• e shtunë, 28 dhjetor 2024

Aliu: Qëndrim përfundimtar për ndalimin e rrjetit social Tik Tok pas koordinimit me institucionet e drejtësisë, arsimit dhe sigurisë

Aliu: Qëndrim përfundimtar për ndalimin e rrjetit social Tik Tok pas koordinimit me institucionet e drejtësisë, arsimit dhe sigurisë

Shkup, 7 maj 2023 (MIA) - Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu thotë se qëndrimi përfundimtar lidhur me nismën për ndalimin e rrjetit social Tik Tok në vend do të merret vetëm pas një aktiviteti të koordinuar me institucionet e drejtësisë, arsimit dhe sigurisë.

Në një deklaratë me shkrim pasditen e sotme, Aliu shprehu keqardhjen dhe ngushëllimin e thellë për familjet e viktimave dhe qytetarët e Serbisë fqinje, ndërsa duke iu referuar nismës për ndalimin e rrjetit social Tik Tok, theksoi se e mbështesin nismën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për vlerësim të rreziqeve nga të gjitha platformat sociale.

"Para së gjithash, censura është e rregulluar me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. Kështu që, qëndrim përfundimtar për një masë të tillë mund të pasojë vetëm pas një aktiviteti të koordinuar me institucionet e drejtësisë dhe institucionet tjera arsimore dhe të sigurisë në shtet. Nisur nga kjo, ne mbështesim nismën e Ministrisë së Arsimit për të vlerësuar rreziqet nga të gjitha platformat sociale. MSHIA ka një qëndrim të qartë, është kundër çdo lloj gjuhe të urrejtjes apo dhunës, pa përjashtim". Ne mbështesim sanksionimin e çdo burimi të gjuhës së urrejtjes/dhunës", thotë Aliu.

Është e nevojshme, theksoi ministri i këtij dikasteri, të bëjmë dallimin midis gjuhës së urrejtjes/dhunës si dhe burimeve të gjuhës së urrejtjes/dhunës nga njëra anë dhe vetë platformave përmes të cilave do të transmetohej një gjuhë e tillë.

"Prandaj, ministria merr parasysh të gjitha platformat sociale pa përjashtim. Edhe pse aktualisht nuk mbajmë qëndrim për ndalimin e asnjë platforme sociale, por edhe si prindër, besojmë fuqishëm se platformat sociale si fenomen i qytetërimit të kohës sonë duhet të fillojnë të rregullohen. Rrjedhimisht, ne si Ministri tashmë jemi duke ndërmarrë aktivitete përgatitore në atë drejtim dhe në kohën e duhur do të përfshihemi me nisma shoqërore", thotë Aliu. 

Nga MSHIA bëjnë thirrje për ngritjen e ndërgjegjes për platformat sociale te kuadrit edukativo-arsimor dhe te prindërit për vëmendje të madhe. Përveç kësaj, duke përfshirë edhe sektorin joqeveritar, si dhe institucionet tjera shtetërore, koncesionarët e televizionit dhe radios apelojmë të prodhojnë përmbajtje me karakter edukativo-arsimor dhe të mbushin zbrazëtirat në platformat sociale me përmbajtje të mirë.

"Me vigjilencë do t’i ndjekim zhvillimet dhe do të jemi në kontakt me institucionet kompetente. Duke pasur parasysh ndjeshmërinë dhe rreziqet, mbetemi plotësisht të hapur për komunikim me të gjithë aktorët shoqërorë", thotë ministri Aliu. fc/

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR