• e enjte, 26 dhjetor 2024

Aliu: Teknologjia dhe dixhitalizimi ofrojnë dhe sjellin vlera në të gjitha aspektet e jetës sonë

Aliu: Teknologjia dhe dixhitalizimi ofrojnë dhe sjellin vlera në të gjitha aspektet e jetës sonë

Shkup, 16 qershor 2023 (MIA) - Teknologjia dhe dixhitalizimi ofrojnë dhe japin vlerë në të gjithë sektorët, në të gjitha aspektet e jetës sonë. Prandaj është thelbësore që ne të ndërmarrim  hapa konkret për përmirësimin e infrastrukturës dhe lidhjeve në rajon. Këtë sot e tha ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Azir Aliu në ditën e dytë të Forumit të Prespës për Dialog 2023 në Strugë.

Ministri Aliu, siç informon Shërbimi për shtyp i Qeverisë, e hapi panel diskutimin "Transformimi dixhital lidh: perspektiva për ndërtim të partneritetit në Ballkanin Perëndimor".

"Krijimi i një tregu të përbashkët dixhital përmes teknologjisë së avancuar hap derën për një sërë mundësish në sektorë të tjerë kyç, si infrastruktura apo arsimi. E vlerësojmë fillimin e dialogut rregullator ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, i fokusuar në reformat legjislative, në përputhje me synimet e transformimit dixhital dhe të gjelbër", theksoi ministri Aliu.

E ftuar speciale në këtë panel ishte ministrja sllovene për Informatikë dhe Dixhitalizim Emilia Stojmenova Duh, e cila tha se suksesi i transformimit dixhital mund të arrihet nëse qytetarët besojnë  në transformimin dixhital.

Ministri Aliu përkujtoi se në mënyrë aktive po punohet në themelimin e agjencisë dixhitale e cila do të shërbejë si katalizator në rrugëtimin tonë dixhital dhe do të fokusohet  në katër shtylla: siguria kibernetike, IT infrastruktura, zgjidhjet softuerike, akademitë dhe trajnimet.

"Revolucioni dixhital është një realitet, por edhe një proces i vazhdueshëm. Dixhitalizimi i sistemeve, shërbimeve publike dhe infrastrukturës sonë ka të metat e veta, veçanërisht nga sulmet kibernetike. Prandaj duhet të punojmë shumë për të ndërmarrë veprime për përmirësimin e bashkëpunimit për sigurinë kibernetike në rajon duke rritur mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe duke rritur sigurinë e sistemeve dhe rrjeteve tona dixhitale", tha Aliu.

Panelistët, siç u tha, arritën në përfundimin se transformimi dixhital i Ballkanit Perëndimor paraqet sfida dhe mundësi.

"Përmes partneriteteve ne mund t'i kapërcejmë këto sfida dhe të përfitojmë nga mundësitë që kemi përpara. Duke përmirësuar infrastrukturën dhe lidhjen, duke pranuar me përgjegjësi teknologjitë e reja dhe duke angazhuar organizata dhe donatorë ndërkombëtarë, ne mund të hapim rrugën për një të ardhme dixhitale të begatë", thuhet në njoftimin e Qeverisë. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR