• e martë, 02 korrik 2024

Ahmeti: Në luftën kundër korrupsionit që procesi të jetë i besueshëm të ketë edhe ekspertë ndërkombëtarë

Ahmeti: Në luftën kundër korrupsionit që procesi të jetë i besueshëm të ketë edhe ekspertë ndërkombëtarë

Tetovë, 2 korrik 2023 (MIA) - Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti vlerëson se me ekspertë ndërkombëtarë do të ketë proces të besueshëm në luftën kundër korrupsionit. Këtë e theksoi në konferencë për media pas përfundimit të zgjedhjeve brendapartiake në përgjigjet e pyetjeve të disa gazetarëve lidhur me dilemat në publik se a ka ndikim dhe korrupsion rreth bizneseve të anëtarëve të familjes së tij më të gjerë si dhe funksionarëve të tjerë të partisë në BDI. 

"Për të qenë më serioz, kam folur edhe me parti të tjera politike, që të solidarizohemi të gjithë rreth kësaj çështjeje - luftës kundër korrupsionit. Por që procesi të jetë i besueshëm duhet të ketë edhe ekspertë ndërkombëtarë, që ky proces të jetë i besueshëm për qytetarët, por edhe për ata që do të shpallen fajtorë sepse dikush mund të thotë se kjo është hakmarrje dhe prandaj kërkuam ekspertë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, ekspertë juridikë të cilët do të na ndihmonin në këtë proces. Lufta kundër korrupsionit nuk është e lehtë nëse nuk ka partneritet të qëndrueshëm mes partive politike. Unë kam thënë që nuk janë të gjithë engjëj në BDI, por unë kam organe politike, nuk kam organe të prokurorisë. Në mënyrë që procesi të jetë i besueshëm, kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare që të dërgojë ekspertë ndërkombëtarë për ta bërë procesin të besueshëm", tha Ahmeti.

Ai njëherësh theksoi se është i madh numri i funskionarëve të BDI-së të cilët gjatë 21 viteve të kaluara ishin pjesë e institucioneve dhe për këtë për të gjithë duhet të ketë hetim. 

"Ne zyrtarisht, këtu në këtë sallë është marrë një vendim me të cilin është kërkuar që të hapet një hetim për të gjithë zyrtarët e BDI-së, duke filluar nga unë. Të fillojë hetimi dhe ky vendim është dorëzuar si kërkesë zyrtare atëherë në Prokurorinë Speciale Publike, te Janeva dhe te Prokurori Publik, të cilit i kam thënë se do ta ketë mbështetjen time në Parlament, vetëm nëse hap një hetim për të gjithë anëtarët e BDI-së, duke filluar nga unë e deri tek zyrtari i fundit në BDI, kryetar komune, ministra, drejtorë. Sepse partia nuk mund të jetë prokuror. Kjo është punë për organet që paguhen për këtë. Korrupsioni nuk mund të mposhtet në ndonjë mënyrë tjetër dhe për këtë kam pasur një ftesë për mediat, të krijojmë një partneritet, që bashkërisht ta luftojmë këtë të keqe, sepse kjo bëhet me veprim të përbashkët të koordinuar të partive politike dhe mediave dhe shoqërisë. Në BDI nuk ka as amnisti e as strehë. Por derisa të vërtetohet faji, ne nuk mund të bëjmë gjueti shtrigash. Dhe t'i vendosim njerëzit në gijotinë, por le të bëhet një proces hetimor për të gjithë ata që dyshohen për keqpërdorime", porositi Ahmeti.

Në pyetjen e gazetarëve nëse mjafton Lista e zezë e SHBA-së, Ahmeti tha se ajo është lehtësim.

"Edhe vetë Merko e ngriu pozitën e tij në BDI, që të mos shfrytëzohet ajo se është nën mbrojtje të BDI-së ose nën ndikimin të cilin mund ta ketë partia në organet", tha Ahmeti. 

Për kërkesën e VMRO-DPMNE-së për përgjegjësi për shkak të biznesit me fotovoltaikët të të afërmve të tij, Ahmeti tha se askush nuk është nën mbrojtjen e tij personale, as të BDI-së.

"Çdo gjë që është ligjore duhet të respektohet, çdo gjë që është e joligjore duhet të ndëshkohet. Por nuk mund të ndaloj askënd që të ketë angazhimet e tij private në biznes. Le të dalë kushdo të thotë se është keqpërdorur ndonjë institucion, kompani në emrin tim, në emër të pozitës që kam si kryetar partie apo deputet, atëherë kjo është çështje tjetër", është përgjigjur Ahmeti. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR