• e premte, 27 dhjetor 2024

Aliu: Zgjidhjet e arritura në "Ballkanin e Hapur" nga aspekti digjital do të përdoren për procesin e Berlinit

Aliu: Zgjidhjet e arritura në

Shkup, 27 korrik 2023 (MIA) - Procesi i Berlinit është një proces që përfshin të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe gjithçka që është e dobishme nga bashkëpunimi në "Ballkanin e Hapur" nga aspekti digjital do të përdoret edhe për Procesin e Berlinit. Vlerësoj që Procesi i Berlinit është ai eko sistem, në të cilin ne duhet të investojmë shumë  si vend dhe si rajon me qëllim që të kemi transformim të suksesshëm digjital.

Këtë e theksoi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Azir Aliu i pyetur për projektet në fushën e digjitalizimit në suaza të nismës "Ballkani i Hapur" në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij malazez, ministrin e Administratës Publike Marash Dukaj pas nënshkrimit të memorandumit për mirëkuptim në fushën e digjitalizimit dhe sigurisë informatike.

"Ne thamë së bashku me kolegun tonë, në takim, se transformimi digjital pa implementim të suksesshëm dhe komunikim me vendet do të jetë lokal dhe përveç zgjidhjeve në nivel lokal nuk do të jemi të dukshëm si rajon.  Pra, unë jam për Procesin e Berlinit si i tillë dhe prandaj thashë se e tëra është kur ka gjithçka. "Ballkani i Hapur" është proces  në të cilin janë aktive disa vende dhe gjatë asaj periudhe kemi pasur disa zgjidhje nga aspekti digjital. Në ato zgjidhje shpresoj se do të përfshijmë edhe shtetet tjera që nuk kanë qenë pjesë e atij procesi që të shfrytëzohen për procesin e Berlinit", tha Aliu.

I pyetur nëse mund të presim që Mali i Zi së shpejti t'i bashkohet nismës "Ballkani i Hapur", Dukaj është përgjigjur se procesi i Berlinit është prioritet për Podgoricën.

"Ne në Mal të Zi e mbështesim çdo bashkëpunim të vendeve nga rajoni, dhe pa atë bashkëpunim nuk mund të arrijmë. Do të thotë, ne së pari duhet t'i përfundojmë  obligimet tona vendore, të kemi komunikim të shkëlqyer dhe ta vazhdojmë më tutje rrugën drejt BE-së. Për ne në Mal të Zi, Procesi i Berlinit është prioritet dhe për momentin nuk mendojmë për procese të tjera që lidhen me "Ballkanin e Hapur". Pra duhet të fokusohemi në atë që është funksionale dhe në harmoni me të gjitha proceset dhe ku të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë në atë proces", tha Dukaj. sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR