• e enjte, 26 dhjetor 2024

Analiza e opinionit publik: Niveli i besimit të qytetarëve të Maqedonisë në BE është në nivel rekord të ulët

Analiza e opinionit publik: Niveli i besimit të qytetarëve të Maqedonisë në BE është në nivel rekord të ulët

Shkup, 1 mars 2023 (MIA) - Niveli i besimit të qytetarëve të Maqedonisë në Bashkimin Evropian është në nivel të ulët rekord, tregon Analiza e opinionit publik për procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në BE, e përpiluar nga Instituti për Demokraci "Societas Civilis" dhe Fondacioni "Konrad Adenauer".

"Ne e kemi ndjekur këtë për shtatë vjet çdo vit radhazi. Ajo që mund të konkludohet është se mbështetja e njerëzve për hyrjen në BE është në nivel rekord të ulët, respektivisht ka qenë në fund në tre vitet e fundit me dallime pak a shumë të parëndësishme statistikore. Kjo është një gjë dhe kjo është ajo që thonë edhe hulumtimet tjera", deklaroi Marko Troshanovski, drejtor i Institutit për Demokraci.

Sipas tij, ajo që është pozitive është se këtë vit ka përmirësim të perceptimit dhe përmirësim të dukshëm në perceptimin e Bashkimit si identitet me ndikim dhe si aleatin më të mirë të vendit.

"Në shikim të parë këto dyja janë gjëra kontradiktore, por nga kjo mund të konkludojmë se është moment kyç ku BE-ja, para së gjithash ndaj vendit duhet të ndërmarrë hapa shumë më praktikë në mënyrë që të rritet niveli i gatishmërisë së popullatës për të votuar hyrjen potenciale të ardhshme në BE, respektivisht për të rritur mbështetjen. Pra, tani ne e shohim BE-në si miq më të mirë. Sigurisht që është edhe në kontekstin e krizës ukrainase, etj., në njëfarë mënyre ngjeshje, anim drejt atyre që janë të ngjashëm dhe që do t'ju mbrojnë, mirëpo ky nivel pozitiv i perceptimit ndaj Bashkimit duhet të përdoret për të rikthyer besimin e qytetarëve se dikur ky vend ka perspektivë për t'u bërë anëtar. Kjo është ajo që është më interesante, e dhëna më e re nga ky hulumtim", nënvizoi Troshanovski.

Ai theksoi se mbështetja për ndryshime kushtetuese mbetet e ulët, 65 për qind e popullatës janë kundër ndryshimeve kushtetuese, ndërsa te maqedonasit etnikë kundërshtimi ndaj ndryshimeve kushtetuese është 80 për qind, gjë që, shprehet ai, është e dhënë jashtëzakonisht e lartë.

"Dhe informacioni i tretë interesant është se mbështetja për Procesin e Berlinit, marrëveshjet e mobilitetit, respektivisht trajtimi i Ballkanit si rajon dhe në këtë kuptim ndërgjegjësimi rajonal se duhet të bashkëpunojmë dhe vetëm kështu mund të kemi sukses është dukshëm i madh, respektivisht shumica e njerëzve tashmë një periudhë stabile i mbështesin këto politika", tha ai.

Në raport me atë se cilat janë arsyet për rezultatet e tilla, shprehet se arsyet sigurisht që nuk rezultojnë nga hulumtimi i të gjitha atyre arsyeve, mirëpo zhgënjimi është se procesi i bisedimeve ka vite që nuk jep rezultate.

"Përveç kësaj, procesi është i ndërlikuar nga metodologjia e re për zgjerim, e cila edhe pse është miratuar dy vjet më parë, është larg operacionalizimit dhe kështu vetëm kontribuon në defatizëm, zhgënjim tek njerëzit, sepse deri më tani nuk po çon askund. Kuptohet se Korniza e bisedimeve është faktor i konsiderueshëm i euroskepticizmit sepse nuk bazohet në kriteret e pastra të Kopenhagës dhe i imponon vendit kushte plotësuese parekselencë. Këto janë në thelb ato dy arsyet kryesore", theksoi Troshanovski.

Drejtori i Zyrës së "Konrad Adenauer"-it në Maqedoninë e Veriut, Daniell Braun, theksoi se kjo analizë është mundësi e shkëlqyer për të analizuar rezultatet që kemi pasur nga hulumtim i tillë më parë, por shprehu keqardhjen se opinioni i përgjithshëm në vend për mënyrën se si po zhvillohen situatat nuk shkon saktësisht në vijë të sipërme, përkundër faktit se faktorët për mendimin e tillë janë të brendshëm dhe të jashtëm.

“Si drejtor i Fondacionit “Konrad Adenauer”, jemi të përkushtuar që Maqedonia e Veriut të vazhdojë në rrugën e integrimeve evropiane, përkundër të gjitha ndikimeve që vijnë nga brenda dhe jashtë. Është evidente se para së gjithash bëhet fjalë për humbje të durimit nëse nuk do të arrihej marrëveshje, ndoshta vetë procesi i integrimit europian do të ishte përshpejtuar, por megjithatë këtu duhet theksuar se struktura e vetë shteteve anëtare dhe vetë BE-ja funksionon në atë mënyrë që vende të caktuara, në rastin e një vendi fqinj, mund të parashtrojnë kërkesa të tilla. Megjithatë, unë nuk mund t'i mbështes ato kërkesa, pavarësisht se qind për qind asnjë palë nuk mund t'i marrë kërkesat e veta, duhet të ketë kompromis, ky do të ishte solucioni dhe zgjidhja, dhe besoj se rruga për ta arritur këtë është elita politike të flasë me një zë", tha Brauni.

Sipas tij, politika maqedonase ka shumë mundësi, ka përfitime në nivelin ekonomik, ka rrethana sigurie që favorizojnë Maqedoninë e Veriut, por megjithatë, shprehet ai, duhet theksuar qartë se struktura politike në Maqedoninë e Veriut duhet të veprojë njëzëri në raport me këto çështje dhe të ketë aftësi më të mirë për të bërë “pazarin” që do të duhej të ekzistojë tek të gjithë.

Anamaria Velinovska nga Qendra për Integrime Evropiane në Institutin për Demokraci, tha se anketa këtë vit është realizuar në dy pyetësorë, pyetësori i parë është anketë që është ndjekur që nga viti 2014, me qëllim që të monitorohen trendet në mesin e qytetarëve për pëlqimin e tyre për anëtarësimin në BE.

“Këtë vit 64 për qind e qytetarëve janë për anëtarësimin në BE, nëse javën e ardhshme do të mbahej referendum, që është për katër për qind më pak se në vitin 2021, kur 68 për qind e qytetarëve u dakorduan për anëtarësim në BE. Pyetësori i dytë u referohet zhvillimeve aktuale politike dhe ndikimit të tyre në mendimin publik të qytetarëve. Në këtë pyetësor këtë vit përmendëm edhe luftën në Ukrainë, si një ngjarje politike globale dhe shumica e qytetarëve besojnë se Rusia reagoi ndaj provokimeve të NATO-s, dhe nuk synon të pushtojë Ukrainën, gjithashtu shumica e qytetarëve besojnë se bisedimet dhe jo fitorja për Rusinë apo Ukrainën janë zgjidhja e luftës në Ukrainë", tha ajo.

Sa u përket ndryshimeve kushtetuese, tha Velinovska, pothuajse dy të tretat e qytetarëve nuk pajtohen me ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë.

Sekretari shtetëror në MPJ, Filip Toshevski, theksoi se procesi i anëtarësimit në BE është proces që u përket të gjitha palëve të interesuara në vend, duke përfshirë të gjithë qytetarët, shoqërinë civile, dhe këtu, shprehet ai, po shikojmë partner kyç për bashkëpunim pikërisht në këto procese.

"E dimë që ka pasur mjaft fluktime në periudhën e fundit në raport me mendimin publik në lidhje me perceptimin e rritjes së euroskepticizmit që është pasojë e disa proceseve, por është e rëndësishme që këto tema t'i diskutojmë të gjithë së bashku dhe në bazë të tyre të hartojnë jo vetëm strategji përkatës komunikimi, por edhe strategji të tjera në drejtim të informimit të drejtë të qytetarëve dhe në drejtim të përfshirjes më të madhe dhe praktike të tyre në këto procese, sepse këto janë procese për të gjithë qytetarët, bëhet fjalë për të ardhmen e të gjithë qytetarëve në shtet, jo vetëm për institucionet", tha Tosevski.

Tosevski shtoi se Ministria mbetet e hapur për bashkëpunim me think tank-et, organizatat joqeveritare, në drejtim të rritjes së përfshirjes së palëve të ndryshme në proceset evropiane. 

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR