• e enjte, 26 dhjetor 2024

Ahmeti: Na duhet unifikim, disave u mbetet hatri, por kthim mbrapa nuk ka

Ahmeti: Na duhet unifikim, disave u mbetet hatri, por kthim mbrapa nuk ka

Shkup, 20 mars 2023 (MIA) - Njëzet vite kemi punuar që njerëzit të jenë bashkë, ndaj sonte u ndala edhe në Çair si vazhdë e takimeve që kam pasur nga Pollogu e deri në Shkup. Kohëve të fundit shumë po ju ngelet hatri, por te unë kthim prapa nuk ka. Unë i respektoj vendimet e shumicës së organeve partiake, por unë nuk mund të dal nga rruga e trasuar me gjak e me vlera, ndaj një përshëndetje speciale shkon për bashkëluftëtarët e mi dhe familjet e dëshmorëve, potencoi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti në tubimin e sontëm në sallën sportive "Shaban Tërstena" në Çair.

"Misioni ynë nisi për bashkim, për t'ua dhënë shqiptarëve atë që e kanë merituar historikisht, lirinë, drejtësinë, barazinë, sepse fjala e lirë dhe mendimi pa kufi është anarki. Unë, Talat Xhaferi dhe të gjithë si ne, duhet të punojmë që këtë rrugë t'ua shtrojmë e begatojmë gjeneratave të reja sepse kohërat kanë ndryshuar. Sot kërkohet arsimim, cilësi e ekspertë, ndaj unë jam shumë krenar me ekipin që ka BDI në qeveri, dhe këtë krenari ma shton më shumë kur marr komplimente nga përfaqësuesit ndërkombëtarë se sa imazh të mirë kemi", tha Ahmeti. 

Porositi se duhet të mbështesin gjithë ato kuadro profesionale që të tregojnë aftësitë e tyre, jo të ngulfatet BDI-ja.

"Hapni krahët dhe pranoni të rinjtë, pranoni të ardhmen, sepse nuk mund të jemi pjesë e Evropës pa cilësi e kuadro profesionale. Në vitin 2001 më thoshin po çka të duhet Arbën Xhaferi e Imer Imeri. Na duheshin sepse neve na duhej bashkim dhe unitet më shumë se kurrë. Kemi tejkaluar veten për shumë çështje, sepse uniteti të bën të rëndësishëm, sepse ne kemi përgjegjësi morale e kombëtare që shqiptarët të jenë aty ku e meritojnë". tha lideri i BDI-së. 

Ju bëri thirrje liderëve politikë, politikanëve t’i lënë anash inatet e dokrrat, por të bashkohen që vendi të bëhet Evropë, sepse siç potencoi "anëtarësimi i vendit tonë në BE është shërbimi më i madh që mund t'ua bëjmë familjeve shqiptare për ta ndalur emigracionin".

"Nuk ndalet rruga drejt BE-së me propaganda, ndaj Artanit, ne nuk jemi tren por jemi urgan i pandalshëm, mos i dilni para urganit se ju shkelë", porositi Ahmeti.

Zëvendëskryeministri Artan Grubi në tubimin në Çair tha se kemi nevojë për pajtim e unifikim, jo për përçarje dhe ndarje. Shtoi, se dora e tij mbetet e shtruar, sepse, siç tha “unë nuk kam mëri e hatërmbetje”.

"Sonte jemi këtu sepse kemi nevojë për pajtim e unifikim, jo për përcarje dhe ndarje. Dora ime mbetet e shtruar, sepse unë nuk kam mëri e hatërmbetje, jemi mësuar te jemi bashkë sepse ashtu e do koha dhe është momenti i duhur. Ne të gjithë bashkë po i trasojmë rrugët e BDI-së për interesa të kombit e jo të individit, sepse BDI është e të gjithëve jo e disave. Frikë nga gara dhe konkurrenca ka vetëm i dobëti. Asgjë nuk filloi dhe nuk do të përfundojë as me mua e as me dikë tjetër, vetëm fryma e Ali Ahmetit duhet të jetë e përjetshme sepse është më e mira për shqiptarët", tha Grubi në tubimin në Çair.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në fjalimin e tij në tubim shprehu falënderim për Ali Ahmetin për besimin që ia ka dhënë për të qenë koordinator i BDI-së në Çair.

"Çdo banor i Çairit e ka ndjerë dorën e ngrohtë të Ali Ahmetit, investoi në arsim, formimin e kuadrove të reja të cilët na bëjnë krenarë, prandaj e falënderojmë. Aktivistët e Çairit janë lojalë ndaj politikave, misioneve dhe politikave vizionare tuaja. Ali Ahmeti nuk kujdeset për titujt e gazetave por për fatin e shqiptarëve sot e nesër", tha Osmani.

Potencoi se prania e Ahmetit të shtunën në Ohër i ka dhënë peshë ngjarjes.

"Ali Ahmeti i bashkon shqiptarët, siç i bashkoi në vitin 2001 për nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa tani i bashkon shqiptarët në frontin për në Evropë. Sot njerëzit duan jetë evropiane, me standarde dhe të mira evropiane, me paga të larta dhe institucione super moderne. Jemi shtet kryesues me OSBE-në, jemi në NATO, jemi shtet i marrëveshjeve të mëdha, e do të jemi edhe në BE. Vetë prezenca e Ali Ahmetit i dha peshë ditës së shtunë, kur i tha delegacionit kosovar se ne jemi krah jush në çdo vendim përparimtar për vendin", potencoi Osmani.

Bashkimi Demokratik për Integrim sonte mban tubim në sallën sportive

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi nga tubimi në Çair porositi se BDI-ja nuk merret me fjalë, por i zbaton kërkesat e qytetarëve.

“Mua, Artan Grubin dhe Fatmir Besimin na kanë etiketuar për bastoret. Në emrin e të treve mund të them jo që duart i kemi larg nga bastoret, jo që jemi larg nga kazinot, por shpirtërisht jemi duke punuar që të vëmë në funksion kërkesën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, që ato kazino, ato bastore të largohen ku dhe ishte zotimi i BDI-së në zgjedhjet paraprake. Ishte kërkesë e lëvizjes Anti-bixhos. Ne nuk merremi me fjalë, por me vepra. Me miratimin e atij Ligji do të vendosim në vendin e duhur kërkesën tuaj”, tha Xhaferi.

Tubimi i sontëm në Çair është tubimi i parë i madh në të cilin fjalim pati edhe Ahmeti pasi dy palët "në konflikt" të BDI-së mbajnë tubime paralele.

Para tri javësh në Çair tubim pati edhe fraksioni në parti i "grupit të zjarrit" në të cilin u kritikuan ministrat e BDI-së, veçanërisht Grubi.

 Përplasja në BDI u thellua pasi Ahmeti si koordinator të degës së Çairit e emëroi shefin e diplomacisë Bujar Osmani, hap i cili "për grupin e zjarrit" është jostatutor, pasi Izet Mexhiti është kryetar i degës së Çairit. Këtë e interpretojnë si eleminim partiak të "grupi të zjarrit" dhe paralajmërim për hapa të ardhshëm edhe ndaj koordinatorëve të tjerë "të padëgjueshëm". shk/

QËNDRONI TË LIDHUR