Ahmeti në Prishtinë, kryetari do t'ia dorëzojë çelsin e qytetit
- Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti sot do të qëndroj për vizitë në Prishtinë.
- Post By Fami Bajrami
- 14:48, 17 dhjetor, 2024
Shkup, 17 dhjetor 2024 (MIA) - Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti sot do të qëndroj për vizitë në Prishtinë.
Siç njofton "Ekonomia onllajn" e Kosovës, gjatë vizitës në Kosovë, Ahmetit do t’i dorëzohet çelësi i qytetit nga ana e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
Një pjesë e mediave në vend mëngjesin e sotëm transmetuan fejsbuk-statusin e Ismet Sylejmanit, kinse biznesmen kosovar, i cili publikoi një foto nga takimi me Ali Ahmetin në Prishtinë. Ata janë fotografuar në një kafene.
"Kafe historike me Ali Ahmetin në Prishtinë. Kafe e mëngjesit në Prishtinë me udhëheqësin e popullit, Atdheut dhe Kombit shqiptar, shokun e mikun tim Ali Ahmeti dhe sekretarin e përgjithshëm të BDI-së, Faton Ahmetin. Ismet Sulejmani. Prishtinë, 17 dhjetor 2024!”, ka shkruar Sylejmani nën fotografinë e publikuar në profilin e tij në Fejsbuk.
Vizita e Ahmetit në Kosovë vjen pasi këtë fundjavë nga vendi u largua ish zëvendëskryeministri i parë, ish ministri dhe funksionari i lartë i BDI-së, Artan Grubi. Në publikimin në profilin e tij në Fejsbuk dy ditë më parë, Grubi shkroi se ishte për vizitë private në Kosovë dhe se nuk ka ikur nga vendi pasi të dielën në mbrëmje në rrjetet sociale filluan të qarkullojnë informacione të tilla jozyrtare.
Ekipet e policisë dje kanë kontrolluar banesat e Grubit dhe ish drejtorit të Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami. Dhe të dy nuk u gjetën në shtëpitë e tyre. Grubi dhe Bajrami dyshohet se "i kanë shkaktuar dëm shoqërisë aksionare në vitin 2023 me qëllim që në mënyrë kundërligjore të përfitojnë mjete buxhetore nga Lotaria në vlerë mbi tetë milionë euro. Prokuroria i dyshon për veprën penale të përvetësimit në shërbim. PTHP Shkup ka kërkuar nga Gjykata Penale të dyve t'u shqiptojë masë paraburgimi. rq/
Foto: arkivi i MIA-s