• e enjte, 26 dhjetor 2024

Ambasadori i Italisë në vendin tonë, në UT mbajti ligjëratë për Bashkimin Evropian si krijim juridik dhe politik

Ambasadori i Italisë në vendin tonë, në UT mbajti ligjëratë për Bashkimin Evropian si krijim juridik dhe politik

Shkup, 29 mars 2023

Ambasadori i Republikës së Italisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, shkëlqesia e tij Andrea Silvestri qëndroi për vizitë pune në Universitetin e Tetovës. Fillimisht ai u prit në takim nga Rektori i Universitetit tonë, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti dhe bashkëpunëtorët e tij.

Në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin e mundshëm në të ardhmen mes dy institucioneve, ku rëndësi e veçantë iu kushtua Katedrës së Gjuhës Italiane në Universitetin tonë. Ambasadori Andrea Silvestri tha se Ambasada Italiane do të jetë në gatishmëri për të bashkëpunuar me Universitetin e Tetovës me qëllim të nxitjes së të rinjve për ta studiuar gjuhën italiane. Ndërsa Rektori i UT-së, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti tha se Universiteti ynë gjithashtu është i gatshëm për të krijuar ura të reja miqësie me universitetet nga Republika e Italisë, me qëllim që në të ardhmen të bashkëpunojmë në projekte të ndryshme ndërkombëtare, të cilët do të ishin në dobi të universiteteve tona dhe studentëve në përgjithësi.

Pas takimit me udhëheqësit e Universitetit, Ambasadori Italian, Andrea Silvestri mbajti një ligjëratë profesionale para studentëve dhe profesorëve të Fakultetit Juridik. Me këtë rast, Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti në fjalën e tij përshëndetëse tha se është kënaqësi për të gjithë që ambasadori i Italisë, Andrea Silvestri do t’i ndajë pikëpamjet e tij për Bashkimin Evropian, si krijim juridik dhe politik. “Si Rektor i Universitetit të Tetovës, dëshiroj ta shfrytëzoj rastin për ta riafirmuar përkushtimin tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Universiteti ynë ka qenë një mik dhe mbështetës i madh i kombit tonë në rrugën drejt integrimeve euroatlantike, dhe ne jemi të përkushtuar ta luajmë rolin tonë në avancimin e aspiratave evropiane. Orientimi i palëkundur i Universitetit të Tetovës drejt integrimeve euroatlantike të vendit dhe rajonit është dëshmi e përkushtimit ndaj studentëve, komunitetit dhe vendit tonë”, theksoi Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.

Ndërsa në ligjëratën e tij, me temë “Bashkimi Evropian si krijim juridik dhe politik”, ambasadori Silvestri foli gjerësisht mbi evolucionin e krijimit të Bashkimit Evropian që nga themelimi e deri më sot.

Gjatë kësaj ligjërate, ai u përqendrua mbi procesin e funksionimit dhe të vendimmarrjes në BE. Ai po ashtu në fokus të kësaj ligjërate e kishte edhe kontributin dhe rolin e Italisë në Bashkimin Evropian. Në përmbyllje të ligjëratës së tij ambasadori italian Silvestri u shpreh optimist se në të ardhmen edhe Maqedonia e Veriut do të jetë anëtare e plotë e BE-së.

Qëndrimin e tij në Universitetin tonë, Ambasadori Andrea Silvestri e përmbylli me vizitën në Fakultetin e Arteve ku u përurua vepra artistike e artistit italian Roberto Geci, dhuratë nga Ambasada Italiane, po ashtu e vizitoi edhe laboratorin për kontrollin e ushqimeve në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit.

Njësia për protokoll dhe marrëdhënie me opinionin

________________________________________________________________________________________ MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

Fotografia: UT

QËNDRONI TË LIDHUR