• e enjte, 26 dhjetor 2024

AMS: Investimet në sigurimet jo-jetë u rritën 10 për qind, arritën në 90 milionë euro në pesë muaj

AMS: Investimet në sigurimet jo-jetë u rritën 10 për qind, arritën në 90 milionë euro në pesë muaj

Shkup, 13 qershor 2024 (MIA) - Investimet në të gjitha sigurimet jo-jetë për pesë muajt e parë të vitit (janar-maj) kanë kaluar 5,5 miliardë denarë (89,6 milionë euro). Vlera e investimeve në sigurimet tek qytetarët, institucionet dhe kompanitë këtë vit është rritur me 10 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tregojnë të dhënat zyrtare të dorëzuara pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve (AMS) nga shoqëritë e sigurimeve jo-jetë.

Gjatë kësaj periudhe rritet edhe vlera e dëmeve të paguara të mbuluara nga sigurimet. Për pesë muajt e parë të këtij viti, të siguruarit nga shoqëritë  e sigurimeve kanë arkëtuar 1,95 miliardë denarë (31,7 milionë euro). Vlera e dëmeve të siguruara të paguara këtë vit është 6 për qind më e lartë se një vit më parë.

"Treguesit kryesorë për investimeve në sigurime dhe dëmet e paguara tregojnë se industria po shënon rritje të vazhdueshme. Në të njëjtën kohë, volumi i sigurimeve, numri i personave të siguruar, rreziqet e marra në sigurime, si dhe vlera e dëmeve të siguruara të paguara, janë në rritje. Trendi dëshmon se aktivitetet e AMS-së në vazhdimësi ofrojnë parakushte për rritjen e shitjeve të sigurimeve, por edhe rritjen e mbrojtjes së policëmbajtësve apo të siguruarve", thonë nga AMS.

Nga sigurimet fakultative, produkti më i kërkuar dhe me rritje më të shpejtë vazhdon të jetë sigurimi shëndetësor privat (vullnetar). Në policat e sigurimit shëndetësor në pesë muajt e parë janë investuar 687,7 milionë denarë (11,2 milionë euro). Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, investimet në sigurime shëndetësore janë rritur për 35 për qind.

Rritje solide ka edhe në sigurim kasko i mjeteve motorike. Kompanitë e sigurimeve për pesë muaj kanë shitur polisa në vlerë të përgjithshme prej 543 milionë denarësh (8,83 milionë euro), që është 17 për qind rezultat më i mirë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar.

Klasa më e madhe vullnetare, sipas vëllimit të investimeve, mbetet sigurimi i pasurisë. Në këtë periudhë qytetarët, institucionet dhe kompanitë kanë investuar 1,22 miliardë denarë (19,82 milionë euro) dhe kjo është një rritje minimale prej 2 për qind në krahasim me vitin paraprak.

"Nga klasa më e madhe, e cila është e detyrueshme edhe me ligj, që është sigurimi i autopërgjegjësisë (AP) ose TPL, në pesë muajt e parë kompanitë kanë arkëtuar 2,21 miliardë denarë (36 milionë euro). Investimet në këtë sigurim janë rritur për 7 për qind krahasuar me vitin e kaluar, dhe kjo për shkak të rritjes së numrit të automjeteve të siguruara në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar", theksojnë nga AMS.

Në pesë muajt e parë të këtij viti, kompanitë e sigurimeve kanë lidhur mbi 676 mijë kontrata me klientët e tyre për pranim në sigurime. Numri i kontratave të lidhura këtë vit është rritur për 5 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Shumica e kontratave të sigurimit, mbi 305 700, janë lidhur për sigurimin nga aksidentet. Është një produkt i destinuar për sigurimin kolektiv të punonjësve dhe nxënësve që mbulon dëmtimet në ose jashtë vendit të punës apo shkollës. ls/

Foto: AMS

Фото: СО 

QËNDRONI TË LIDHUR