• e shtunë, 23 nëntor 2024

Anëtare të BE-së kërkojnë më shumë ndërlidhje të energjisë për të ulur çmimet e energjisë elektrike

Anëtare të BE-së kërkojnë më shumë ndërlidhje të energjisë për të ulur çmimet e energjisë elektrike

Bruksel, 16 tetor 2024 (MIA) – Dymbëdhjetë vende anëtare të BE-së i bënë thirrje Komisionit Evropian që ta mbështesë krijimin e ndërlidhjeve të energjisë, para së gjithash për përçim të energjisë elektrike, me qëllim që të kontribuohet për uljen e çmimeve të rrymës dhe të karburanteve të tjera, në kushte të paqëndrueshmërisë së tregut.  

“Ndërlidhjet dhe bashkëpunimi ndërkufitar janë kyçe për uljen e çmimeve të energjisë, lehtësimin e tranzicionit, funksionimin e tregut, parandalimin e bllokimeve në rrjetin energjetik dhe përshpejtimin e dekarbonizimit”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Austrisë, Gjermanisë, Greqisë, Danimarkës, Irlandës, Italisë, Qipros, Luksemburgut, Maltës, Portugalisë, Holandës dhe Spanjës.

Në dokument theksohet se në kushte kur “çmimet e energjisë elektrike lëvizin më shumë se më parë”, fuqizimi i “ndërlidhjeve ndërkufitare energjetike është me rëndësi themelore për funksionim të plotë të tregut të brendshëm të energjisë” të BE-së.

“Nevojiten masa urgjente që të sigurohet integrim më i madh i sistemeve ndërkufitare për energji elektrike të BE-së, duke e përfshirë edhe realizimin e qëllimeve për ndërlidhje elektroenergjetike deri në vitin 2030”, shtohet në dokument. 

Sipas nënshkruesve të deklaratës, vitet e ardhshme do të jenë kyçe për uljen e çmimeve të energjisë për industrinë dhe qytetarët e BE-së.

“Varësia jonë e madhe nga karburantet fosile, në kombinim me agresionin rus ndaj Ukrainës dhe fakti që Rusia e shfrytëzon furnizimin me energji si armë”, u tregua si përzierje e rrezikshme”, thuhet në deklaratë. 

Dymbëdhjetë vendet bëjnë thirrje për “veprim të bashkuar të BE-së”, si gjatë krizës energjetike prej para dy viteve të shkaktuar nga pushtimi rus ndaj Ukrainës, i cili tani do të përfshinte edhe “zgjidhje gjithëpërfshirëse” për fuqizimin e lidhjeve të ndërsjella. 

“Përveç sigurimit të financimit adekuat nga BE-ja për burimet e rinovueshme të energjisë, Evropa, para së gjithash, duhet ta rrisë financimin privat të investimeve në burimet e rinovueshme të energjisë, rrjetet elektrike dhe ndërlidhësve”, bëhet e ditur në dokument. 

Tre vende anëtare të BE-së nga Evropa Juglindore – Bullgaria, Greqia dhe Rumania, muajin e kaluar i kërkuan BE-së të marrë masa për të ulur çmimet e energjisë, kryesisht të energjisë elektrike, në rajon dhe t'i afrojë ato me nivelin e çmimeve në Evropën Perëndimore. Sipas tre vendeve, arsyeja për energjinë më të shtrenjtë në Evropën Juglindore është numri i pamjaftueshëm i ndërlidhjeve me Evropën Qendrore dhe rritja e eksportit të energjisë elektrike në Ukrainë dhe Moldavi.

Nga ana tjetër, Portugalia dhe Spanja kërkojnë rritje të infrastrukturës së ndërlidhjes me arsyetimin se Gadishulli Iberik ka "pak ndërlidhje energjetike me pjesën tjetër të BE-së". Në kuadër të nismës energjetike “Repauer BE”, e nisur në maj të vitit 2022, parashikohet rritje e ndërlidhjeve me energji elektrike dhe gaz të Portugalisë dhe Spanjës me shtetet e tjera anëtare të Bashkimit. Gjithashtu, në tetor të po këtij viti, të dy vendet arritën marrëveshje me Francën për ndërtimin e një gazsjellësi nënujor, përmes të cilit do të transportohej fillimisht gazi dhe në të ardhmen hidrogjeni i gjelbër. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR