• e enjte, 26 dhjetor 2024

Ali Ahmeti: Të gjithë ministrat e BDI-së i dorëzuan kryeministrit Kovaçevski dorëheqjet për zhbllokimin e së ardhmes evropiane të vendit

Ali Ahmeti: Të gjithë ministrat e BDI-së i dorëzuan kryeministrit Kovaçevski dorëheqjet për zhbllokimin e së ardhmes evropiane të vendit

Shkup, 30 korrik 2023 (MIA) - Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti i është drejtuar me letër publike kryeministrit Dimitar Kovaçevski, në të cilën thotë se ministrat dhe funksionarët e BDI-së japin dorëheqje. Kryetari Ahmeti tha se ky vendim hyn në fuqi ditën kur opozita do të votojë ndryshimet kushtetuese.

"I nderuar kryeministër, Dimitar Kovaçevski,

Duke vlerësuar se vendi ynë, Republika e Maqedonisë së Veriut, gjendet në një fazë kritike të së ardhmes sonë europiane, duke patur peshën e integrimit si proces politik në 20 vitet e fundit, duke vlerësuar se vendimet e mëdha kërkojnë përgjegjësi dhe sakrifica politike, kombëtare e shtetërore nga secili prej nesh, duke u nisur nga kushtëzimi i opozitës se do t'i votonin ndryshimet kushtetuese nëse Bashkimi Demokratik për Integrim del nga Qeveria.

Duke qenë të zgjedhur legjitim nga vullneti i votuesit shqiptarë, duke qenë të vetëdijshëm për shpresat dhe ëndrrën e njerëzve për t’u bërë pjesë e familjes së madhe europiane, duke qenë se Bashkimi Demokratik për Integrim dhe unë, mbetemi të përkushtuar në përcaktimin se integrimi euroatlantik, me të drejta të plota i shtetit, përpos se në NATO, edhe në Bashkimin Evropian,si dhe aleanca e pashkëputur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë qenë, janë dhe mbeten interesi më madhor i të gjithë qytetarëve tanë, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare e fetare,

Ministrat dhe funksionarët qeveritarë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim japin dorëheqje nga postet që aktualisht janë duke i ushtruar! 

Dorëheqjet, z. Kryeministër, materializohen me automatizëm në momentin kur opozita të votojë ndryshimet kushtetuese", thuhet në letrën dërguar kryeministrit Kovaçevski nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. bsh/

Foto MIA

QËNDRONI TË LIDHUR