• e shtunë, 23 nëntor 2024

Aktivisti Suad Misini me fjalimin para anëtarëve të Grupit të Punës përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Evidencën amë

Aktivisti Suad Misini me fjalimin para anëtarëve të Grupit të Punës përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Evidencën amë

Shkup, 23 qershor 2023 (MIA) - Kryetarja e Komisionit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Sonja Mirakovska, sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka mbajtur takim me Grupin e punës që është përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Evidencën Amë.

Në takim, siç kumtoi pres shërbimi i Kuvendit, fjalë mori aktivisti Suad Misini, i cili gjatë ditës së djeshme ka mbajtur grevë me etje, për tu ndihmuar qytetarëve që kanë probleme me dokumentet e tyre personale.

"Ai në fjalimin e tij para deputetëve dhe përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse për zbatimin e Ligjit, e përshëndeti miratimin e tij dhe angazhimin e deputetëve, por shprehu keqardhjen që ky problem ka pritur kaq vite për t'u zgjidhur. Në të njëjtën kohë, theksoi se nevojiten ndryshime urgjente në Ligjin për Vendbanim dhe Vendqëndrim për kategoritë e prekura të qytetarëve", thuhet në kumtesë.

Mirakovska informoi se më 21 qershor 2023, Ligji për Evidencën Amë të qytetarëve është publikuar në Gazetën Zyrtare të RMV-së. Me këto ndryshime në ligj, më shumë se 700 qytetarëve tanë u mundësohet të zgjidhin problemet e tyre dhe të marrin dokumente personale. Gjithashtu, me ndryshimet do të zgjidhet edhe problemi i shtetësisë për çdo fëmijë që do të lindë në vend, sepse ai do të marrë certifikatën e lindjes, pavarësisht nëse prindërit e tij kanë dokumente personale apo jo.

"Mirakovska u pajtua se është e nevojshme që sa më shpejt të bëhen ndryshime në Ligjin për Vendbanim dhe Vendqëndrim, që do t'i mundësojë një kategorie tjetër të cenueshme të qytetarëve që të pajisen me dokumente personale. Nga ana e saj u premtua se do të ndërmerrte hapat e duhur për realizimin e tij. Mirakovska u bëri thirrje kolegëve deputetë të opozitës që ta përkrahin procesin, sepse çdo person ka të drejtë për jetë dinjitoze", kumtoi pres shërbimi i Kuvendit.

Pas përfundimit të mbledhjes, thuhet më tej, Mirakovska u drejtua për në Parkun e Gruas për ta vizituar Misinin, duke e lutur që ta ndërpresë grevën dhe të kujdeset për shëndetin e tij, duke e siguruar se Kuvendi do ta zgjidhë problemin sa më parë. bsh/

Foto: Kuvendi i RMV-së

QËNDRONI TË LIDHUR