• e enjte, 26 dhjetor 2024

Anëtarët e Komisionit për financim dhe buxhet në takim me përfaqësues të Bankës Botërore

Anëtarët e Komisionit për financim dhe buxhet në takim me përfaqësues të Bankës Botërore

Shkup, 6 dhjetor 2023 (MIA) - Anëtarët e Komisionit për financim dhe buxhet u takuan me përfaqësuesit e Bankës Botërore. Në fokus të takimit ishte diagnostikimi i përditësuar sistematik për Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe rezultatet e deritanishme të partneritetit me Bankën Botërore.

Sanja Maxhareviq-Shujster, ekonomiste e lartë në kompetencën e së cilës është rajoni i Ballkanit Perëndimor, tha se rritja ekonomike e arritur nga Republika e Maqedonisë së Veriut në periudhën e kaluar nuk ishte e mjaftueshme për të mbyllur hendekun në standardin jetësor në krahasim me vendet evropiane dhe se kjo është arsyeja kryesore pse shumë të rinj emigrojnë jashtë vendit.

“Maqedonia e Veriut ka një nga diasporat më të mëdha për nga numri i popullsisë dhe emigrimi i gjeneratave të reja e përshpejton procesin e plakjes demografike. Pjesa më e madhe e atyre që emigrojnë janë të moshës 20 deri në 39 vjeç - në vitet e tyre më produktive dhe janë të grupuar në dy ekstreme të spektrit arsimor, ose në nivel shumë të ulët ose shumë të lartë arsimor. Për t'i inkurajuar të rinjtë të qëndrojnë, firmat duhet të zvogëlojnë hendekun e rrogave me BE-në, por kjo do të kërkojë rritje të produktivitetit, integrim tregtar dhe inovacione më të mëdha," tha Maxhareviq-Shujster.

Kryetari i Komisionit për financim dhe buxhet, Bojan Stojanoski, tha se në Raportin e Bankës Botërore ka shumë gjëra që duhet t'i zbatojmë dhe se duhet të bëjmë më shumë reforma sistematike.

“Problemi më serioz me të cilin personalisht mendoj se do të përballemi si vend në një periudhë shumë të shkurtër kohore është shpopullimi i popullsisë, që ndodhi 32 vite më parë. Mendoj se këtu duhet bërë diçka në mënyrë ofansive, siç thatë edhe ju - masa të shpejta për t'i ndryshuar gjërat. Ne duhet të kuptojmë se do të duhet të zgjerojmë kuotën e njerëzve që do të vijnë të punojnë këtu, sepse nuk kemi më punëtorë për pozicione të caktuara të punës, dhe ky është fakt”, tha Stojanovski.

Deputeti Dime Vellkovski iu referua diagnostifikimit të përditësuar për vendin dhe tha se në sektorin e bujqësisë dhe ushqimit ka potencial për rritjen e produktivitetit dhe për vende të reja të punës dhe se është dakorduar që ky potencial nuk është shfrytëzuar plotësisht.

“Në periudhën e ardhshme do të duhet të kemi shumë investime për të marrë atë që duam të marrim, të kemi eksporte më të mira, të krijojmë vende të reja pune dhe normalisht të ardhura më të larta”, shtoi Vellkovski.

Analiza e paraqitur në diagnostikimin sistematik të vendit nxjerr në pah katër rezultate të nivelit të lartë që nevojiten për të arritur rritje më të shpejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për reduktimin e varfërisë dhe prosperitetin e përbashkët në Maqedoninë e Veriut. mb/

Foto: Kuvendi i RMV

QËNDRONI TË LIDHUR