• e mërkurë, 01 prill 2026

Amnesti Interneshënëll për planin e Netanjahut në Rafah: Palestinezët në Gazë janë nënshtruar rrezikut të lartë të gjenocidit

Amnesti Interneshënëll për planin e Netanjahut në Rafah: Palestinezët në Gazë janë nënshtruar rrezikut të lartë të gjenocidit

Londër, 10 shkurt 2024 (MIA) - Amnesti Interneshënëll ka lëshuar një paralajmërim, duke pretenduar se urdhrat e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu drejtuar armatës për të planifikuar ofensivë në Rafah në Rripin e Gazës paraqesin "rrezik serioz të gjenocidit" për civilët, bën të ditur Agjencia Anadollu.

Netanjahu dje urdhëroi ushtrinë të paraqesë plan për të evakuuar civilët nga Rafah dhe për të mposhtur batalionet e atjeshme të Hamasit.

Sekretarja e përgjithshme e Amnesti Interneshënëll, Agnes Kallamar ngriti dilema në rrjetin social X në lidhje me sigurinë e masave të evakuimit, duke theksuar situatën e rëndë me të cilën përballen civilët në Gaza.

"Evakuim? POR KU? Nuk ka ku të shkosh”, theksoi Kalamar. “Bashkësia ndërkombëtare ka për detyrë të veprojë për të parandaluar gjenocidin”, ka shkruar ajo.

Pas publikimit se Netanjahu ka kërkuar planin, ka reaguar edhe presidenca palestineze e cila ka bërë të ditur se agresioni izraelit në Rafah “ka tejkaluar të gjitha vijat e kuqe”. Gjithashtu u theksua se kjo paraqet një "uverturë të rrezikshme për zbatimin e politikës së shpërnguljes së palestinezëve".

Rreth 1.4 milionë palestinezë ndodhen në Rafah pasi ushtria izraelite detyroi qindra mijëra palestinezë nga Rripi i Gazës në pjesën veriore të evakuohen në jug.

Pas padisë për gjenocid të ngritur nga Republika e Afrikës së Jugut, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 26 janar solli vendim se Izraeli duhet të përmbahet nga çdo veprim që lidhet me vrasjen, sulmet dhe shkatërrimin e popullit të Gazës dhe të ndërmarrë të gjitha masat për të parandaluar gjenocidin.

Megjithatë, forcat izraelite vazhdojnë të kryejnë sulme ku që nga 7 tetori deri tani janë vrarë të paktën 27.947 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, ndërsa janë plagosur 67.459.

Foto: DPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR