• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Aliu: Vetëm përmes digjitalizimit mund t'i përmirësojmë proceset

Aliu: Vetëm përmes digjitalizimit mund t'i përmirësojmë proceset

Shkup, 6 korrik 2023 (MIA) - Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu sonte deklaroi se angazhohet për digjitalizim dhe transformim digjital të shoqërisë sonë, nga aspekti i administratës publike dhe shërbimeve të cilat i ofrojnë institucionet tona. Vetëm, siç tha, përmes digjitalizimit mund t'i përmirësojmë proceset, dhe në administratën publike, qytetarët të jenë më të kënaqur dhe politikat tona të jenë më transparente. 

"MSHIA-ja për momentin është duke punuar në pesë ligje në pjesën e administratës publike, dy prej të cilave janë gati dhe pritet që Qeveria t'ia dorëzojë Kuvendit si propozim-tekste për përpunim të mëtejshëm. Tre të tjerët janë në fazën finale", deklaroi Aliu në Ditarin e TV Sitel. Sipas tij, me ato ligje do të përmirësohet administrata publike, procesi i punësimit dhe tha se do të ketë ligje për shërbimin e lartë drejtues, për krijimin e pagave, për organizimin e shërbimit publik...

I pyetur për modelin e departizimit të administratës, Aliu deklaroi se personalisht nuk e di si do të bëhej kjo, sepse nuk është jurist me profesion. 

"Sipas gjitha gjasave, kjo bie ndesh me të drejtën e çdo qytetari në vendin tonë. Personalisht nuk e di nëse është e drejtë, më e rëndësishme është se aty ku kemi të punësuar të jenë të punësuar me performanca që kërkon ai vend i punës. Të mos kemi partizim dhe që partitë politike të mos insistojnë që të punësojnë administratorë vetëm pse janë pjesë e partive politike", deklaroi  Aliu.

Ministri Aliu shprehi keqardhje që në shumë institucione të punësuarit kërkojnë pushim pa pagesë, shkojnë për disa muaj jashtë vendit dhe një pjesë e tyre pas disa viteve mbesin atje. Theksoi se pushimi pa pagesë iu takon me ligj të punësuarve, ndërsa nga ana tjetër, siç tha, janë të kufizuar. 

"Menaxherët e institucioneve duhet ta kenë parasysh se puna nuk guxon të bllokohet në institucionet tona", tha Aliu. 

Ai informoi se sot ka pasur takim me përfaqësues të gjashtë universiteteve në vend, me karakter publik dhe paralajmëroi se do të krijojnë grupe të punës. Në to do të ketë profesorë universitarë, përfaqësues të sektorit privat, të sektorit publik dhe nga sektori joqeveritar... Qëllimi, siç theksoi, është që ne të kemi sa më shumë projekte, të aplikojmë për fonde... fc/

Fotografia: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR