• e shtunë, 23 nëntor 2024

Aliu - Dukaj: Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi bashkërisht do të aplikojnë për vendosjen e sistemit "Pejpal"

Aliu - Dukaj: Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi bashkërisht do të aplikojnë për vendosjen e sistemit

Shkup, 27 korrik 2023 (MIA) -  Ministri i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu, së bashku me ministrin e Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj, sot në Shkup nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit në sferën e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike.

Ministri Aliu në konferencën për shtyp tha se ishte nder dhe kënaqësi të mirëpriste kolegun e tij, ministrin e Administratës Publike të Malit të Zi - Marash Dukaj.

"Për të konkretizuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona, sot po nënshkruajmë Memorandumin e Mirëkuptimit për nxitjen e politikave zhvillimore dhe sipërmarrjes në sferën e teknologjisë digjitale dhe sigurisë kibernetike. Përforcimi i sigurisë kibernetike, veçanërisht në këtë periudhë kur teknologjia po bëhet gjithnjë e më e sofistikuar, është një sfidë e përditshmërisë që kërkon gjithmonë vëmendje, përkushtim dhe bashkëpunim. Digjitalizimi, mbrojtja e sistemeve tona, shkëmbimi i informacioneve, shkëmbimi i njohurive, kapacitetet njerëzore, që pasqyrojnë vlerat më të rëndësishme për sektorin e sigurisë kibernetike, janë fokusi i këtij Memorandumi”, tha ministri Aliu.

Ministri i Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj, poashtu shprehu kënaqësi të veçantë për nënshkrimin e sotëm të Memorandumit:

"Siguria kibernetike po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në shoqëritë tona, të gjitha vendet e rajonit po përballen me kërcënime të shumta, prandaj bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar është i domosdoshëm për një luftë efikase kundër këtyre kërcënimeve edhe për mbrojtjen e shoqërisë, ekonomisë dhe infrastrukturës tonë", tha ministri Dukaj.

Gjithashtu, në takimin bilateral u diskutua edhe për sistemin e pagesave onlajn Pejpal (PayPal). Ministri Aliu potencoi se dy vendet do të aplikojnë bashkërisht për të qenë pjesë e këtij sistemi të pagesave onlajn.

"Një hap tjetër i rëndësishëm që shpie përpara është se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi do të aplikojnë së bashku për të qenë pjesë e sistemit të pagesave onlajn PayPal, me sugjerim të vetë kompanisë. Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi së shpejti do të jenë pjesë e PayPal", theksoi ministri Aliu.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR