Analizë e MIA-s: Anëtarësimi në BE pa të drejtë vote - tejkalim i status kuo-s në zgjerimin ose një "rrugë e re për askund"
- Në muajt e fundit në Bruksel po zhvillohen debate për pranimin më të shpejtë të anëtarëve të rinj dhe ndryshimet në rregullat e deritanishme. Pas invazionit rus ndaj Ukrainës, zgjerimi i BE-së u bë çështje sigurie. Komisioni Evropian po shqyrton mënyrat për të pranuar shpejt Ukrainën në Bashkimin Evropian si pjesë e marrëveshjes paqësore me Rusinë, me ç'rast ajo nuk do të fitonte anëtarësim të plotfuqishëm menjëherë, por do ta përvetësonte atë përmes procesit të tranzicionit. Ideja e një Europe në “dy shpejtësi” duhet të zbatohet edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor, por pa të drejtë vote në fazën e parë.
- Post By Fami Bajrami
- 12:02, 3 mars, 2026
Shkup, 3 mars 2026 (MIA)
Neda Dimova Prokiq
Në muajt e fundit në Bruksel po zhvillohen debate për pranimin më të shpejtë të anëtarëve të rinj dhe ndryshimet në rregullat e deritanishme. Pas invazionit rus ndaj Ukrainës, zgjerimi i BE-së u bë çështje sigurie. Komisioni Evropian po shqyrton mënyrat për të pranuar shpejt Ukrainën në Bashkimin Evropian si pjesë e marrëveshjes paqësore me Rusinë, me ç'rast ajo nuk do të fitonte anëtarësim të plotfuqishëm menjëherë, por do ta përvetësonte atë përmes procesit të tranzicionit. Ideja e një Europe në “dy shpejtësi” duhet të zbatohet edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor, por pa të drejtë vote në fazën e parë.
MIA bisedoi me tre analistë, Ivica Bocevski, Zhidas Daskallovski dhe Vasko Naumovski, për atë se çfarë do të thoshte ky propozim për Maqedoninë, nëse formalizohet, dhe nëse kjo ide është e realizueshme duke marrë parasysh konsensusin në BE. Mia i pyeti analistët edhe për atë nëse ky propozim do të shtrohej në tryezë, a do të mbetej për Maqedoninë kushti i ndryshimeve kushtetuese.
Ata pajtohen se ideja e një Evrope me dy shpejtësi nuk është e re dhe se buron nga nevoja që BE të reagojë shpejt ndaj rrethanave gjeopolitike. Por, konsiderojnë se në mënyrë që kjo të ndodhë, është e nevojshme të ndryshohet Marrëveshja e Bashkimit. Ata thonë se nëse kjo formë e re e përkohshme e integrimit përfshin hyrjen e Maqedonisë në tregun e vetëm, atëherë ajo ofertë duhet të kapet, të pranohet pa u menduar dhe Shkupi të futet në grupin e kryesuesve në realizimin e kësaj zgjidhjeje.
Sipas tyre, megjithatë, çështja kryesore nuk është aq shumë forma e anëtarësimit, por logjika politike e kushtëzimit, respektivisht, vendi, madje edhe në një model të anëtarësimit në fazë, do të vazhdonte të ishte nën presion për të përmbushur detyrimet që tashmë i ka pranuar. Gjithashtu, ideja e kufizimit të së drejtës së votës, ndër të tjera, është për shkak të frikës së BE-së se shtetet e Ballkanit do të bllokonin njëri-tjetrin në fusha të ndryshme, si dhe për ndikimet e mundshme të politikës së jashtme të disa prej vendeve në rajon, gjë që do të rrezikonte konsensusin në Politikën e Përbashkët Evropiane të Jashtme dhe të Sigurisë.
Ndryshe, propozimi që vendet e reja të aderojnë në Bashkimin Evropian pa të drejta të plota votimi ka qarkulluar në qarqet e Brukselit që nga tetori i vitit të kaluar. Atëherë portali i Brukselit "Politiko", duke iu referuar tre diplomatëve evropianë dhe një funksionari të BE-së, publikoi se propozimi për të ndryshuar rregullat për anëtarësimin në BE është në një fazë të hershme dhe duhet të aprovohet nga të gjitha vendet anëtare. Siç raportoi portali në atë kohë, ideja është që anëtarëve të rinj t'u jepen të drejta të plota pasi BE të ketë rishqyrtuar mënyrën e funksionimit, për ta bërë më të vështirë për vendet individuale të vënë veton ndaj politikave.

Ambasadori dhe ish-zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane Ivica Bocevski konsideron se çelësi për arritjen e propozimit të paralajmëruar qëndron në arritjen e marrëveshjes paqësore për t'i dhënë fund invazionit rus ndaj Ukrainës. Ai kujtoi se sipas të gjitha pretendimeve që shfaqen në media, nëse arrihet paqja në Ukrainë, atëherë pjesë integrale e marrëveshjes do të jetë rruga e përshpejtuar e Kievit për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, (Federata Ruse tashmë ka njoftuar se nuk e kundërshton anëtarësimin e Ukrainës në BE).
"Përballë një realiteti të trazuar gjeopolitik në botë, dhe veçanërisht pas krizës në Grenlandë që ende nuk ka përfunduar plotësisht, vendet kryesore të Bashkimit Evropian me siguri nuk do të humbasin shansin që marrëveshja e paqes për Ukrainën të hapet për përmbylljen e plotë të sigurisë, politikës dhe ekonomisë të hapësirës gjeostrategjike të BE-së. Me fjalë të tjera, Shkupi dhe të gjitha kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor duhet të ndjekin zgjuar atë që do t'i ofrohet Ukrainës sepse kjo do të jetë oferta për këtë rajon, si dhe për Moldavinë", shprehet Bocevski për MIA-n.
Sipas tij, nëse kjo formë e re e përkohshme e integrimit përfshin hyrjen e Maqedonisë në tregun e vetëm, atëherë ajo ofertë duhet të kapet, të pranohet pa u menduar dhe Shkupi të futet në grupin e kryesuesve në realizimin e kësaj zgjidhjeje.
"Tregu i vetëm është vetë thelbi i integrimit evropian dhe hyrja e Maqedonisë në hapësirën ekonomike evropiane shteron gjithçka që na duhet si shtet në aspektin ekonomik, por edhe në atë civil, sepse në atë rast menjëherë do të na jepen katër liritë e dëshiruara për lëvizjen e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Hyrja në tregun e vetëm është “grali i shenjtë” i integrimit europian. Sigurisht, një pikë e rëndësishme është se vendi duhet të përfshihet edhe nga një qasje në fondet zhvillimore evropiane", tha Bocevski.
Ai është i bindur se nuk duhet të kemi asnjë dilemë se pas hyrjes në tregun e vetëm, anëtarësimi i plotë në BE do të vijë shumë shpejt në rendin e ditës sepse statusi i hyrjes në treg pa pjesën politike të integrimit nuk është i qëndrueshëm. Megjithatë, shton ai, duke hyrë në treg, edhe zërat më skeptikë në politikë për vendet anëtare të BE-së do të shohin se ka evropianë që jetojnë në Ballkanin Perëndimor që nuk kërcënojnë projektin evropian dhe se BE-ja vetëm po fiton integrim të plotë në këtë hapësirë.
Lidhur me çështjen e ndryshimeve kushtetuese, Bocevski konsideron se përpara diplomacisë maqedonase qëndron një betejë e rëndësishme dhe se "Maqedonia duhet të pajtohet me ndryshimet e kushtëzuara kushtetuese që do të hyjnë në fuqi pikërisht në momentin kur vendi do të ketë statusin e vendit anëtar të plotfuqishëm të BE-së, si dhe të gjithë rrethin e integrimit evropian, i cili, përveç anëtarësimit, përfshin hyrjen në Shengen, vendosjen e euros dhe anëtarësimin në OECD, duke rrumbullakuar kështu integrimin e plotë perëndimor."
- Nëse në tryezë ka truk të ri propagandistik apo paralajmërime bombastike pa përmbajtje, siç ishte dialogu i nivelit të lartë (HLAD) i paralajmëruar nga ish-komisioneri evropian Shtefan File, atëherë propozimi i tillë i pandershëm duhet të refuzohet me indinjatë meqë sërish e vendos vendin (por edhe gjithë Ballkanin Perëndimor) në “rrugën për askund”. Por nëse në tryezë ka propozim që përfshin hyrjen e Maqedonisë, domethënë integrimin e menjëhershëm, në tregun e vetëm, me data, afate dhe udhërrëfyes të qartë për realizimin e tij, atëherë kjo duhet të pranohet me entuziazëm", përfundon Bocevski.

Profesori Zhidas Daskallovski përkujton se ideja për "BE me dy shpejtësi" nuk është e re në mendimin politik evropian dhe se është zvarritur që nga debatet pas Marrëveshjes së Mastrihtit, e veçanërisht pas Bregzitit dhe krizës së eurozonës.
Në deklaratë për MIA-n, shprehet se mundësia që shtetet kandidate të hyjnë në Bashkim në një formë të anëtarësimit të pjesshëm ose me faza pa fituar menjëherë të drejtën e votës lind nga nevoja që BE të reagojë shpejt ndaj rrethanave gjeopolitike.
"A është kjo e realizueshme? Formalisht, në marrëveshjet themeluese të Bashkimit ky status nuk ekziston. Pra, që të ndodhë, është e nevojshme ose të ndryshohen marrëveshjet, ose të shpiket zgjidhje sui generis. Ndërsa të dyja kërkojnë unanimitet. Këtu është problemi — i njëjti unanimitet që na është pengesë sot do të na jetë pengesë edhe nesër. Hungaria, madje edhe Bullgaria, kanë fuqi të plotë për ta bllokuar këtë format, nëse duan. Megjithatë, kur vullneti politik i Brukselit është mjaft i fortë, BE di të gjejë zgjidhje
juridike. Ajo që është e rëndësishme është që çdo marrëveshje e tillë duhet të lidhet me një rrugë të qartë, të përcaktuar me kohë drejt anëtarësimit të plotëfuqishëm", shprehet Daskallovski.
Për Maqedoninë, shton ai, çështja kryesore nuk është aq shumë forma e anëtarësimit, por logjika politike e kushtëzimit.
"Vendi ynë, madje edhe në model të nëtarësimi në faza, do të vazhdonte të ishte nën presion për të përmbushur detyrimet që i ka pranuar tashmë. Nëse hapet model i anëtarësimit gradual ose me shtresa, është reale të pritet që kushti për ndryshimet kushtetuese të mbetet. BE-ja rrallë relativizon kriteret e vendosura tashmë, veçanërisht kur ato janë pjesë e një kornize negociuese të miratuar formalisht. Realiteti është se në të gjitha variantet, Bullgaria do të këmbëngulë për ndryshime kushtetuese — edhe atë jo për arsye teknike, por për interesa sovrane politike. Ne pamë që Presidenti i deriparadokohshëm bullgar Radev, vetëm disa ditë më parë, përsëriti publikisht se kushti mbetet. Komisioni Evropian, megjithatë, nuk është në gjendje të anashkalojë kërkesat e vendeve anëtare", tha Daskallovski.
Sipas tij, pra, madje edhe nëse formalizohet “BE me dy shpejtësi”, për Maqedoninë kjo nuk do të thotë automatikisht se dera është e hapur.
"Kushtëzimi me siguri do të mbetet — përveç nëse ka ndryshim fundamental në pozicionin e Bullgarisë, ose nëse në kontekstin e ri ndërkombëtar krijohet presion politik ndaj Sofjes. Vlerësimi im është se nuk duhet të shpresojmë për një zgjidhje të tillë. Duhet të përpiqemi të komunikojmë me Bullgarinë dhe të nisim iniciativë në lidhje me të ashtuquajturat protokolle të seancave dypalëshe të qeverive të Shkupit dhe Sofjes, të cilat janë problem më i madh se ndryshimet kushtetuese, për të cilat tashmë ka disa propozime dhe punime se si mund t'i zbatojmë ato me zbatim të kushtëzuar në lidhje me përparimin në integrimin evropian", shprehet Daskallovski për MIA-n.
Ai vlerëson se nëse vendi nuk arrin të vihet në korsinë e shpejtë, ndërsa Ukraina, Mali i Zi dhe Shqipëria anëtarësohen në BE, po madje edhe me anëtarësim të klasit të dytë — Maqedonia mbetet e vetme, e izoluar dhe me presion shumë më të madh për ndryshime kushtetuese.
"Ky do të ishte një dështim gjeopolitik dhe historik. Nëse BE-ja do të bënte reforma që kufizojnë të drejtën e vetos, mundësitë e bllokadës nga shtetet individuale do të ishin ulur. Kjo do të lehtësonte pozicionin e Maqedonisë, por është një skenar me një horizont të gjatë
kohor. Së fundi, Maqedonia duhet të vazhdojë reformat, të gjejë një mënyrë për të zgjidhur problemin bullgar në mënyrë që ai të mos mbetet anash nëse Bashkimi me të vërtetë formalizon modelin e "anëtarësimit në fazë", konkludon Daskallovski.

Ambasadori dhe ish-zëvendëskryeministri për Integrim Evropian Vasko Naumovski pajtohet se ideja e dy shpejtësive ka qenë prej kohësh e njohur në teori, dhe mund të vërehen forma të caktuara në të cilat ka pasur shkallë të ndryshme të integrimit të shteteve anëtare, siç është zona Shengen, monedha e përbashkët evropiane, dhe ngjashëm. Megjithatë, ai konsideron se anëtarësimi i shtetit që nuk do të kishte të drejtën e votës në Këshillin e BE-së është deri më tani i panjohur dhe vlerëson se burokracia evropiane është krijuese në disa fusha, dhe kjo ide është përpjekje për të tejkaluar status quo-në në zgjerimin.
"Nëse propozohet formalisht, do të nevojitet konsensus i plotë i të gjithë anëtarëve për miratimin e tij, gjë që nuk është rast tani për tani. Ky koncept është pjesë e përpjekjeve për të përshpejtuar përfshirjen e Ukrainës në Bashkimin, e nëse kjo ndodh pa pranimin e njëkohshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, do të shkaktojë rënie të mëtejshme të besueshmërisë së BE-së në rajon, duke e ditur se Ukraina është larg përmbushjes së kritereve të anëtarësimit", deklaroi Naumovski për MIA-n.
Pranimi eventual i kësaj ideje, sipas tij, do të nënkuptonte aderimin e Maqedonisë si anëtare me kompetenca përkohësisht të kufizuara, në mënyrë që vendi të përfundojë reformat e nevojshme në një lloj periudhe kalimtare. Ai përkujton se në ciklet e kaluara të zgjerimit ka pasur periudha kalimtare për integrimin në disa fusha, siç është tranzicioni 7-vjeçar për lëvizjen e lirë të punëtorëve nga anëtarët e rinj për shumicën e anëtarëve ekzistues të atëhershëm gjatë zgjerimit me shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore në vitin 2004/07.
"Ideja e kufizimit të së drejtës së votës, ndër të tjera, është për shkak të frikës së BE-së se shtetet e Ballkanit do të bllokonin njëri-tjetrin në fusha të ndryshme, si dhe për ndikimet e mundshme të politikës së jashtme të disa prej vendeve në rajon, gjë që do të rrezikonte konsensusin në Politikën e Përbashkët Evropiane të Jashtme dhe të Sigurisë", shprehet Naumovski.
Ndonëse e drejta e kufizuar e votës, sipas tij, do të thotë që anëtarët e rinj në të vërtetë nuk do të gëzojnë të gjitha të drejtat, anëtarësimi i tyre i përshpejtuar de fakto mund të
konsiderohet si aspekt pozitiv, duke përjashtuar kështu kushtëzimet e mëtejshme nga anëtarët tjerë.
"Një analizë e plotë e përfitimeve dhe humbjeve të kësaj ideje do të ishte e mundur pasi të dihet nëse implementimi i saj është i mundur fare, si dhe detajet që lidhen me përfaqësimin në institucione, kohëzgjatjen e kufizimeve, si dhe formulimet juridike në ndryshimet e marrëveshjeve themeluese", konkludon Naumovski për MIA-n.
Foto: аrkivi i MIA-s