Ahmeti: Qëndrojmë pas parimeve, për të cilat populli na besoi 19 mandate
- Post By Besnik Shuki
- 15:42, 11 maj, 2024
Shkup, 11 maj 2024 (MIA) - Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, sot në takimin me liderët dhe organet e partive politike të Frontit Evropian u shpreh se i qëndrojnë pas parimeve të shëndosha dhe progresive, për të cilat populli u besoi 19 mandate të deputetëve.
"Sot bashkë me liderët dhe organet e partive politike të Frontit Europian u takuam për të konstatuar fitoren dhe për ta bërë me dije se qëndrojmë deri në fund pas parimeve të shëndosha e progresive mbi të cilat hapëm faqen e bashkëpunimit, për të cilat populli na besoi 19 mandate deputetësh duke na bërë forcën e dytë politike në vend. Këtu mbarojnë spekulimet tendencioze, të gjithë në Frontin Europian fuqishëm bashkë vazhdojmë drejt së ardhmes europiane! Amaneti i popullit do të shkojë në vend", ka shkruar Ahmeti në profilin e tij në Fejsbuk.
Qeveria e re, shtoi ai, duhet t'i zbatojë ndryshimet kushtetuese dhe ta vazhdojë rrugën europiane.
"Opozita shqiptare të mos harrojë e të mos shkelë nënshkrimin e vendosur në marrëveshjen e përbashkët për Qeveri duke anashkaluar parimin e ndryshimeve kushtetuese", është shprehur Ahmeti. bsh/