë. Një e treta e tyre presin ardhmëri më të mirë për fëmijët e tyre, përballë 11,1 për qind e maqedonasve. Se do të jetë më keq, konsiderojnë 38.3 për qind e shqiptarëve dhe pothuajse dy të tretat e maqedonasve, përkatësisht 64.2 për qind. Derisa status kuo presin 22 për qind e maqedonasve dhe 25,4 për qind e shqiptarëve.

Për analistët, Marko Troshanovski, kryetar i Institutit për demokraci "Societas civilis" dhe Aleksandar Kërzhallovski, drejtor i Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar këto rezultate nga hulumtimi i mendimit publik nuk janë për çudi fare, dhe vetëm e konfirmojnë gjendjen e përgjithshme të pesimizmit, defetizmit dhe pasigurisë te qytetarët.

"Perceptimi i tillë i njerëzve për situatën e përgjithshme në shtet dhe për të ardhmen që i pret është rezultat i kombinimit të dy faktorëve: dështimit objektiv i pushtetit për të adresuar dhe zgjidhur problemet më urgjente të qytetarëve, por edhe "hedhja e vajit në zjarr" shtesë nga sulmet hibride që bëhen ndaj qytetarëve maqedonas si shënjestër, ndërsa të zbatuara kryesisht përmes mediave sociale nga subjekte që duan të dëmtojnë shtetin. Kjo edhe më shumë e rritë ndjenjën e papersepktivës dhe mosbesimit se gjërat do të përmirësohen", konsideron Troshanovski.

Për Kërzhallovskin, është interesante që qytetarët njohin korrupsionin e lartë në formën e furnizimeve publike, tenderëve të mëdhenj, etj., por nuk duan të shohin korrupsionin që është i përhapur gjerësisht në nivel më të ulët, në jetën e përditshme dhe në punë, respektivisht shumat e vogla që jemi mësuar të japim për të marrë një shërbim në sektorin publik.

"Gjithsesi, situata është përgjithësisht e keqe, ndoshta rezultatet më të këqija për perceptimin e qytetarëve për problemet në shoqëri deri më tani, nëse krahasohet me anketat që edhe ne në MCMS i kemi bërë për vite me radhë. Mendoj se problemet kryesore rrjedhin nga vetë performanca e institucioneve, dhe një gjetje shumë interesante në sondazh është se qytetarët në pjesën më të madhe nuk do t'i jepnin besim partisë aktuale në pushtet në zgjedhjet e ardhshme, por gjithashtu nuk besojnë se opozita, nëse vjen në pushtet, do të zgjidhë problemet e tyre më të mëdha", tha Kërzhallovski.

Në kontekstin e zgjedhjeve të ardhshme, të dy analistët bien dakord që partitë duhet të jenë të kujdesshme kur hartojnë programe tërheqëse të votuesve, për sa i përket realizimit të atyre programeve.

Troshanovski konsideron se të dy qasjet do të kombinohen - nacionalizmi, i cili thotë se sjell mobilizim të lehtë politik dhe një qasje që merr parasysh shqetësimet dhe nevojat e qytetarëve, pasi të gjitha partitë politike bëjnë anketat e tyre.

"Problemi në këtë pjesë të ofertës politike është se ne si qytetarë, si shoqëri, media duhet t'i vëzhgojmë shumë më kritikisht këto programe politike, sepse janë kryesisht lista dëshirash përrallore, duke marrë parasysh realizimin e ulët të tyre. Ne duhet të mendojmë përmes tyre përmes prizmit se sa qëndrojnë të njëjtat përmes analizave ekonomike dhe shembujve krahasues. Ne nuk mundemi, përmes përpjekjeve deklarative për jetë më të mirë, administratë publike efikase, etj. të konkludojmë se programi i partisë adreson problemet për qytetarët", shprehet Troshanovski, sipas të cilit deri më tani kemi qenë dëshmitarë të formulimeve të tilla të përgjithshme në programet që janë treguar të parealizueshme dhe vuri në dukje shembullin e trafikut falas të autobusëve në Shkup ose konceptin e "një shoqërie".

Kërzhalovski bën të ditur se është e nevojshme të matet ajo që është bërë, gjegjësisht ajo që është bërë nga ajo që është premtuar, por e rëndësishme është edhe struktura e partive, të cilat përgjithësisht nuk janë demokratike, ndërsa shpreh shqetësimin për atë që po ndodh në Aleancën për Shqiptarët, që tregon se nuk ka një kulturë elementare demokratike në mënyrë që problemet të negociohen, por reagohet ashpër.

"Si filloi të zhvillohet situata nuk e di nëse kjo do të përfundojë qetë ose dhunshëm, dhe si do të ndikojë kjo në partitë tjera", shprehet Kërzhallovski.

Sa i përket narrativës së integrimit evropian të vendit, nëse do të dominojë në fushatën parazgjedhore sipas Kërzhallovskit, është e qartë se është një adut i veçantë për qeverinë në këtë rënie të rejtingut të shpëtojë diçka, të krijojë një polarizim të tillë që realisht nuk ekziston.

"Mendoj se do të demaskohet gjatë fushatës së tyre nuk ka opsion real jashtë BE-së", shprehet Kërzhallovski.

Sipas Troshanovskit, kjo narrativë "Ne jemi për Evropën" nuk do të shkojë aq lehtë, sepse njerëzit kanë shijuar hipkrizinë e vetë procesit të integrimit në BE dhe mantra e BE-së nuk do të mobilizojë votat si më parë. 

Foto: MIA/Sollucija

 

QËNDRONI TË LIDHUR