• e enjte, 26 dhjetor 2024

Alternativa me propozim për një amendament kushtetues për mosvjetërsimin e veprave penale të funksionarëve

Alternativa me propozim për një amendament kushtetues për mosvjetërsimin e veprave penale të funksionarëve

Shkup, 23 mars 2023 (MIA) - Partia Alternativa ka përgatitur një propozim tekst për një amendament kushtetues, i cili parashikon mosvjetërsimin e veprave penale të kryera nga zyrtarë të zgjedhur dhe të emëruar në pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe lokal.

Kështu ka bërë të ditur sot në një konferencë për media, zëdhënësi i Alternativës, Orhan Murtezani, i cili ka theksuar se amendamenti kushtetues është bërë në konsultim me organet ligjore. Ai theksoi se në një debat të gjerë publik janë ftuar ekspertë kushtetues dhe partitë  tjera politike.

"Synimi ynë është të ndërtojmë një mekanizëm kushtetues, i cili do t'u drejtohet të gjithë zyrtarëve të zgjedhur dhe të emëruar në pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe lokal, të cilët duke ushtruar në mënyrë të paligjshme detyrën zyrtare kanë fituar interes pronësor kundërligjor. Propozimi i Alternativës është që ligjet të mund të kenë efekt prapaveprues në rastet që lidhen me vjetërsimin e përgjegjësisë penale për keqpërdorimet e kryera nga persona të zgjedhur dhe të emëruar në ushtrimin e autorizimeve publike që kanë shkaktuar dëme në fondet publike, mjetet buxhetore në nivel lokal dhe qendror dhe me keqpërdorime të tilla është arritur interes pronësor i kundërligjshëm", tha Murtezani.

Propozimi parashikon plotësimin e nenit 52 të Kushtetutës me paragrafin pesë se “ligjet dhe aktet nënligjore nuk mund të kenë efekt prapaveprues, përveç me përjashtim të rasteve kur është më e favorshme për qytetarët”.

Sipas Murtezanit, amendamenti i propozuar do të jetë bazë dhe do të hapë mundësinë që duke ndryshuar dhe plotësuar nenin 112-a të ri të Kodit Penal, të parashikohet një dispozitë me të cilën mund të bëhen krimet e mundshme të kryera nga persona të zgjedhur dhe të emëruar të cilat janë kategorizuar si vepra penale gjatë shpërdorimit të detyrës zyrtare, për të mos u vjetërsuar kurrë. Kjo, siç tha ai, nënkupton zgjerimin e fushës së konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, të regjistruar tek personat e tretë.

"Ky amendament do të sigurojë një bazë kushtetuese për revizionin e të gjitha proceseve gjyqësore për personat e zgjedhur dhe të emëruar të mëparshëm apo aktual, të cilat janë ndërprerë për shkak të vjetërsimit të përgjegjësisë së mundshme penale. Me këtë amendament, në fakt do të plotësohen kërkesat e qytetarëve për sigurimin e sundimit të ligjit, sigurisë juridike dhe barazisë para ligjeve dhe procedurave gjyqësore për të gjithë personat e zgjedhur dhe të emëruar, të cilët me propozimin e partive politike që kanë kryer apo janë duke mbajtur funksione në pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe lokal, ndërsa të cilët keqpërdorin ndikimin e tyre dhe ushtrojnë presion për të zgjatur procedurat ndaj tyre deri në vjetërsimin e tyre", tha Murtezani. sa/

Foto: Alternativa

 

QËNDRONI TË LIDHUR