• e enjte, 26 dhjetor 2024

Aleanca për Shqiptarët bëhet pjesë e Qeverisë

Aleanca për Shqiptarët bëhet pjesë e Qeverisë

Tetovë, 9 shkurt 2023 (MIA) -Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, pas mbledhjes së Kryesisë Qendrore informoi se partia do të jetë pjesë e Qeverisë. Ata deri më tani kanë zhvilluar negociata me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, gjatë të cilave është rënë dakord që të kenë tri pozita ministrore dhe dy zëvendësministra. Vendimi i ASH-së u mor pasi referendumi brendapartiak u mbajt në mënyrë elektronike nga anëtarët që miratuan pjesëmarrjen e partisë në pushtetin ekzekutiv. 

"Nga shumica e anëtarëve të ASH-së morëm fit bek se është mirë që Aleanca të jetë pjesë e Qeverisë. Gjithashtu, shumica e anëtarëve të Kryesisë Qendrore morën vendim me pakon që ia paraqitëm ASH-së për të qenë pjesë e Qeverisë, me dy zëvendësministra të Mbrojtjes dhe të Bujqësisë dhe tre pozita ministrore - të drejtësisë dhe shëndetësisë janë të sigurta dhe ministria e tretë do të jetë,  qoftë Ministria e Shoqërisë Informatike ose zëvendëskryeministri për Çështjet Ekonomike. Këto janë vendimet, ndërsa për zgjidhjet kadrovike do të vazhdojë  mbledhja e Kryesisë Qendrore", theksoi Taravari.

Ai tha edhe se gjatë ditës së nesërme vazhdojnë bisedimet me kryeministrin Dimitar Kovaçevski për zgjidhjet kadrovike.

"Me shumë mundësi nesër do të kemi një takim me Kovaçevskin pas së cilës do të nënshkruajmë programet tashmë të sinkronizuara dhe ndoshta nesër do të jepen emrat e ministrave dhe zëvendësministrave të mundshëm të ardhshëm. Ka edhe drejtori, por nuk do të hyja në një diskutim të tillë tani. Fillimisht duhet të zgjidhet Qeveria, pastaj do të emërojmë drejtorët tanë. Në periudhën që na pret do të dihet se cilat institucione do të drejtojë ASH-ja. Misioni ynë këtë vit është të bëjmë ndryshim në menaxhimin e institucioneve të caktuara dhe shpresoj që ta arrijmë qëllimin e misionit tonë", tha Taravari në konferencën për media pas mbledhjes së Kryesisë Qendrore.

Kreu i partisë tha se nuk e di saktësisht se kur mund të ketë zgjedhje të Qeverisë së re dhe se do të jetë sipas procedurave. sa/

 

QËNDRONI TË LIDHUR