Andonovski në kongresin më të madh të operatorëve celularë në botë - MWC26 në Barcelonë
- Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, sot është në një vizitë pune në Barcelonë, Spanjë, ku merr pjesë në MWC26 (Mobile World Congress) - ngjarja më e madhe globale që bashkon politikëbërësit e digjitalizimit, përfaqësuesit e operatorëve të telekomunikacionit dhe prodhuesit më të mëdhenj të pajisjeve mobile dhe zgjidhjeve digjitale në botë.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 20:13, 2 mars, 2026
Shkup, 2 mars 2026 (MIA) - Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, sot është në një vizitë pune në Barcelonë, Spanjë, ku merr pjesë në MWC26 (Mobile World Congress) - ngjarja më e madhe globale që bashkon politikëbërësit e digjitalizimit, përfaqësuesit e operatorëve të telekomunikacionit dhe prodhuesit më të mëdhenj të pajisjeve mobile dhe zgjidhjeve digjitale në botë.
Në kuadër të vizitës, ministri, siç informon Kabineti i tij, u përqendrua në lobimin për parimin e "roaming si në shtëpi", me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të kushteve për qytetarët dhe bizneset duke ulur shpenzimet për roaming dhe duke iu afruar standardeve evropiane.

Andonovski ishte pjesë e GSMA Ministerial Programme, ku u diskutuan politikat dhe prioritetet kryesore që lidhen me lidhshmërinë, infrastrukturën digjitale, sigurinë dhe teknologjitë e ardhshme të rrjetit.
"Kjo është ngjarja më e madhe globale që bashkon politikëbërësit e digjitalizimit, përfaqësuesit e operatorëve të telekomunikacionit dhe prodhuesit më të mëdhenj të pajisjeve mobile në botë. Së bashku me përfaqësuesit e qeverisë dhe përfaqësuesit e sektorit privat, diskutojmë çështjet që prekin më shumë qytetarët dhe përdoruesit tanë, dhe për ne ky është sigurisht projekti "Roaming si në shtëpi" - që do të thotë çmime si në shtëpi për përdorimin e shërbimeve mobile, mesazheve SMS dhe internetit kudo në Bashkimin Evropian. Mund të them se nga qeveritë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë po marrim mbështetje të madhe për këtë projekt, si dhe mirëkuptim nga operatorët kryesorë të telekomunikacionit", theksoi Andonovski.

Ai u takua me përfaqësues të operatorëve celularë të pranishëm në Maqedoni, si dhe me prodhues të shumtë globalë të pajisjeve dhe ofrues të shërbimeve re (cloud).
"Biseduam për çështjet më të rëndësishme që për momentin e prekin sektorin e digjitalizimit: ndërtimin e qendrave të të dhënave, inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike dhe transformimin e plotë digjital të shoqërisë" theksoi Andonovski.
Foto: Ministria e Transfromimit Digjital