• e enjte, 26 dhjetor 2024

Analizë e NAkS: Shumë mjete janë derdhur nga buxheti për bursa jashtë vendit, ndërsa shfrytëzuesit nuk kthehen në shtet

Analizë e NAkS: Shumë mjete janë derdhur nga buxheti për bursa jashtë vendit, ndërsa shfrytëzuesit nuk kthehen në shtet

Shkup, 7 nëntor 2023 (MIA) - Një numër i madh i studentëve të cilët kanë marrë bursë të shtrenjtë nga buxheti shtetëror për studime në një nga universitetet e parë nga njëqind në Listën e Shangait nuk janë kthyer në vend. MASH-i nuk ka analizë për karrierën e tyre pas diplomimit, e as që, ata që kanë mbetur jashtë vendit e kanë kthyer bursën në vlerë të dhjetëfishtë siç është paraparë në konkurs. 

Këto bursa, të cilat për studime deridiplomike janë në vlerë vjetore prej 40.000 euro, ndërsa për studime master 36.000 euro, ndahen pa kritere të definuara në mënyrë të saktë dhe adekuate për renditjen dhe përzgjedhjen e studentëve dhe pa analizë se cilat lëmi janë në interes të vendit tonë ose i nevojiten ekonomisë. Gjatë kësaj, ministri i arsimit dhe shkencës ka të drejtë diskrecionale në vendosje. 

Këtë e përfundon analiza e Sindikatës së Pavarur Akademike (NAkS) e quajtur "Përfitimi nga bursat për studentët në ciklin e parë, të dytë dhe të tretë të studimeve në një nga 100 universitetet e para nga Lista e Shangait".

Karrierën e shfrytëzuesve të bursave për studime jashtë vendit NAkS e ka zbuluar vetë duke i ndjekur profilet e platformave si Linkdin, me çka është vërtetuar se nga 61 të cilët kanë marrë bursë për ciklin e parë, në vend janë kthyer vetëm 11, jashtë vendit kanë mbetur 41, ndërsa për nëntë nuk ka të dhëna. Kjo ka të bëjë me periudhën e vitit akademik 2013/2014 deri 2016/2017, por për gjashtë vitet e fundit akademike NAkS nuk ka marrë të dhëna nga MASH-i.

Nga 165 bursa të ndara për studime magjistrature, në vend janë kthyer 59 shfrytëzues. Të dhënat për ciklin e dytë (studime magjistrature) janë për periudhën prej viteve  2010/2011 deri në vitet 2021/2022. Sindikata nuk ka marrë të dhëna për shfrytëzues të kësaj burse për ciklin e tretë të studimeve.

Për shkak të mosdisponueshmërisë së të gjitha të dhënave, NAkS vlerëson jozyrtarisht se mbi 300 persona kanë marrë bursë të tillë për studime në një universitet nga 100 më të mirët e renditur në listën e Shangait dhe se për to është shpenzuar buxhet i madh, që varion nga 10 milionë euro në 24,4 milionë euro – të dhënat e publikuara nga Oda Ekonomike.

Prof. Mimoza Ristova duke e prezantuar sot analizën tha se më së shumti kanë studiuar (dhe kanë qëndruar) në Britaninë e Madhe, SHBA, në vendet e BE-së, por edhe në Zvicër dhe Izrael. Nga përfituesit e bursës për ciklin e parë, 67 për qind nuk janë kthyer në vend dhe 48 për qind e atyre me bursë për studime master, edhe pse kishin detyrim të punonin në vend. Për studimet universitare katërvjeçare, tha Ristova, ato janë 160.000 euro.

"Pra, vetëm për periudhën 2013/2014 – 2016-2017 janë dhënë 2,5 milionë euro, ndërsa në të njëjtën kohë ndarja nga buxheti për shkencën në vendin tonë është 0,02 për qind. Për 67 për qind që nuk janë kthyer janë shpenzuar 1,7 milionë euro, të cilat i kemi paguar nga buxheti ynë i varfër për të nxitur zhvillimin ekonomik të vendeve të tjera", tha prof. Ristova.

Për studime magjistrature, për të cilat kanë të dhëna për periudhën prej vitit 2010 deri në vitin 2021, janë paguar 6 milionë euro për bursa, gjegjësisht 2,8 milionë euro, tha Ristova, për nxitjen e ekonomisë së vendeve të tjera sepse atje që të punojnë kanë mbetur 47 për qind nga bursistët.

Në pyetjen nëse në mesin e shfrytëzuesve të cilët i kanë hetuar kaë gjetur emra me "renome", Ristova tha se ka njohur disa mbiemra, por megjithatë nuk është e sigurt, dhe se qëllimi i tyre nuk ishte që të ndjekin fatin e  njerëzve, por që t'i ndjekin paratë e shtetit. 

Prof. Mirjana Najçevska tha se bursat nuk janë të rregulluara me Ligjin për arsimin e lartë dhe se askund në ligj nuk ka kritere me të cilat do të përcaktohet nevoja për financimin e studentëve jashtë vendit. Sipas Najçevskës, kandidatët për kushtet dhe kriteret informohen gojarisht në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, sipas asaj që thuhet në konkurset për këto bursa, ndërsa ministri ka të drejtë diskrecionale të përcaktojë llojin e bursave dhe mënyrën e dhënies së bursave. Në rregulloren ligjore dhe aktet nënligjore, tha, nuk ka asnjë procedurë për kthimin e parave - megjithëse parashikohet që studenti të nënshkruajë një kambial, nuk ka procedurë se si do të aktivizohet nëse studenti nuk punon për dy vjet në vend, pas përfundimit të studimeve. Konkursi parasheh rimbursim të dhjetëfishtë të parave.

"Në pyetjen dërguar MASH-it - nëse ka raste kur është aktivizuar kambiali, pra raste kur studentët kanë kthyer para, ata janë përgjigjur se nuk ka asnjë rast të tillë. Pamë se sa studentë qëndruan për të punuar jashtë vendit. Ata studentë nuk kanë punuar asnjë ditë në shtet. Kjo do të thotë se kjo është një vjedhje klasike, dhe jo vetëm punë joadekuate me paratë nga buxheti. Sepse kambiali, sipas marrëdhënieve të obligacioneve, është dokument publik në bazë të të cilit duhet të kthehen paratë e marra", theksoi Najçevska.

Sipas analizës të cilën e ka prezantuar NAkS, numër më të madh të bursave ishin dhënë në vitin  2014/2015. Për studime deridiplomike, për shembull, në vitin 2014/2015 ishin ndarë 25 bursa të tilla, gjegjësisht 600 për qind më shumë se vitin e kaluar akademik kur ishin ndarë katër. 

Profesorët nga NAkS në prezantimin theksuan se dhënia e bursave për studime jashtë vendit ka filluar në vitin 2010 dhe se pikërisht atëherë shteti e ka ndërprerë shpalljen e konkurseve për financimin e studimeve të magjistraturës dhe doktoraturës në vend dhe për financimin e projekteve shkencore - hulumtuese. 

Nga pesë ministra për arsim gjatë periudhës gjatë periudhës së kaluar kishin kërkuar që këto bursa të hiqen dhe mjetet të ridedikohen për shkencën tonë dhe projekte hulumtuese, por ministrat vetëm janë pajtuar se ky program për bursa është i dëmshëm. Para disa muajve MASH-i ka publikuar një shpallje të re për 10 bursa të tilla me çka, siç thanë, nuk janë treguar, nuk janë theksuar sferat e studimeve. 

Projekti "Analiza të NAkS për përfitimet nga bursimi i studentëve në ciklin e parë, të dytë dhe të tretë të studimeve në një nga 100 universitetet e para nga lista e Shangait" është përgatitur dhe financuar nga Sindikata e Pavarur Akademike. Analiza në tërësi do të publikohet në ueb-faqen e NAkS. fc/

Fotografia: MIA

 

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR